Politika
Shefi i OBSH: Kujdes në lehtësimin e kufizimeve
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetit, prej ditësh ka bërë thirrje se heqja e masave të parandalimit të koronavirusit shumë herët mund të shkaktojë një “ringjallje vdekjeprurëse” të infeksionit. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se vendet duhet të tregohen të kujdesshëm për lehtësimin e kufizimeve, edhe pse disa luftojnë me ndikimin ekonomik.
Vendet më të goditura në Evropë, Spanja dhe Italia, janë duke menduar të heqin disa masa, ndërkohë që izolimi atje vazhdon. Në të gjithë botën ka 1.6 milion persona të prekur dhe 101.000 vdekje.
Duke folur në një konferencë virtuale për shtyp në Gjenevë, Tedros tha se kishte një “ngadalësim të pritur” të epidemive në disa vende evropiane. Ai tha se OBSH po punonte me qeveritë për të formuar strategji për lehtësimin e kufizimeve, por kjo nuk duhet të bëhet shumë shpejt.
Kreu i OBSH-së Tedros deklaroi se ka një ngadalësim të dukshëm të infeksioneve në disa vende evropiane. Por ai ka paralajmëruar se virusi tani po përhapet me shpejtësi edhe në vendet e tjera si Afrikën. Sipas ekspertit të OBSH, është përhapur kryesisht në zonat rurale. “Tani ne po shohim se koronavirusi i ri është përhapur në 16 vende në këtë kontinent, ndërkohë që parashikohen vështirësi të mëdha edhe për sistemet shëndetësore atje, sepse këto zona nuk kanë të njëjtat burime si ato në qytete,” shtoi Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetit.