Shërbimet e kujdesit shoqëror, grupet në nevojë që kanë të drejtë të përfitojnë
Nga Pranvera Kola
Riorganizohet skema për ofrimin e shërbimeve shoqërore për kategoritë në nevojë. Kërkesa për të përfituar nga këto shërbime, duhet paraqitur pranë strukturave përgjegjëse që do të funksionojnë në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore në vend. Në ligjin e zbardhur gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, detajohet struktura e re, me llojet e shërbimeve, kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë, si dhe procedurat që do të ndiqen që nga marrja e shërbimeve ditore, atyre komunitare, apo deri në strehimet afatgjata pranë qendrave të përkujdesit social. Ndërkohë, ligji vendos edhe detyrimin e certifikimit të punonjësve të këtyre shërbimeve nëpërmjet programit të krediteve nga edukimi në vazhdim, sikundër veprohet edhe për punonjësit e shëndetit.
Paraqitja e kërkesës
Për pranimin në sistemin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, vetë individi në nevojë, përfaqësuesit të tij, psikologu, apo punonjësi social i njësisë së qeverisjes vendore kur konstatohet situata e nevojës për shërbime mund të paraqesin kërkesën për trajtim. Kjo kërkesë dorëzohet tek punonjësi social i njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit në strukturën e posaçme për shërbimet shoqërore të njësisë së qeverisjes vendore. Më pas do të jetë Këshilli Bashkiak që do të vendosë për miratimin, ose refuzimin e kërkesës, vendim i cili do të merret brenda dy javësh nga momenti i dorëzimit të kërkesës. Në rast se shërbimi i kujdesit shoqëror për individin nuk ofrohet nga ajo njësi e qeverisjes vendore, kryetari i baskisë mund të referojë rastin te një njësi tjetër. Vendimet e kryebashkiakut, mund të ankimohen në rrugë gjyqësore. Ndërkohë që kriteret dhe procedurat e pranimit në qendrat rezidenciale dhe për përdorimin e shërbimeve në komunitet përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo skemë ofron shërbime, falas ose kundrejt tarifave të caktuara. Në çdo rast, metodologjia e përcaktimit të tarifave dhe nivelit të tyre do të bëhet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për çështjet sociale dhe të ministrit të Financave.
Kategoritë që kanë të drejtë të përfitojnë
Të drejtën për të përdorur shërbimet e kujdesit shoqëror e kanë individët, ose familjet që nuk kanë mjetet minimale të jetesës dhe nuk janë në gjendje që t’i sigurojnë ato me punë, apo të ardhura nga pronat, ose burime të tjera, si dhe të gjithë individët që janë në pamundësi për të plotësuar nevojat e tyre të jetesës, vetë, ose me ndihmën e anëtarëve të familjes, për shkak të kushteve personale dhe sociale. Konkretisht, përfitues mund të jenë këto grupe shoqërore: “familjet dhe çdo fëmijë në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, të rriturit me probleme sociale, viktimat e dhunës, trafikimit, varësisë së provuar ndaj drogës e alkoolit, vajzat shtatzëna apo prindi i vetëm i një fëmije deri në moshën njëvjeçare, të moshuarit në nevojë, të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin, që kanë përfunduar periudhën e dënimit dhe kanë nevojë për shërbime të kujdesit shoqëror, me qëllim riintegrimin në shoqëri, si dhe ata që gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare me vendim të autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët. Personat që nuk janë pjesë e këtyre kategorive nëpërmjet tarifave përkatëse, kanë të drejtë që të kërkojnë sistemim të përkohshëm në institucionet e ofrimit të shërbimit, qofshin këto rezidenciale, apo komunitare, sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj, deri në mbarimin e rrethanave të veçanta për të cilat ka kërkuar shërbimin. Nuk kanë të drejtë që të përfitojnë shërbime të kujdesit shoqëror, shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë vendit, azilkërkuesit që nuk kanë marrë statusin e azilit, personat që vuajnë dënim me heqje lirie me vendim të formës së prerë të gjykatës, etj.
Shërbimet komunitare ditore
Shërbimet e kujdesit shoqëror, të siguruara kryesisht në qendra komunitare, do të ofrohen si shërbime të plota ditore dhe gjysmëditore. Qëndrimi i plotë ditor zgjat nga 6-8 orë, ndërsa qëndrimi gjysmëditor nuk mund të jetë më shumë se gjashtë orë. Gjatë kohës së qëndrimit në qendrën komunitare jepen shërbime për higjienën personale, kujdesin shëndetësor, edukimin, rehabilitimin psiko-social, kalimin e kohës së lirë në komunitet, fuqizimin e individit dhe familjes, si dhe çdo shërbim tjetër i nevojshëm. Shërbimet e plota ditore mund të përdoren një, ose disa ditë në javë, ose gjatë të gjitha ditëve të punës. Është Këshilli i Ministrave që vendos për kushtet dhe mënyrën e ofrimit të këtyre shërbimeve.
Qendrat e zhvillimit
Shërbimet në qendrat e zhvillimit janë shërbime komunitare që synojnë sigurimin dhe përmirësimin e statusit dhe cilësisë së jetës së individëve me aftësi të kufizuara, deri në 21 vjeç. Llojet e shërbimeve, që ofrohen në këto qendra përfshijnë terapi intensive psiko-sociale për aftësimin mendor dhe rehabilitimin social me qëllim integrimin në komunitet, shërbim psikomotor për aftësimin dhe përmirësimin e parametrave psikologjikë dhe të motorikës fine e globale, aftësim të parametrave fizikë, shërbime të specializuara ortofonie për aftësimin e individëve me çrregullime të spektrit autik, apo aftësisë për të komunikuar, terapi riaftësimi për punë, si dhe terapi zhvillimi.
Strehëzat
Shërbimi në strehëza është shërbim i kujdesit shoqëror rezidencial i ofruar në mënyrë të përkohshme, që përfshin shërbimin e specializuar, strehimin, sigurinë fizike, ushqimin, kujdesin shëndetësor, rehabilitimin psiko-social, terapinë fizike, aktivitete profesionale, kalimin e kohës në komunitet, edukimin, në varësi të nevojave të identifikuara dhe të zgjedhura nga përfituesit. Përfitues të shërbimit në streha janë: “Fëmija, i cili gjendet i pambikëqyrur nga prindërit, në rrezik apo situatë rruge, fëmijët që janë në mbrojtje të veçantë, personat e rritur që nuk kanë vendbanim dhe nuk kujdesen dot për veten, gratë dhe vajzat shtatzëna, ose prindi i vetëm me fëmijë deri në 1 vjeç, fëmijët dhe të rriturit që janë viktima të dhunës në familje, abuzimit, viktima të trafikimit, si dhe personat që janë në rrezik për shkak të situatës shëndetësore, aftësisë së kufizuar, varësive nga droga ose alkooli, apo përjashtimi social. Shërbimi mund të ofrohet gjatë të gjitha ditëve të javës dhe përfshin edhe referimin në një shërbim tjetër shoqëror.
Strehimi i përkohshëm
Strehimi mund të jetë i përkohshëm deri në referimin e rasteve në një tjetër shërbim. Përfituesit e këtij shërbimi nuk kalojnë në procesin e zakonshëm të vlerësimit të rastit, por vetëm referohen nëpërmjet punonjësit social. Ky shërbim strehimi mund të jepet edhe në familjen me lidhje gjaku, ose familjen kujdestare. Trajtimi mund të zgjasë nga gjashtë muaj, deri në një vit.
Kush përfiton nga strehimi afatgjatë
Strehimi afatgjatë u sigurohet individëve që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm, me qëllim përmbushjen e nevojave themelore, kur ky kujdes nuk u sigurohet dot në familje, apo dhe në familjet kujdestare. Personat që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm janë: personat me aftësi të kufizuara, sipas moshës, llojit dhe shkallës së dëmtimit, kur nuk është e mundur të sigurohet kujdesi në familje, si dhe të moshuarit dhe të sëmurët rëndë, të cilët vuajnë nga ndryshime të përhershme të gjendjes shëndetësore. Ndërsa strehimi i organizuar është një shërbim i kujdesit shoqëror në nivel vendor, i cili ofrohet për 24 orë në ditë, në qendrat rezidenciale për të përmbushur nevojat themelore sociale, kulturore, arsimore, rekreative dhe përfituesve nga subjekte publike, ose jopublike. Ky lloj strehimi u ofrohet të moshuarve, jetimëve, fëmijëve pa kujdes prindëror, ose pa kujdestari, personave me aftësi të kufizuara, duke u dhënë format e duhura rezidenciale të kujdesit, kur janë shteruar të gjitha mundësitë për të siguruar kujdesin në familje, familje kujdestare apo qendra komunitare. Përfituesve të shërbimeve të strehimit të organizuar u jepet një shumë në lekë për shpenzime personale. Kjo shumë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Llojet e shërbimeve shoqërore
- “Shërbime rezidenciale” janë shërbime të kujdesit njëzetekatërorësh dhe afatgjatë për individë në nevojë (fëmijë ose të rritur), të ofruara në qendrat rezidenciale, publike dhe jopublike, organizimi i të cilave bëhet sipas kritereve të përcaktuara.
- “Shërbime komunitare” janë shërbime që ofrohen në qendra komunitare lokale ose në mjedise të tjera, si shërbimet e kujdesit ditor apo të zëvendësimit të përkohshëm të kujdestarit për të gjitha kategoritë e përfituesve të shërbimeve të kujdesit shoqëror.
- “Shërbime parashoqërore” konsiderohen si shërbime komunitare dhe përbëhen nga: informimi dhe këshillimi, shërbimi në familje, mbështetja psiko-sociale, ndërhyrja e hershme. Këto shërbime sigurohen nga profesionistë të caktuar nga struktura të vlerësimit të nevojave dhe referimit pranë njësive të qeverisjes vendore.
- “Shërbime në familje” janë shërbime të kujdesit shoqëror që ofrohen në familje për kategoritë në nevojë, që e kanë të pamundur të marrin shërbime komunitare, ditore dhe rezidenciale pranë qendrave përkatëse të kujdesit shoqëror.
- “Shërbime të specializuara” janë shërbimet e ofruara nga profesionistë të profilizuar në specialitete të ndryshme. Këto shërbime ofrohen në nivel qarku dhe bashkie për fëmijët me çrregullime pervazive të zhvillimit, prapambetje mendore, çrregullime në komunikim, në nevojë për aftësim fizik, fëmijët e abuzuar seksualisht, fëmijët në konflikt me ligjin, si dhe gratë e vajzat e abuzuara, të dhunuara apo të trafikuara, si dhe të gjitha kategoritë që kanë nevojë për shërbime të tilla.