Ekonomia

Shëtitore me vlerë 4.1 mln euro tek Mak Albania, FSHZH hap garën

Shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e një shëtitore pranë kompleksit Mak Albania në Durrës, e cila do të kushtojë 567 milionë lekë (4.1 mln euro).

Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka hapur garën për ndërtimin e pedonales nëpërmjet një thirrje në Agjencinë e Prokurimit Publik. Në specifikat e garës nuk janë njoftuar kilometrat e shëtitores, porse kohëzgjatja e punimeve do të vijojë 14 muaj.

Këtë vit do të jepen vetëm 113 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër është programuar në vitin 2018.

Vlera e lartë e investimit tenton të zbukurojë zonën e Golemit në të cilën po bëhen disa investime për shërbime turizmi, teksa investimet e mëdha në akset nacionale kanë ngecur.

Situata paraqitet emergjente në punimet e dy By-Pass-eve në Lushnjë e në Vlorë. Kompania italiane e kontraktuar për punimet ka probleme me nënkontraktorët dhe punimet nuk kanë avancuar sipas parashikimeve të kontratave. Për pasojë dy anët e autostradës që lidhin qendrën e Shqipërisë me Jugun e vendit nuk janë funksionale nëse By-Pass-et nuk përfundojnë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka funksion të zhvillojë projekte kryesisht në zonat rurale, është bërë vitet e fundit aktor kryesor i investimeve edhe në rrugë nacionale. Investimet e Fondit karakterizohen nga kosto të larta dhe ndonjëherë me mangësi teknike.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka bërë me dijeni të plotë investime me vlerë 5 milionë euro në Autostradën Tiranë-Rinas, duke e ditur se ato do të shkatërrohen shumë shpejt, një projekt për zgjerimin e autostradës.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka planifikuar të investojë rreth 86 milionë euro në 2017-2019, të cilat do të shkojnë për pedonale dhe akse të tjera lokale. Ndërsa rrugët kryesore nacionale janë lënë përgjysmë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button