Shfajësimi i Volkswagen: I kishim informuar që në prill amerikanët
Volkswagen përpiqet të lajë duart si Pilati nga skandali që rrezikon seriozisht reputacionin e prodhuesit më të madh të automobilëve në botë.
Gjigandi gjerman këmbëngul se i ka këshilluar që në muajin prill klientët e tij në Amerikë që t’i çojnë makinat nëpër konçesionarë për të përmirësuar emetimet e gazrave.
Të paktën këtë pohon “Corriere della Sera”, që saktëson se muaj më parë konsorciumi u ka dërguar një letër kalifornianëve, pronarë të një makine të prodhuar prej tij, ku i informonte mbi nevojën e një rishikimi të mjetit për probleme me emetimet.
Zotëruesve të automjeteve me motorë që rrezikonin të mos i kalonin dot testet periodike, iu është kërkuar t’i çojnë makinat në pikat ku i kishin blerë, me qëllimin t’i vendosej një softaware i ri, i cili do të siguronte përmirësimin e marmitës.
Volkswagen megjithatë nuk sqaroi se operacioni ndërmerrej me qëllimin që të gjendej një shteg për t’i shpëtuar standardeve të rrepta të cilësisë nga autoritetet lokale të kontrollit.
Skandali detyroi drejtorin ekzekutiv Martin Winterkorn të jepte dorëheqjen vetëm pak muaji pasi kishte fituar luftën e brendshme për pushtet me aksionerin Ferdinand Pioch.
Por, gjithmonë sipas “Corriere della Sera”, Winterkorn nuk do të dalë duarbosh nga kjo aferë. Atij duket se i takon një pension i majmë prej 28.6 milionë euro, që siç shpjegon agjencia Bloomberg, nuk ka arsye përse të mos i paguhet.
Në deklaratën e bërë publike përmes një videoje të martën, 68-vjeçari dukej mjaft i sforcuar dhe kërkoi falje për manipulimet në testimin e emetimeve në SHBA.
Megjithatë, ai la të kuptohej se do të qëndronte në postin e tij për të zbardhur të gjithë aferën, që siç tha, nuk duhet të përsëritet më. Por vetëm një ditë pas këtij videomesazhi, ai vendosi se do të ishte më mirë të largohej.
Skandali, që befasoi investitorët, pati ndikim të menjëhershëm tek aksionet e Volkswagen, të cilat që nga fillimi i javës kanë rënë në tregjet financiare me 30 për qind.