Shifrat e FMN: Shqipëria e 102-a në botë dhe ndër të fundit në Europë për të ardhurat për frymë në 2019
Në Europë jemi ndër vendet me të ardhurat për frymë më të ulëtat dhe na e kalojnë në renditje vetëm Kosova (4,442 dollarë për frymë, në vend të 111) dhe shtete të ish Bashkimit Sovjetik si Ukrania (vendi 125), Moldavia (128).
Nga vendet e rajonit, më të pasur janë fqinjët e Malit të Zi, me të ardhura për frymë prej 8,703 dollarë, ose 62% më të larta se të shqiptarëve (vendi 72). Më pas vjen Serbia, në vend të 87 me 7,398 dollarë për frymë, Maqedonia e Veritu (6,096 dollarë në vend të 95), Bosnja (vendi 97).
Të dhënat e FMN-së referojnë se edhe një dekadë më parë, Shqipëria ishte e pandryshuar në vend të 102, në një tregues që rritja ekonomike e vendit nuk ka arritur të jetë më e lartë se e fqinjëve, apo se ajo nuk ka prodhuar mirëqenie për qytetarët e saj (sipas të ashtuquajturit proces i koncergjencës, vendet me të ardhura më të ulëta duhet të rriten më shpejt, në mënyrë që të kapin mesataren e Bashkimit Europian).
Sot, vendet e Bashkimit Europian kanë të ardhura mesatare për frymë në vit prej 35.8 mijë dollarë, ose gati 7 herë më të larta sesa të shqiptarëve, sipas shifrave të FMN.
Në botë, kryeson Luksemburgu (113 mijë dollarë), kryesisht për shkak të pasurisë së të huajve, e ndjekur nga Zvicra (83,717 USD), Macao SAR (81,152 USD), Norvegjia (77,975 USD), Irlanda (77,771 USD), Katari (69,688 USD), Islanda (67,037 USD), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (65,112 USD), Singapori (63,987 USD).
Institucionet ndërkombëtare ulën parashikimin për rritjen ekonomike
Shpresat për të pasur më shumë të ardhura janë zbehur, pasi të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë ulur parashikimet për rritjen ekonomike të vendit në 2019-n.
FMN pret që vendi të rritet mesatarisht me 3%, sipas Pasqyrës Ekonomike Globale të tetorit, nga 3.7% që ishte pritshmëria në prill.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që Shqipëria të rritet me 2.8 % këtë vit, duke e rishikuar me ulje prej 1.1 pikë përqindje në krahasim me raportin e muajit maj. Banka Botërore e pret zgjerimin e ekonomisë në 2.9% për këtë vit.