Ekonomia

Shoqata Hidrokarbureve shpjegon se pse nafta në vend nuk po ulet, ndonëse ka rënë në bursa

Në tregun vendas nafta aktualisht po tregtohet me 221 lekë për litër, nga rreth 190 lekë për litër që ishte në fund të muajit shkurt, përpara se të fillonte lufta, ndonëse në bursa treguesi Brent është në nivelet e fund shkurtit. Që prej fillimit të muajit mars, çmimi tavan i naftës, benzinës dhe gazit caktohet nga Bordi i Transparencës së krijuar nga qeveria, bazuar në një formulë që merr parasysh kostot e blerjes së produktit, taksat, shpenzimet administrative dhe një marzh fitimi. Çmimi i naftës në vend ka shënuar luhatje të forta gjatë kësaj periudhe, deri në maksimumin e 260 lekë për litër në fillim të marsit, por nuk ka rënë asnjëherë nën 217 lekë për litër (shiko grafikun: Ecuria e çmimit të naftës me pakicë në tregun vendas).

Mos rënia e naftës në tregun vendas me të njëjtat ritme si treguesi Brent në bursat ndërkombëtare ka krijuar shqetësim te konsumatorët dhe shoqatat e biznesit, që kërkojnë transparencë dhe reflektim të çmimeve në tregun vendas.

I kontaktuar nga “Monitor”, Luigj Aliaj, nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve shpjegoi se janë disa arsyet se pse çmimi i naftës në vend nuk reflekton ecurinë e treguesit Brent, që është referenca e naftës së përpunuar në bursat ndërkombëtare:

-Së pari, thotë ai, “jam munduar të shpjegoj me dhjetëra herë, që nuk mundesh ti referohesh çmimit të naftës bruto dhe të arsyetosh që në të njëjtën masë do të rritet dhe ulet nafta e përpunuar sa herë që ndryshon treguesi Brent në Bursa”. Aliaj thotë se çmimi i naftës së papërpunuar në përqindje ka rreth dy muaj që bie me ritme më të shpejta sesa çmimi i produktit të gatshëm, referenca e të cilit është treguesi Platts. Kjo lëvizje me ritme të ndryshme shpjegohet nga ndryshimet e ndodhura si gjatë periudhës së pandemisë, ku shumë rafineri përpunuese u mbyllën dhe më pas nuk u rikthyen më në punë, ashtu dhe nga efekti që çmimet e larta të naftës së papërpunuar sollën në kostot e rafinimit të produktit. Në këtë situatë, ndonëse oferta e naftës së papërpunuar është e lartë, ka më pak kompani që e përpunojnë atë, duke krijuar disbalanca në treg, pasi rafineritë nuk po arrijnë të prodhojnë për nevojat e tregut. Aliaj thotë se të vetmit që fitojnë nga rritja e naftës bruto janë prodhuesit, që janë komanduesit e vërtetë të çmimit botëror të naftës. I gjithë zinxhiri tjetër, përpunuesit tregtuesit, brokerues i kanë fitimet më të vogla kur çmimi rritet, pasi u duhet më shumë kapital për të bërë blerjet, ndërkohë që çmimet e larta frenojnë konsumin dhe ndikojnë negativisht në shitje. Aktualisht, treguesi Platts i naftës së përpunuar në bursa luhatet në rreth një mijë dollarë për ton.

-Së dyti, ndërsa në fund shkurti dhe fillim marsi, dollari ishte 106 lekë tani është 114, çka ka rritur kostot për litër, pasi nafta blihet në dollarë.

-Faktori i tretë dhe më i rëndësishëm lidhet me tërheqjen graduale të kompanive europiane nga blerja e naftës nga Rusia. Kjo ka bërë që tregu i Mesdheut, që është furnitori kryesor për tregun tonë të ketë kosto të rritura në transport, pasi tashmë tregjet janë larguar drejt Gjirit Persik. Si rrjedhojë, treguesit e mëdhenj të furnizimit me naftë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën kanë ndërruar në kontratën ekzistuese çmimet e furnizimit. “Kjo verifikohet dhe në doganë. Nga kontrata normale, me të cilën punohej deri para luftës dhe para një muaji, ku çmimi nga furnitorët për ne si treg formohej nga treguesi Platts (FOB) ditën e hedhjes në treg +15 dollarë premium, në muajin e fundit kjo është korrektuar nga furnitorët me çmimin Platts (CIF) +43-60 dollarë Premium” (diferenca mes ndryshimit të kontratës nga FOB në CIF është 25-60 dollarë për ton). Edhe vendimmarrja duhet të jetë e shpejtë pasi malli nuk është e disponueshëm për shumë kohë, pasi shitësi kalon direkt te blerësi tjetër.

Furnitor i kompanive shqiptare është OMV dhe aktualisht po e merr naftën nga Izraeli, ndërsa më parë e merrte në jug të Italisë, maksimumi deri në jug të Spanjës. Një pjesë e madhe e rafinerive në Europë, që përpunon naftën ruse janë mbyllur. Situata pritet të përkeqësohet në dimër, nëse Europa d të bllokojë tërësisht furnizimin me naftë ruse.

Aliaj thotë se arsyeja se pse Bordi nuk mblidhet është se për shkak të këtyre faktorëve, formula do të rezultonte me rritje çmimi. “Duke ndërhyrë në mënyrë paradoksale në funksionimin e tregut, po të mblidhej sot do të ishte i detyruar ta rriste me 6 lekë, e mbështetur kjo në fatura, dokumente, kontrata, pra me koston reale”.

“Me çmimin e djeshëm Platts /fob, nafta është blerë 992 dollarë për ton, e shumëzuar me kursin prej 114 lekë për një dollar dhe me një ton naftë që ka 1118 litra, çmimi i blerjes është 101 lekë për litër, pa llogaritur premiumin prej 80 dollarë për ton. Taksat sot janë 130 lekë për litër në të dy nivele, duke arritur në çmimin prej 221 lekë për litër. Nëse do të shtohej dhe premiumi, çmimi minimalisht sot do të rritej me 8 lekë për litër. Kjo është situata reale me kontabilitet dhe kjo është mënyra për të bërë transparencë”.

Kjo situatë është në dëm të kompanive, duke i detyruar të përdorin lloj metodash për të mbijetuar në treg.

“E kam sqaruar disa herë, që kjo punë nuk rregullohet me parulla, nuk është rruga që të sulmohet tregu dhe sipërmarrja, sepse çmimet e larta, inflacioni gjithmonë rrezikojnë të rrëzojnë demokracinë dhe tregun e lirë. Një e tillë është caktimi i çmimit në mënyrë të përqendruar”.

Aliaj shton se rrugët për të zbritur çmimin janë vetëm dy: E para përmes uljes së taksave, që sot përbëjnë rreth 60% të çmimit. E dyta kush është dashamirës i publikut të gjejë një mënyrë që të sjellë një ofertë të re në treg, me çmime më të lira.

Ai ngul këmbë se ndërhyrja e Bordit në çmime nuk u lë hapësira kompanive që të manovorojnë me blerjet, pasi askush nuk blen përtej nevojave ditore, duke sjellë në treg efektin e kundërt, pasi çmimet do të ishin më të lira nëse Bordi nuk do të ndërhynte.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button