Ekonomia

Shoqatat e biznesit: Energjia po supertarifohet, të ulen çmimet, operatorët po lundrojnë në para

Grupi i interesit, i përbërë nga Dhomat e Tregtisë dhe Shoqatat e biznesit të listuara (Aneksi A), I kanë drejtuar një kërkesë Entit Rregulator të Energjisë (ERE), ku pasi I parashtrojnë të dhënat mbi performancën e mirë financiare të tre operatorëve energjetikë, kërkojnë që tarifat e energjisë të ulen, pasi sipas atyre ato janë tepër të larta, sidomos për biznesin.

Në shkresë argumentohet se fitimet e tre operatorëvë të energjisë (KESH, OST, OSHEE) janë tepër të larta dhe vijnë kryesisht nga tarifat e larta dhe sidomos diferenca e tarifave mes operatorëve. Diferencat ndërmjet çmimeve dhe totalit të tarifave variojnë nga 0.6 deri në 9 Lekë për këh. Sipas shkresës, këto diferenca të paarsyeshme dëshmojnë qartë se me vendimet e fundit të ERE, tre operatorët e mëdhenj (sidomos OSHEE) mund të “lundrojnë” në para, me norma fitimi të panjohura nga sektorët e tjerë, gjithnjë në kurriz të bizneseve. Më të dëmtuarit nga çmimet janë konsumatorët e niveleve të tensioneve 35, 20 – 6, 0.4 kv, që do të thotë të gjitha kategoritë e bizneseve, përveç furrave të bukës.

Shoqatat dhe Dhomat kanë argumentuar në shkresën dërguar ERE (e plotë më poshtë) që është krejtësisht e padrejtë që bizneset operuese në Shqipëri ta paguajnë kaq shtrenjtë energjinë elektrike. Tarifat e larta si dhe diferencat e mëdha të totalit të tyre me çmimet (Aneksi D) vërtetojnë qartësisht se, duke i reduktuar ato, çmimi i energjisë elekrike ka pasur dhe ka një mundësi të vetme, atë të uljes ndjeshëm të tij.

Argumentet e biznesit

Premisë. Pas shqyrtimit të aplikimeve të tre operatorëve të mëdhenj të tregut tonë energjitik, përkatësisht KESH, OST dhe OSHEE si dhe të objektivave të tyre financiare, konstatojmë që ERE me vendimet e saj ka miratuar që për vitin 2016:

        • KESH të shiste energji me tarifën 1.45 Lekë/kwh, për të siguruar të ardhura vjetore 2,150,320,000 Lekë dhe një fitim 988,653,333 Lekë me normë 46%
        • OST të transmetonte energji me tarifën 0.65 Lekë/kwh, për të siguruar të ardhura vjetore 5,545,481,300 Lekë dhe një fitim 1,920,648,000 Lekë me normë 34.6%
        • OSHEE të shpërndante energji me tarifën mesatare 4.75 Lekë/kwh, për të siguruar të ardhura vjetore 50,437,992,000 Lekë, dhe një fitim 9,732,982,667 Lekë me normë 19.2%

Kjo performancë e shkëlqyer e tre operatorëve, e pasqyruar nga bilancet e tyre të mbyllura për vitin 2016 (Anekset B dhe C) mbetet e panjohur për të gjithë të interesuarit, sepse tarifat e miratuara nga ERE realizojnë vetëm 40% të të ardhurave. Janë diferencat ndërmjet çmimeve dhe totalit të tarifave (të vendosura përsëri nga ERE), që plotësojnë pjesën tjetër prej 60%. Prandaj, duhej që ERE të njoftonte publikun edhe për këtë pasojë me shumë peshë të vendimit të saj për çmimet!

Vlen të përmendim këtu që performanca financiare e tre operatorëve nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë, sepse prodhimi vendas dhe importi i saj mbeten pothuaj në të njëjtat shifra si më parë.

Më tej, vendimi Nr.190, datë 22.12.2016 i ERE jo vetëm që i ka lënë të pandryshuara tarifat, por për periudhën 1 janar – 31 mars 2017 i ka rënduar edhe më shumë pagesat për energjinë me çmime të reja tepër të larta. Diferencat ndërmjet çmimeve dhe totalit të tarifave variojnë nga 0.6 deri në 9 Lekë për kwh. Këto diferenca të paarsyeshme dëshmojnë qartë se me vendimet e fundit të ERE, tre operatorët e mëdhenj (sidomos OSHEE) mund të “lundrojnë” në para, me norma fitimi të panjohura nga sektorët e tjerë, gjithnjë në kurriz të bizneseve. Vërtetë, më të dëmtuarit nga çmimet janë konsumatorët e niveleve të tensioneve 35, 20 – 6, 0.4 kv, që do të thotë të gjitha kategoritë e bizneseve, përveç furrave të bukës (Aneksi D).

Ndërkaq, sipas metodologjisë së miratuar nga ERE, tarifat e aplikuara nga të tre operatorët përfshijnë jo vetëm kostot operative dhe amortizmin e investimeve, por edhe vetë fitimin si dhe tatimin mbi fitimin, në kundërshtim me ligjin për kontabilitetin.

Po ashtu, performanca financiare e të tre operatorëve në dy vitet e fundit i rendit ato ndër 10 kompanitë me të ardhura dhe fitime më të larta në vendin tonë. Kjo performancë mund të shërbejë si një argument mjaft bindës edhe për rinegocimin e borxheve ndaj kreditorëve të tyre dhe jo të nxitohet për shlyerjen e tyre në kohë rekord.

Një shqyrtim tërësor i tarifave dhe i çmimeve (Aneksi D) nxjerr në pah ndërsubvencionimin ndërmjet kategorive të konsumatorëve, në kundërshtim të hapur me Nenin 19 të ligjit bazik 43/2015. Të gjithë konsumatorët e tensioneve 35, 20-6, 0.4 kv, pra bizneset, ojf-të, institucionet publike dhe jo publike e paguajnë energjinë me çmim më të lartë se familjet. Duket sikur ERE u thotë këtyre kategorive: “Meqë ju punësoni pjestarët e gjithë familjeve, duhet të paguani edhe një pjesë të faturave të tyre për energjinë”! Por, sigurisht, shtrenjtësia e energjisë elektrike në vendin tonë shkaktohet nga diferencat e mëdha ndërmjet çmimeve dhe totalit të tarifave. Këto diferenca do të përcaktonin tarifën për FSHU, ndryshe të ardhura të tjera akoma më të mëdha për OSHE, që e ka pjesë të saj. Kështu, pasi energjia është prodhuar apo importuar, transmetuar dhe shpërndarë deri tek konsumatori, ERE ka vendosur që vetëm për dërgimin e faturës, mbledhjen e pagesave dhe “borxhin e keq”, konsumatorët të ngarkohen me  0.6 deri në 9.1 Lekë/kwh. Kjo supertarifë është krejt e panevojshme, sepse nuk justifikohet me kostot e sistemit të pagesave, ndërkohë që “borxhi i keq”, detyrë e FSHU për ta shlyer, ka zbritur në 6% të totalit të vlerës së faturuar (sipas raportit të vetë OSHEE).

Në mbyllje të kësaj premise grupimi ynë konstaton se nuk ka pasur asnjë argument të qenësishëm që ERE të linte të pandryshuara tarifat apo të ngrinte çmimet. Po ashtu, grupimi ynë e quan krejtësisht të padrejtë që bizneset operuese në Shqipëri ta paguajnë kaq shtrenjtë energjinë elektrike. Tarifat e larta si dhe diferencat e mëdha të totalit të tyre me çmimet (Aneksi D) vërtetojnë qartësisht se, duke i reduktuar ato,

çmimi i energjisë elekrike ka pasur dhe ka një mundësi të vetme, atë të uljes ndjeshëm të tij

 Situata e pritshme. Sipas draftit të ERE, për t’u paraqitur në dëgjesë publike:

  • KESH ka aplikuar për prodhimin e energjisë tarifën 2.8 Lekë/kwh, me një rritje prej 93% (burime jo zyrtare)
  • OST ka aplikuar për transmetimin e energjisë tarifën 1.17 Lekë/kwh, me një rritje prej 80% (publikuar nga ERE)
  • OSHEE ka aplikuar për shpërndarjen e energjisë tarifën 4.95 Lekë/kwh, me një rritje prej 0.20%(publikuar nga ERE)

Me këto rritje, vetëm totali i tarifave do të arrinte në vlerën 8.92 Lekë/kwh!

Po ashtu, sipas këtij drafti, ERE duhet të miratojë edhe çmimet e shitjes së energjisë sipas nivelit të tensionit, në situatë normale dhe në pik, akoma më të larta se në periudhën e kaluar, sepse duhet shtuar tarifa e FSHU. Në këto rrethana krejtësisht të papranueshme, duke e konsideruar energjinë elekrike një produkt jetik dhe të pazëvendësueshëm për biznesin dhe rritjen e mëtejshme të çmimit të saj si artificiale dhe anti produktive për ekonominë e vendit, grupimi i Dhomave të Tregtisë dhe i Shoqatave të biznesit do t’i kërkonte ERE-s sa vijon:

  1. T’u kthejë mbrapsht dhe t’u kërkojë tre operatorëve aplikime të reja për tarifa jo më të larta se aktualet
  2. Të rishqyrtojë dhe rimiratojë tarifa që respektojnë kosto operative të minimalizuara dhe investime të domosdoshme, për garantimin e një furnizimi cilësor me energji elektrike, me tendencë uljen ndjeshëm të tyre. Me këtë synim, metodologjia e përcaktimit të tarifave dhe çmimeve të respektojë ligjin e kontabilitetit si dhe treguesit orientues përkatës të tregut rajonal të energjisë elektrike
  3. Të shqyrtojë dhe miratojë një tarifë të veçantë për FSHU (alternativa e grupimit biznesor, Aneksi E) duke i dhënë mundësi çdo konsumatori që këtej e tutje të llogarisë lehtësisht kostot e konsumit të energjisë elektrike
  4. Të shmangë plotësisht ndërsubvencionimin, duke mundësuar që çdo konsumator të paguajë vetëm kostot korresponduese të kategorisë që i përket
  5. Të detyrojë OSHEE që të lëshojë fatura transparente që japin informacion të detajuar mbi tarifat e secilit operator dhe çmimin. Kjo transparencë do t’i priste rrugën edhe çdo aplikimi apo vendimi për tarifa apo çmime të fryra dhe të padrejta

 

Në thelb, kërkesat tona synojnë që liberalizimi i tregut të energjisë t’i gjejë konsumatorët tanë me çmime më të ulta se aktualet, për të përballuar më lehtë fluktuacionet e mundshme të çmimeve të një tregu të hapur dhe të lirë. Kërkesat tona ndaj ERE përputhen edhe me shkresën nr.682 Prot., datë 31.01.2017 të MEI, e cila shprehet se “për të përmbyllur me sukses proçesin e reformimit të Sektorit Elektroenergjitik është e nevojshme kryerja nga ana e ERE-s e një analize të drejtë e të ardhurave të kërkuara dhe kostove reale të operimit për secilën prej shoqërive publike, KESH, OST dhe OSHEE, me qëllim miratimin e tarifave përkatëse për vitin 2017, të cilat duhet të jenë transparente dhe të sigurojnë zhvillimin normal të aktivitetit në përputhje me kriteret që përcakton ligji dhe objektivat për qëndrueshmërinë e sistemit dhe stabilitetin financiar të sektorit”.

Këto kërkesa do të bëhen publike në mediat e shkruara dhe ato elektronike, me shpresën se do të gjejnë jehonë nga të gjithë qytetarët si dhe nga forcat politike pro biznesit, kontribuesit më të madh të punësimit dhe mirëqënies në Shqipëri.

foto1- performanca financiare e KESH

 

 

foto2- performanca financiare KESH dhe OSHEE

 

 

foto3- cmimet aktuale

 

 

foto4- cmimet dhe tarifat alternative pas 1 prillit

 

 

lista e grupimeve te biznesit

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button