Bota

Shpërndarja e refugjatëve, shtetet e BE-së në panik për sistemin e kuotave

Refuzimi ka ardhur që përpara se Komisioni Europian ta prezatonte propozimin zyrtarisht. Anglia reagoi menjëherë, por nuk ishte e vetmja.

Mjaft shtete i zë paniku vetëm nga ideja se do të duhet të pranojnë më shumë refugjatë. Çekia është një prej atyre që ka ngritur zërin kundër sistemit të kuotave.

“Republika çeke dëshiron t’i ndihmojë refugjatët, por mbi bazën e vendimeve të qeverive sovrane e jo të mekanizmave të Bashkimit Europian. Unë mendoj se nuk ka asnjë kornizë ligjore brenda Bllokut, mbi të cilën të mbështetet implementimi i kuotave të detyrueshme për emigrantët”, thotë Bohuslav Sobotka, Kryeministër i Republikes Çeke.

Sipas dokumentit të prezantuar një ditë më parë nga Komisioni Europian, kuotat çeke mund të jenë 2.63 për qind apo rreth 520 persona. Nuk është se vendi ynë nuk i përballon dot 500 refugjatë, – u shpreh ministri i Brendshëm Milan Chovanec, – por ne duam të dimë dhe do të kërkojmë sqarime, sepse kjo nismë detyron Çekinë të pranojë më shumë të ardhur se vende të tjera, si Suedia.

Kundër këtij plani është shprehur edhe ish-presidenti çek, Vaclav Klaus, i cili e cilësoi si “një gabim tragjik” skemën e rishpërndarjes së refugjatëve brenda Bashkimit Europian.

Mekanizmi i kuotave rrëzon praktikisht sistemin e Dublinit, në bazë të të cilit një refugjat duhet të paraqesë kërkesën për azil në atë vend, ku ka shkelur për herë të parë tokën e BE-së dhe për shkak të pozicionit gjeografik në Mesdhe, këto shtete janë në radhë të parë Italia, Greqia dhe Malta. Me të drejtë ata e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, ndërsa mjaft anëtare veriore të Bllokut nuk shohin arsye për ndryshimin e rregullave ekzistuese.

Nën presionin e dyndjes së refugjatëve e duke mos gjetur një zgjidhje nga Brukseli, vendet ku përplaset vala e parë e klandestinëve ose veprojnë, si Italia, e cila i lejon qëllimisht kalimin në veri, ose kalojnë në ekstreme të tipit të Greqisë dhe Bullgarisë, ku azilkërkuesit trajtohen aq keq në kampet e strehimit, saqë organizatat humanitare rekomandojnë me forcë që refugjatët e kthyer nga vende të tjera europiane të mos qëndrojnë më atje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button