Kronika

Shpërthimet në Marinzë, dhjetëra banorë probleme nga gazi, Beqaj e Vasili inspektojnë situatën

Dhjetëra banorë po përballen me probleme të shumta shëndetësore pas shpërthimit të puseve të naftës në Marinzë. Për këtë arsye Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i shoqëruar nga Zëvendësministri Klodian Rjepaj dhe drejtues të tjerë të lartë të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, inspektoi mëngjesin e sotëm Qendrën Shëndetësore të fshatit Marinzë në rrethin e Fierit për të ndjekur nga afër situatën.

MSH-Marinze-02 Banorët janë ankuar se u kanë filluar problemet shëndetësore për shkak të çlirimit gazit. Disa madje prej tyre kanë shkuar në spital familjarisht, ndërsa i janë ankuar ministrit se shteti i ka lënë në harresë.

“Jemi të sëmurë nga gazi. Na keni lënë në harresë. Kemi shkuar familjarisht në spital”, kanë thënë banorët. Ndërkohë Ministri i Shëndetësisë konfirmoi se aktualisht në Spitalin e Fierit ndodhen 12 banorë të cilët po marrin mjekim. Beqaj u premtoi banorëve se do të merren masa të menjëhershme për furnizimin me ilaçe dhe se do të vendoset një ambulancë në dispozicion të tyre.

Për të rritur gatishmërinë dhe për të siguruar shërbim të vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor në kushtet e emergjencës për banorët e kësaj zone, Ministri Beqaj u shpreh se do të vihen në dispozicion dy njësi të lëvizshme të ndihmës mjekësore, në përbërje të të cilave do të jenë një mjek, një infermier dhe një punonjës social, të cilët do të vizitojnë banorët e kësaj zone në shtëpitë e tyre.

“Deri më tani, 12 banorë në spitalin e Fierit. Do të marrim masa për furnizimin me ilaçe. Do të vëmë një ambulancë në dispozicion të banorëve. Do të jemi në gatishmëri të plotë”, tha Beqaj.

Gjithashtu, Beqaj siguroi punonjësit e kësaj Qendre shëndetësore dhe banorët e Marinzës se Ministria e Shëndetësisë ka marrë gjithashtu masat për stacionimin e një autoambulance shtesë në këtë zonë deri në normalizimin e situatës. Nga dje, në qendrën shëndetësore të Marinzës ka oksimetër dhe bombol oksigjeni.

Ndërkohë, përsa i përket përmbushjes së nevojave të shtuara në këto kushte të emergjencës, kreu i shëndetësisë theksoi se janë marrë të gjitha masat për të siguruar furnizim shtesë me barna dhe materiale mjekësore për qendrën shëndetësore të këtij fshati.

Ekipi i kryesuar nga Ministri Beqaj vizitoi gjithashtu edhe Spitalin Rajonal të Fierit për të parë nga afër shkallën e gatishmërisë për pritjen e flukseve të mundshme në rritje të pacientëve.

VASILI: MINISTRI I ENERGJISË DUHET TË PËRGATISË PLANIN PËR TË ARDHMEN E ZONËS

Në Marinzë ka qenë sot edhe Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili ka inspektuar situatën pas shpërthimeve të dy puseve të naftës. Ai deklaroi se do të kërkohet kompensim i plotë për dëmet që u janë shkaktuar banorëve, ndërsa ka bërë përgjegjëse për situatën e rëndë kompaninë Bankers Petroleum.

“Do të kërkojmë kompensim të plotë për dëmet. Bankers ka përgjegjësi për situatën e rëndë në zonë. Banorët e Marinzës u përballën me katastrofën por nuk dinë si do dëmshpërblehen. Kompania Bankers është përgjegjëse për katastrofën. Të dëmshpërblehen banorët”, tha Vasili.

Ai theksoi se do të këmbëngulet për zbardhjen e së vërtetës ndërsa akuzoi Ministrinë e Energjisë se është vonuar në zbardhjen e situatës.

“Ministria e Energjisë e vonuar në zbardhjen e situatës. Do të këmbëngulim në zbardhjen e së vërtetës. Duhet transparencë e plotë. Ministri i Energjisë duhet të përgatisë planin për të ardhmen e zonës”, tha Vasili.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button