Opinion

Shqipëria e shqiptarët meritojnë shumë më tepër respekt

rama2906Edi Rama – Lejomëni në krye të kësaj fjale t’u uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, një muaj të lehtë të Ramazanit, që nis sot për ta. Një muaj i bekuar me bujari.

E di, jo për të gjithë mund të tingëllojë e përshtatshme që fjala ime për këtë rast kaq posaçërisht të lidhur me Europën e Bashkuar të nisë me urimin e Ramazanit.

Shqipëria nuk ka vuajtur pak prej të vështruarit e të treguarit të saj, rëndom, si vend mysliman, në ekranet e gazetat e anës perëndimore të kontinentit tonë. Pa llogaritur këtu, europianët antieuropianë, të cilët prej vitesh tanimë i kanë kthyer myslimanët në gogol, për të ushqyer frikën në barkun e zgjedhësve të tyre të çoroditur.

Por, nga ana tjetër, vetë Shqipëria nuk ka ditur dot, për vite të tëra, t’i tregojë asaj ane të kontinentit se ky i yni nuk është një vend mysliman, por një vend europian. Një vend europian ku jetojnë në paqe myslimane e të krishterë, të cilët e shohin prej kohësh Europën si destinacionin e tyre dhe e besojnë ende, fuqimisht, atë, si identitetin e tyre.

E jo vetëm Shqipëria, por shqiptarët, që janë më shumë se sa ç’përmbledh Shqipëria, krejt pavarësisht fesë së tyre me shumicë myslimane, kanë qenë dhe mbeten besimtarët më të bindur të Europës në Ballkan. Ashtu sikundër kemi qenë dhe jemi thuajse të tërë, si shqiptarë, aleatë strategjikë dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europain në këtë rajon, ku Shqipëria s’ka pushuar së qeni as një çast, një faktor paqeje dhe stabiliteti.

Në erën e re që ka filluar të fryjë në Ballkanin e sotëm, shqiptarët kanë një rol historik, të pamohueshëm. Dhe nëse sot, 100 vjet nga shpërthimi këtu, në rajonin tonë, të Luftës së Parë Botërore, si dhe pas 100 vitesh luftëra, dasira dhe pabesira, me konflikte të tmerrshme në mes të Europës, ky është viti i parë pa asnjë konflikt në Ballkan. Kjo u detyrohet pa asnjë dyshim, në një masë të konsiderueshme, pikërisht shqiptarëve.

Mjaft të kthesh kokën pas, në historinë e jashtëzakonshme të këtyre viteve, pas rënies së komunizmit në Ballkan, për të konstatuar lehtësisht se me çfarë durimi dinjitoz, shqiptarët e ndarë mes shumë kufijsh e të ngërthyer mes plot padrejtësish kanë rrezatuar vazhdimisht, në çdo territor ku ndodhen, forcën e arsyes europiane dhe jo arsyen e forcës ballkanike.

Por, edhe pa e kthyer kokën pas, mjafton të shohësh sot, e pasi kanë bërë marrëveshje të mëdha në emër të paqes e të së ardhmes europiane të popujve të Ballkanit, shqiptarët mbeten garant të mëdhenj të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Megjithëse, fjala vjen, as Marrëveshja e Ohrit dhe as marrëveshja e prillit të vjetshëm me Serbinë nuk respektohen nga palët e tjera, me të njëjtin respekt që trajtohen nga shqiptarët.

Është bërë thuajse si ato reflekset e kushtëzuara të qenit të Pavllovit nëpër Europë, që Shqipëria dhe shqiptarët, por edhe Kosova pasi u bë shtet më vete, të asociohen me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. Çka ka marrë përmasat e një legjende urbane europiane, në dëm të emrit tonë. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se krimi dhe korrupsioni janë probleme të rënda për ne, si për çdo vend me zhvillim të vonuar, ku shteti është larg së qeni garanti i funksionimit shoqëror dhe drejtësia është larg së qeni drejtësi, por zhbërja e atij refleksi të kushtëzuar që lidh emrin e Shqipërisë, të Kosovës, të shqiptarit si etni, me këto sëmundje turpëruese për një shoqëri dhe një vend, a thua se kjo tokë është vendlindja e krimit dhe korrupsionit global, duhet të jetë prioriteti i gjithkujt ndër ne. Prioritet jo vetëm i qeverisë, parlamentit, politikës, por i mbarë shoqërisë. Dhe jo vetëm duke e luftuar krimin dhe korrupsionin me një vendosmëri të hekurt, por gjithashtu, duke argumentuar me forcë dhe me dinjitet, në çdo ballafaqim me këtë psikologji e sjellje të vjetër ndaj shqiptarëve, se Shqipëria e shqiptarët meritojnë shumë më tepër respekt.

Nuk po përpiqem kurrsesi t’i ngre shqiptarët në një piedestal virtytesh dhe cilësish të panjohura dhe të pashoqe. Aspak.

Po mundohem vetëm të them se çfarë aseti i vyer politik janë për Europën e Bashkuar dhe për perspektivën europiane të paqes dhe të integrimit të Ballkanit, Shqipëria dhe shqiptarët, kudo në këtë rajon.

Dhe po, pse jo, po them edhe që kujtdo në Europë që ngutet, por edhe pa u ngutur nuk lë rast pa i lidhur Shqipërinë dhe shqiptarët me çka për europianët e bashkuar është e vështirë të gëlltitet, ne s’kemi pse mos t’ia kujtojmë të vërtetën e plotë, ashtu siç është. Kjo është e vërteta se përpos akuzave dhe kritikave për problemet që ka realisht, ky vend dhe ky popull meriton të respektohet shumë më tepër se ç’është respektuar deri më sot, pikërisht për atë që i ka dhënë Europës, 20 vjet rresht, përmes kontributit të paçmueshëm për paqen në Ballkan, në radhë të parë. Ashtu sikundër, pa dyshim, i gjithë Ballkani meriton sot të shihet me sy të zhveshur nga paragjykimet dhe cinizmi i së shkuarës. Sepse, tek e fundit, në mbarë rruzullin e botës së sotme, kjo fuçia jonë shekullore e barutit, Ballkani, ka prodhuar të vetmen histori suksesi, të kalimit nga lufta gjithëpërfshirëse etnike, fetare, ideologjike, në paqen e plotë mes të gjithëve, brenda harkut të dy dekadave.

Ku? Në cilën copë tjetër të globit ka ndodhur kund tjetër, në të paktën këta 20 vjet, që nga varrezat masive dhe bombat të mbërrihet tek paqja. Jo mes gjeneratave të treta dhe të katërta pas luftës, por mes protagonistëve dhe dëshmitarëve të drejtpërdrejtë të një historie tragjike.

Në një botë kaq të ndezur nga luftërat dhe konfliktet e pandalshme, a nuk është kjo e ballkanasve, të përçmuar për kaq shumë shekuj si fqinjë vrasës, një mrekulli e paimagjinueshme vetëm pak kohë më parë. Një mrekulli, e cila flet për përkatësinë tonë të fortë ndaj Europës, pavarësisht etnive, feve, kufijve. A nuk është një mrekulli kjo paqe, që këtë fillimviti uli në një tryezë në Londër, të gjithë liderët e rajonit, jo për të ndarë kufijtë, urat, kishat e xhamitë, por për të folur për rrugët e reja që duhet të lidhin Ballkanin mes veti dhe me Europën, për sigurinë energjetike të rajonit dhe për rolin e Ballkanit në sigurinë energjetike të Europës së Bashkuar, për përballimin e degradimit mjedisor të këtij rajoni, plot potenciale dhe me radhë, e me radhë.

E pra, kjo është një histori europiane suksesi, të cilën Europa e Bashkuar duhet ta shohë medoemos, tanimë, jo si fundin e angazhimit të saj për paqen në rajon, por si fillimin e një historie të re në marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit, që paqja e shumëkërkuar dhe e paimagjinueshme deri dje të mos tretet në lumenjtë e varfërisë, papunësisë e të injorancës që fatkeqësisht janë rritur prej vitesh në këtë rajon të sakatuar, të izoluar e të paragjykuar në mes të Europës së Bashkuar, nuk mund të mjaftojë dot, çfarë do të bëjë çdonjëri nga vendet e Ballkanit për të arritur BE-në, por është e domosdoshme edhe ajo që BE-ja mund të bëjë e duhet të bëjë për rimëkëmbjen e Ballkanit.

Askush, por në radhë të parë BE-ja nuk duhet të harrojë se kjo paqe, e pritur 100 vjet, të cilën Papa Françesku vjen ta çmojë nga lartësia e misionit të vet, pikërisht këtu, në Shqipërinë e sfilitjeve të gjata sa 100 vjet, nuk erdhi nga një proces magjik, engjëllorizimi i popujve apo më pak akoma, i udhëheqësve të Ballkanit. Këtë paqe e solli aspirata evropiane, që i thithi të gjitha vendet tona në rrugën e Europës së Bashkuar. E nëse Bashkimi Europian nuk do të shohë sot drejt Ballkanit si drejt një pjesë të Europës, e cila ka nevojë për BE-në po aq sa BE-ja ka nevojë për të, e nesërmja mund të na rezervojë një rikthim fatal të së shkuarës, pa paqe dhe me pasoja që nuk mund as t’i imagjinojmë dot sot.

Cilido që beson se pikëpyetja e përjetshme e luftës dhe paqes në Europë nuk ekziston më, rrezikon të jetë thellësisht i gabuar, thotë njeriu që mbase do të jetë Presidenti i ardhshëm i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Po aq i gabuar rrezikon të jetë dhe kushdo që kujton se pikëpyetja e përjetshme e luftës dhe paqes në Ballkan nuk ekziston më.

Unë e kam përjetuar me një ndjenjë të thellë pozitive, takimin me Kancelarin Merkel dhe kam krijuar një besim shumë të madh se Kancelarja do të përpiqet drejt një qasjeje të re jo thjesht të Gjermanisë, por të krejt Europës së Bashkuar, ndaj Europës së mbetur ende jashtë BE-së, këtu në Ballkan. Dialogu shumë i hapur që ajo ka nisur me ne dhe mbledhja e posaçme e fund gushtit në Berlin, ku bashkë me kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë së Ballkanit do të jenë të pranishëm edhe Presidenti i Këshillit Europian, Presidenti i Komisionit Europian, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, si dhe Komisioneri për Zgjerimin, përbëjnë besoj arsye të forta, për të qenë optimistë për hapjen e një rruge të re ndryshimi të domosdoshëm në marrëdhëniet mes BE-së dhe rajonit.

Dua të jem shumë i qartë. Nuk kam dhe s’mund të kemi dot ne, asnjë iluzion se ekzigjenca historike për një nivel të ri marrëdhëniesh mes BE-së dhe Ballkanit, për të mirën reciproke të Ballkanit dhe të BE-së, mund të jetësohet përmes indulgjencave të BE-së ndaj vendit tonë apo vendeve tona të marra veç e veç. Do të ishte jo vetëm e kotë, por dhe shumë e dëmshme për këto marrëdhënie, që ne të pretendonim indulgjenca në procesin e kryerjes së detyrave individuale ndaj anëtarësimit. Askush nuk do të na merrte dot seriozisht dhe besoj me plotë të drejtë, sepse askujt në Bashkimin Europian nuk do t’i kërkohet të mbyllë të dy sytë apo qoftë edhe vetëm njërin, përpara boshllëqeve në funksionimin e shteteve tona. Procesi i integrimit duhet të përmbushë me patjetër, pikërisht këto boshllëqe, për të siguruar funksionimin e shtetit sipas standardeve europiane. Dhe si i tillë, ky proces është një instrument unikal modernizimi dhe përparimi.

Kështu që ta harrojmë çdo iluzion se në këtë proces do të na falë kush, ndonjë gjë. Do ta kemi mendjen të ndarë top që kemi përpara një të përpjetë të lartë ku askush nuk do të na hedhë ndonjë litar, për të na tërhequr në majë. Kjo s’mund të ndryshojë dhe nuk është as në interesin tonë që të ndryshojë. Se do të ishte njësoj si t’i kërkonim BE-së të sillej me ne si një nga Universitetet tona private dhe të na jepte një diplomë fiktive, apo madje edhe një master shkencor, duke na përfshirë brenda vetes, siç thonë se i përfshin tregu personat të cilët nuk meritojnë as maturën shtetërore.

Por ndryshimi i natyrës dhe i nivelit të marrëdhënieve mes BE-së dhe rajonit është çka na duhet. Na duhet me patjetër dhe do të jetë tani e tutje, një ndër pikat kryesore të axhendës tonë diplomatike. Ashtu sikundër, intensifikimi i marrëdhënieve me vetë rajonin dhe rritja e rolit të Shqipërisë në rajon do të jenë pjesë kryesore e aktivitetit të diplomacisë sonë, ku, natyrisht, boshti strategjik do të mbetet pa dyshim, përparimi i vazhdueshëm në marrëdhëniet e gjithanshme me Kosovën.

Ne besojmë që krijimi i një vetëdijeje të plotë në Bashkimin Europian, lidhur me faktin se detyrat individuale të shtëpisë për çdo vend ballkanik që synon integrimin e plotë në BE janë vetëm njëra anë e medaljes e bashkimit të pjesës sonë të Europës me Europën e Bashkuar. Përbën një domosdoshmëri jetike jo thjesht për fatin e integrimit, por për fatin e paqes në Ballkan, pikërisht krijimi i kësaj vetëdijeje. Konsolidimi pa kthim i kësaj paqeje të shumëpritur është një medalje me dy anë, ku vetëm njëra nga anët ka të bëjë me çfarë do të bëjë çdo vend për veten e vet në rrugën e integrimit. Ndërsa ana tjetër e medaljes lidhet me çfarë do bëjë vetë Bashkimi Europian, për ta mbështetur Ballkanin si një i tërë.

Por, këtu lejomëni të qëndroj së fundmi, tek ana jonë e medaljes. Aty ku jemi ne dhe askush tjetër, përgjegjës për fatin tonë. Kemi humbur shumë kohë. Kemi shtyrë vite e vite, shumë beteja që duhet t’i kishim mbyllur vite më parë. Kemi mbajtur shumë rraqe të vjetra mbi kurriz, për vite të tëra, në formën e pafuqisë për t’u ndarë me të shkuarën, për të jetuar me kohën dhe me nevojat e saj, për të çelur kapituj pas kapitujsh, shumë më shpejt, rrugën e sigurisë, të inovacionit dhe të progresit të vazhdueshëm për Shqipërinë. Dhe kështu kemi lënë edhe shumë boshllëk mes Europës, rajonit dhe vetes.

Statusi i kandidatit për Shqipërinë vjen si një shtysë e fortë, për të ecur më shpejt drejt rilindjes që na duhet për ta bërë këtë vend një shtet europian, të denjë për Europën e Bashkuar. Nuk dua të përsëris sot falënderimet e me gjithëzemërta që kam bërë për të gjithë ata, të cilët kontribuuan për mbërritjen në këtë stacion të historisë sonë të përbashkët. Qofshin shqiptarë si ne, qofshin miq dhe partnerë të Shqipërisë, këtu në Shqipëri apo në kancelaritë europiane.

Por pa zgjedhjet e lira të 23 qershorit, pa drejtimin e ri dhe si asnjëherë, me sensin kushtetues të të qëndruarit mbi palët, nga Kryetari ynë i Kuvendit, pa nëntë muajt e punës intensive të qeverisjes sonë të re, rezultatet e duartrokitura botërisht si mbresëlënëse dhe dinamikën krejt të re të politikës sonë të jashtme, Shqipëria nuk do e kishte marrë dot kurrë, këtë javë, statusin e refuzuar disa herë rresht. Por s’ka dyshim se rruga, përpjekjet dhe rezultatet, për të mbërritur në këtë stacion kaq të rëndësishëm për vendin dhe për popullin tonë, nuk përmblidhen kurrsesi në këta nëntë muaj.

Prandaj dhe sot, këtu, nuk jemi vetëm ne, përfaqësuesit e shumicës së re qeverisëse, e cila falë këtij organizimi gjithëpërfshirës ka edhe një arsye më shumë, nga sot, për t’u krenuar, që quhet “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Pavarësisht se jo të gjithë iu përgjigjen kësaj ftese, unë jam krenar, sepse këtu, sonte mbaron përgjithmonë, epoka e pushtetit të fodullëkut provincial, që privatizonte përmes festash vulgare, qeveritare dhe koncertesh partiake, stacionet e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit euroatlantik. Jo vetëm ne, por askush pas nesh, kur të vijë dita e ndërrimit të qeverive, nuk do të kthehet dot më mbrapsht, nga kjo rrugë e re europiane dhe qytetare që ne hapëm sot, për të kremtuar momente përbashkuese të kësaj natyre.

Në mbyllje dua të ndaj me ju, një përjetim shumë personal për këta nëntë muaj, të kurorëzuar me marrjen e statusit. Ndjesia e fillimit fare se statusi do të ishte një punë e kryer ia la vendin vetëdijes se dhjetori ishte shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur, pastaj bindjes se qershori ishte i mundur, po shumë i vështirë dhe aspak i sigurt deri në minutën e fundit. Dhe e gjitha kjo ndodhi në një proces, ku ne dhamë gjithçka mundëm, po ku edhe mësuam dhe jo pak. Besoj se të gjithë ne që morën drejtpërdrejt pjesë, në vijë të parë, në përpjekjen për ta realizuar këtë objektiv. Çka unë vetë mësova ndër të tjera, është se me ide të reja, kurajo dhe këmbëngulje ne mund t’ia dalim diçkaje që deri dje, sinqerisht, mua vetë më është dukur e pamundur. Ne mund ta bëjmë Shqipërinë e bukur që na ka falur Zoti, një vend që bën gjëra tërheqëse, që flet mirë, që qesh njerëzisht, me të cilin Europa mund të bjerë në sevda. Si thoshte Walter Whitman-i: “Ne mund ta bëjmë më në fund, gjënë që është”. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button