Ekonomia

Shqipëria, investitore në rigjallërimin e Tec-it “Kosova A”

Në prag të mbledhjes së përbashkët që do të mbahet në Prishtinë këtë të premte, qevera e Kosovës ka zbuluar se Shqipëria do të bashkëfinancojë rigjallërimin e termocentralit “Kosova A”.

Ndërtimi i termocentralit të ri me kapacitet prej 450 megavatësh, rivitalizimi i termocentralit “Kosova B” dhe zgjatja e jetës së termocentralit “Kosova A” për 15 vjet të tjerë, janë prioritetet e Strategjisë së Energjisë, që pritet të miratohet gjatë këtij viti në Kuvendin e Kosovës.

Strategjia është shtyrë për shumë kohë dhe detajet e saj janë bërë publike vetëm në konferencën e organizuar nga Korporata Energjetike e Kosovës me temën: “Qëndrueshmëria e industrisë së prodhimit të energjisë në Kosovë – Sfidat dhe mundësitë”.

Vizionin fillimisht u përmend nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, i cili u lidh me video konferencë nëpërmjet “Skype” nga Koreja e Jugut.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik thotë se është rënë dakord me qeverinë e Shqipërisë që të shikohen mundësitë e bashkëfinancimit në mes të dy ministrive, përkatësisht në mes të dy operatorëve të energjisë në dy shtetet të zgjatjes së jetës së termocentralit “Kosova A”.

Kolapsi i projektuar energjetik

Edhe pse qytetarët e Kosovës kanë fatin të jetojnë në njërin prej vendeve me rezervat më të mëdha të linjitit në botë, me rreth 12. 5 miliardë tonë, prej të cilave 10.9 të shfrytëzueshme, ata që prej 12 vitesh nuk kanë pasur rastin asnjëherë të kenë një furnizim të rregullt e të qëndrueshëm me energji. Por kjo paqëndrueshmëri me furnizim të rregullt me energji ka mundësi t’i shoqërojë qytetarët e Kosovës të paktën deri në vitin 2020.

Kosova, si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit për Energji, ligjërisht është e detyruar që ta mbyllë TEC Kosova A deri në vitin 2017, duke humbur kështu rreth 1740 GW/h energji.

“Preportr” ka përgatitur një analizë sipas së cilës pritet një ndërhyrje e gjerë në TC Kosova B në vitin 2018, për t’i plotësuar kërkesat ambientale dhe për ta përmirësuar efikasitetin e operimit dhe sigurisë. Kështu, vetëm nga mbyllja e TC Kosova A, si dhe nga ndërhyrja në të paktën të një blloku në TC Kosova B, vendi do të përballet me një mungesë bazë prej të paktën 3375. 5 GW/h energji elektrike.

Ajo citon edhe një studim të Bankës Botërore: “Zhvillimi dhe vlerësimi i opsioneve për furnizim me energji elektrike në Kosovë”, duke shqyrtuar parashikimin preliminar të kërkesës në rastin bazë, llogaritet që kërkesa bazë për energji nga viti 2010 deri në vitin 2015 do të rritet për diku 1843 GW/h energji. Përderisa, KEK-u ka deklaruar për “Preportr” se rritja e konsumit të energjisë deri në vitin 2017 do të jetë rreth 640 GW/h.

Por, studimi i BB-së parasheh që në vitin 2017, Kosovës do t’i duhen diku mbi 7500 GW/h energji bazë për t’i përmbushur nevojat vendore, kërkesë e cila sipas këtij studimit në vitin 2020 pritet të rritet në 8819 GW/h, përderisa në vitin 2025 parashihet të rritet deri në 11,588 GW/h energji. Gjatë viti 2011, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prodhimi bruto i energjisë elektrike në TC në GW/h, ka qenë 5.621.0.

Studimi i BB-së, i cili bazohet në analizimin e bilancit mes furnizimit dhe kërkesës, tregon se deri në vitin 2017, Kosova ka nevojë për rreth 950 MW të kapaciteteve të reja dhe të qëndrueshme. Kjo nevojë rritet në rreth 1000 MW deri në vitin 2019, dhe në rreth 1500MW deri në vitin 2025.

Madje, ky parashikim i rritjes së kërkesës bazë për energji mund të quhet optimist, sepse mbështet shpresat në zvogëlimin e humbjet teknike nga 16.6% në viti 2010, në 8 % në vitin 2025. Përderisa, humbjet komerciale konsiderohen se do të zvogëlohen nga viti 2013 deri në viti 2018 në 5% nga 24 % sa konsiderohen të jenë tash. Në të kundërtën, kërkesa bazë për energji mund të jetë edhe më e lartë, varësisht nga zvogëlimi i humbjeve teknike dhe komerciale.

Këto parashikime mbi zvogëlimin e humbjeve teknike dhe komerciale të BB-së realisht janë më të mëdha se sa kushtet për zvogëlimin e këtyre humbjeve që Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe Minierave (ZRRE) i ka vendosur. Sipas kushteve të ZRRE-së, humbjet teknike dhe komerciale që duhet të zvogëlohen janë deri në 6 % deri në vitin 2014 dhe plus 5 % për tri vitet e ardhshme pas viti 2014.

Në të kundërtën, në rast se humbjet teknike dhe komerciale nuk do të mund të arrihen as sipas parashikimeve të BB-së, e as sipas kushteve të ZRRE-së, kërkesa bazë për energji mund të jetë edhe më e lartë se as ajo e parashikuar nga BB-ja, varësisht nga përqindja e zvogëlimit të këtyre humbjeve.

Në një trekëndësh të mundësive, për të vendosur rreth alternativave të zgjidhjes së problemit të furnizimit me energji, vendi rrezikon të shkojë, të paktën deri në vitin 2020, drejtë zgjedhjes më të rëndë, shpenzimin e shumave shumë të mëdha të parave në blerjen e energjisë.

Në një anë, mbyllja e TC Kosova A dhe futja në riparim e TC Kosova B, të shoqëruara edhe me rritjen e kërkesës për energji, rrjedhimisht do të përcillen me sasi të larta të importit. Sipas informatave të ofruara nga zyrtarët e KEK-ut gjatë një takimi me ZRRE-në, parashihet që vetëm gjatë viteve 2013-2017, Kosova të shpenzojë diku mes 351 milionë euro në blerjen e energjisë për t’i plotësuar nevojat e brendshme.

Një shumë përafërsisht e njëjtë e shpenzimeve, diku prej 300-400 milionë euro, sipas zëdhënësit të KEK-ut, pritet t’i kushtojë Kosovës blerja e energjisë, po që së TC Kosova A pushon së funksionuari në vitin 2017.

Kosova ka importuar energjinë me një çmim që ka lëvizur nga 30 deri në 113 euro për 1 MWh energji. Nëse merret që çmimi mesatar i importit të energjisë ka kushtuar diku rreth 60 euro për 1 MWh energji, atëherë vetëm nga mbyllja e TC Kosova A si dhe rritja e konsumit, që sipas KEK-ut deri në vitin 2017 rritja do të jetë 640 GW/h, e që bashkërisht përkthehen me një mungesë prej 2380 GW/h, Kosovës do t’i kushtoj diku mbi 140 milionë importi i energjisë. Por, po që se në vitin 2018, TC Kosova B futet në riparim, ashtu siç janë planifikimet, atëherë Kosovës do t’i mungojnë diku 4014.5 GW/h, e që përkthyer në shifra i bie që vendit do t’i duhet të importoj energji në vit diku mbi 240 milionë euro për t’i përmbushur nevojat e brendshme.

Në këtë kalkulim nuk merret parasysh edhe rritja vjetore e kërkesës për energji, e cila sipas KEK-ut sillet 4 %, përderisa rritja bruto e kërkesës për energji nga viti 2010 deri në vitin 2025, sipas BB-së në vit do të sillet rreth 4.6 %, gjë që do ta shtonte nevojën për energji dhe kështu koston e përgjithshme të importit të saj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button