Kryeartikull

Shqipëria, Samiti i Poznanit dhe qesja e BE-së?!

Ben Andoni

Ka një perceptim të ndryshëm në mes të zyrtarëve, publikut, biznesit dhe shoqërisë civile, sa i përket ecurisë së Procesit të Berlinit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Takimi i radhës në Poznan është i gjashti që vjen pas mbajtjes në disa qytete të vendeve kryesore të BE-së, ku delegacionet e larta ballkanike do të paraqesin ecuritë e Procesit në vendet respektive. Për fat të keq, fryma pozitive që u ngrit në takimin e parë në Berlin dhe përfshirjen e fortë të Gjermanisë në procesin e iniciuar nuk është se i është përgjigjur si duhet entuziazmit dhe reagimit të vendeve pjesëmarrëse dhe bashkëpunimit të tyre në praktikë.

Gjashtë vende anëtare të BE-së: Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia e Sllovenia janë anëtarë të përhershme të Procesit të Berlinit, kurse Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia po mundohen ta mbajnë gjallë Procesin e zbehur disi tashmë.

Kjo mund të kuptohet në një areal më të gjerë të situatave, ku pas krizës ekonomike dhe financiare globale të 2008-ës, krizat më të vogla prekën fusha të ndryshme në Spanjë, Portugali, Qipro, Irlandë, në Itali e sidomos në Greqinë fqinje. Sikur të mos mjaftonin këto, Evropa u përball me erën e luftës, që solli agresioni rus në Ukrainë dhe dyndja e pamatë e emigrantëve prej disa drejtimeve. Kur erdhi koha e Brexit-it, pak muaj më parë, Evropa dukej gati e dorëzuar para frymës Euroskeptike që pushtoi të gjithë BE-në, bashkë me urrejtjen e ekstremeve të Majta dhe të Djathta dhe sidomos mosbesimit qytetar, që kulmoi me protesta të ashpra ngado.

Në rajonin tonë, vendet anëtare të procesit të Berlinit duket se kanë bërë hapa pas në marrëdhënien e tyre. Nga ana tjetër, sot, Opozitat në Malin e Zi, Shqipëri dhe Serbi po ushtrojnë protesta të përjavshme dhe të unifikuara me gjendje që tregojnë se ka vija demarkacioni shumë të mëdha të mendimit opozitar me pushtetin. Kurse përjashtimi i Ballkanit Perëndimor nga Samiti i Sibiut në Rumani, që mbahet në Majin e këtij viti, tregon se Evropa punon me dy regjistra, ndaj edhe zhgënjimi i vendeve tona është bërë gjithnjë e më i mprehtë dhe më i hapur.

Në takimin e Poznanit, njërit prej qyteteve më të mëdhenj të Polonisë, e theksojmë këtë fakt (shkallëzimi i peshës së simbolikës së qyteteve i përgjigjet disi dhe gjendjes së Ballkanit Perëndimor), duket se peshën më të madhe do i delegojë për temat që lidhen me Shoqërinë Civile, Rininë për të kulmuar pastaj me biznesin dhe problemet politike, ku ministrat dhe kryeministrat respektivë të Ballkanit Perëndimor do të shtrojnë të gjithë problematikën e tyre.

Samiti i Poznanit ka të ngjarë të vuajë apo të korrë sukses falë rezultatit që do të sjellin zgjedhjet në Parlamentin Evropian ( askush deri më sot nuk është i zoti të nxjerrë një rezultat paraprak të strukturës së saj përbërëse), ashtu si sot që po shkruajmë nuk parashikohet dot nëse Brukseli do të hapë apo jo negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, apo do të liberalizohen vizat me Kosovën apo jo! Ndonëse Samiti u themelua me shumë gazmim si një iniciativë ndërqeveritare për të nxitur integrim më të madh praktik midis vendeve tona të rajonit, ajo tashmë është stopuar jo pak për shkak të shumë mosmarrëveshjeve (Kosovë- Serbi është më e madhja syresh), por edhe pamundësisë së administratave për të përgatitur projekte dhe për t’iu përgjigjur frymës.

Samiti i Poznanit, paçka frymës optimiste që po mundohet të ngjallë vetë Polonia, e cila po e mban mbi shpatulla këtë iniciativë, nuk është se i përgjigjet realitetit. Jo vetëm Bashkimi Evropian, por edhe vendet kryesore që i përgjigjen kësaj iniciative kanë shumë paqartësi. E para nga fryma populiste, e cila po ngërthen Evropën (Vendet e Procesit), por edhe nga gjendja demokratike e disa prej vendeve ballkanike që janë pjesë e këtij procesi. Dhe, nuk mbaron këtu. Qysh prej Berlinit, fanfarat e arritjeve dëgjohen gjithnjë e më pak, sepse nga samiti në samit zëri evropian është sfumuar jashtëzakonisht. Brexit dhe Ukraina e kanë ulur vëmendjen, që në rastin e samitit të Polonisë lidhet me arritjet dhe premtimet e samiteve të shkuara.

Në kohët e para të ekzistencës së procesit, Bashkimi Evropian ishte disi i çliruar dhe me pritmëri krejt të tjera, që ekuilibronte disi edhe shikimet e kundërta midis disa shteteve anëtare sa i përket politikës së zgjerimit. Asokohe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç u treguan dhe u përshfaqën si promotorë të zhvillimit dhe falë një momenti të mirë mes tyre kjo u përcoll dhe tek liderat e tjerë të rajonit. Filluan të materializohen fusha të interesave të përbashkëta, që kulmuan me ininciativën rinore: krijimi i RYCO (Regional Youth Cooperation Office), miratimi i një liste të projekteve investuese në transport dhe energji etj. Më tej akoma, lidhur me plotësimin e angazhimeve Shqipëria dhe Mali i Zi patën përafrim 100% me kërkesat evropiane,  Maqedonia Veriore me 85.19%, pastaj Bosnja dhe Hercegovina me 66.67% dhe së fundmi ishte Serbia, që për shkak të aspektit politik u përshtat me vetëm 51.85% të kërkesave të Brukselit.

Në terma më konkretë, sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Procesi i Berlinit e ka lehtësuar disi punën e Komisionit të BE-së në mënyrë që të ofrojë asistencë dhe mbështetje të shtuar për vendet e rajonit. Për fat, Shqipëria përfitoi në Samitin e Parisit, projektin për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas. Shqipëria përveç këtij projekti ka fituar edhe atë të interkonjeksionit elektrik me Maqedoninë e Veriut, projekte që gjithsesi nuk e kanë dhënë impaktin e tyre, pasi ende nuk kanë nisur.

A ka shumë Shqipëria për të treguar në Poloni? Në rast të një lajmi negativ, sa i përket procesit evropian, do të jetë një pjesëmarrje sa për të respektuar procesin dhe dhënie llogari për projektet; kurse sa i përket Polonisë, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të marrin asistencën e saj kryesisht dhe pastaj të vendeve të Vishegradit për mënyrën sesi ato kanë zgjidhur pajtimin, por edhe mund të mësojnë nga burokracitë demokratike të këtyre vendeve që kanë arritur të përshtaten mrekullisht dhe në kohë rekord me Brukselin duke i përballur realitetet e problemeve të vendeve të tyre. Atë, që vendet tona e presin vetëm nga hapja e qeses gjithnjë e më të vogël të BE-së. (Gazeta Shqiptare)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button