Opinion

Si bëhesh “udhëheqës” ?

Për një pyetje të dikurshme dhe dëshirë që nuk e kam më

Nga SHEFQET MEKO

Unë kam dashur të jem “udhëheqës”. Po, po. Qysh kur isha fëmijë, kam ëndërruar. Momenti më i hershëm i kësaj “cimbidhjeje” të brendshme ka qenë kur isha nxënës në fillore. Kujtoj se një djalë nga fshati ynë, që e quanin Esat Mulla, na mblidhte te një lëmë afër shtëpisë së Xha Alimit, pranë shkollës dhe na bënte të këndonim kinezçe. Ne ndiqnim urdhrat e tij dhe vallëzonim si të marrë duke kënduar këngë që nuk i dinim, por si majmunë imitonim  alla-kinezçe… (Sapo ishte shfaqur një film kinez në fshat). “Po ky si na komandon kështu? Çfarë ka të veçantë?” – pyesja veten ndërsa isha mes turmës. Ai ishte diku në një rrëpirë. Na jepte “komandë”: Këndoni! Kërceni… Ne si fëmijë marroseshim nga fjala e tij dhe bënim të pamundurën që të ishim më të bindurit…

Në fshat zakonisht nuk bëhej i pari “më i zoti”, por më i marri. Unë u përpoqa të thyeja këtë sëmundje. Mësuesi im i asaj moshe, Edip Mulla, që kishte fëmijë të mrekullueshëm dhe një mësuese të bukur për grua, u bë model. Ai shkruante parulla. Vishej bukur. Ndërtoi muzeun e fshatit… Një ditë unë mora një vendim të prerë. “Do t’ia kaloj mësuesit tim të mirë… Do t’ia kaloj…” As që e kisha idenë se si dhe qysh, por si nxënës i shkëlqyer që isha, vendosa të bëhesha komandant i çetës së pionierëve. Ia arrita mrekullisht. A e përfytyroni? Vetja m’u duk i rëndësishëm. Po mbaja shënime në një bllok si babai im që “konspektonte klasikët”. Unë vendosja aty fotografi të shokut Enver… Pastaj sajoja ca thënie të mia dhe shënoja në fund: Shefqet Meko, si citatet e udhëheqësit… Isha futur në lojë që të bëhesha edhe unë “udhëheqës”. Të jem i sinqertë, nuk besoja se do të bëhesha “i madh fare”, por diku afër…

Në klasën e shtatë u bëmë “organizata e rinisë e shkollës”. A e dini kush e fitoi titullin “udhëheqës”? Unë. U bëra sekretar rinie. Morëm teserat e rinisë dhe u betuam. Sa mirë jam ndjerë ato kohë… Më thërrisnin nëpër mbledhje, diskutoja. Kujtoja se përcillja zërin e shokëve të mi, as që e dija se nuk dëgjonte kush. Mbaj mend se në qendrën e kooperativës Blacë ishte komiteti i rinisë. Më thërrisnin edhe mua. Shkoja më këmbë çdo muaj. Nga fshati im shembulli që ma ka nxitur ka qenë Zija Muçelli, njeriu më interesant i “karrierës në sistem” që mbeti i tillë edhe sot. Ai është personazhi real i filmit me skenar të Rruzhdi Pulahës “Rrethim i vogël”… Ju nuk e besoni dot, por ish-sekretaren e rinisë së kooperativës në Blacë e kam takuar krejt rastësisht në Çikago dhe, si i gallatës që jam, i thashë: “Se jeni shoqja Nazime?…”. Ajo thartoi fytyrën si spec djegës, ndërsa unë qesha… Kishte ndryshuar edhe emrin. Unë aq mbaj mend “shoqja Nazime”… Ajo ishte “hierarkia” e parë e udhëheqjes së kohës që, habitshëm, kujtonte se ishte amerikanizuar… (!!!)

Sot janë treguar shumë gjëra për komunistët e djeshëm. I tregohet brezit të sotëm se ata “të gjithë ishin idiotë”. Siç na rrëfyen filmat tanë për ballistët. Unë e kam të vështirë sot të besoj se “ballistët ishin burra të mirë”. Madje kur mësova se njëfarë Agron Shehu qenka nga “soj ballistësh”, m’u neverit… Kam pasur ballist një kushëri në fshat. Kur doli nga burgu, e bënë marangoz në fshat… Ai një herë më ka ndjekur si bishë, sepse isha zënë me të birin që mezi mbaroi shkollën 8-vjeçare. Të jem i sinqertë, nuk besoj se ka ballistë “burra të mirë”. Për ish-komunistët? Kam shembuj sa të duash…

Të jesh udhëheqës, siç e nisa, nuk është e lehtë… Duhet të “kapërcesh” kodra dhe male. Në kohën tonë ishte një “tullumbace” që duhej ta kishe “plot me dëshmorë”: biografia. Isha me fat. Im atë kishte biografi revolucionare, edhe pse kishte qenë 10 vjet xhandar me mbretin Zog dhe më pas me karabinierinë italiane, u tregua i zgjuar. U arratis dhe u bë partizan duke ndjekur shembullin e Mustafa Matohitit. Unë i kam rrëfyer partisë të gjitha në letrat e biografisë. Nuk kam gënjyer kurrë…Nuk e harroj kur për herë të parë, si “udhëheqës” i organizatës së rinisë në shkollë, mora një ftesë për të marrë pjesë në konferencën e rinisë së rrethit. Ju nuk e dini se sa gëzim ishin këto lloj konferencash nëpër rrethe. Bashkoheshim nga të gjitha anët. Qeshnim. Njiheshim. Këndonim. Bënim miq të rinj. Sado sot ajo kohë rrëfehet “e errët”, ajo kishte ditë të bukura, natyrisht jo për të gjithë, por për ne si “kandidatë për udhëheqës”… Pra, siç shohim edhe sot, “pozitë dhe opozitë”.

“Si qeshej në ato kohë? Ishte ferr… ishte burg. Ishte pushkatim…” – më vjen zëri i disave. Mbase janë trashëgimtarë ballistësh… Ju kuptoj. Unë kam rrëfimin tim. Unë në fakt “flas me vete” sepse për vete po rrëfej… Ju nuk e keni idenë se sa “i rëndësishëm” jam ndjerë për herë të parë në jetë, kur unë, një “çamarrok fshati”, thyeja një traditë: në konferencën e rinisë së rrethit Pogradec, unë “dola kundër”. Kisha guxuar të isha zëri i vetëm “kundër turmës duartrokitëse”. I kam shkruar këto në librat e mi, por dua të them se pikërisht kur thashë “nuk jam dakord”, aty gjeta “pedalen” time për t’u bërë udhëheqës.

Unë nuk ndala. Në vitin e parë të shkollës së mesme u bëra sekretar rinie i klasës në shkollën “Muharrem Çollaku”. Ne, disa nga më të mirët, bënim mbledhje. Diskutonim. Nuk ishte “ferr”, por një debat që edhe sot sjell dritë në mendjen time… Ato kohë Ana Jovani, po me atë zjarr që recitonte “Nëntoriadën” e Agollit, me po aq pasion drithërues recitonte Lasgush Poradecin… Çdo mëngjes e fillonim me zërin brilant të Ana Jovanit, shkodranes plot talent. Ishin kohë interesante vitet ’70. Ju nuk e keni idenë…

A vijova të “shkëlqeja” në rrugën udhëheqëse të rinisë sime? Them se po. Sepse së pari “shkëlqimin tim” unë e shihja te puna ime si nxënës. Unë merrja vetëm 10-ta të merituara. Kurrë nuk mora ndonjë notë sepse “isha udhëheqës”, sepse sipas meje ato kohë, nota e mirë të bënte “udhëheqës dinjitar”. Edhe pse së pari “duhej biografia”, në fakt pa një shkëlqim në nota, nuk ngjiteshe lart në “hierarkinë” e udhëheqjes. Ishte kohë interesante koha jonë. Kishte “bukuri të fshehta” që sot secili vrapon t’i varrosë. Unë i rrëfej pa frikë.

Nuk ka një karrierë më të bukur “në diktaturë” sesa “suksesi im”. Unë vija nga fshati me etjen që të mbetesha në qytet. Ishte ëndrra ime. Isha “ngopur” me baltën e fshatit. Këtë e kam gjetur aq qartë edhe te një libër me kujtime i Lufter Xhuvelit, botuar vjet. (“Skena dhe prapaskena”). Edhe ai kishte “ardhur nga balta e fshatrave të Beratit”. Për mua, Shkodra u bë “bulevardi” i egos sime për të qenë “udhëheqës”. Në Shkodrën e dritës intelektuale, unë u bëra zv.sekretar (drama e Teodor Kanaçit u bë “shansi im”, falë edhe Mustafa Koxhës. Punë fati kjo jetë). Më vonë “eci karriera”, u bëra sekretar i rinisë së shkollës së mesme Veterinare, shkollës elitare të asaj kohe. Në Shkodrën e tolerancës klasike kam njohur njerëz të ditur e të mrekullueshëm si Prel Ndoci, Sadetin Stankaj, Xhorxh Grabova, Fahri Beci, Mentor Kopliku, Margarita Ndreca, Zhaneta Shqepa, Ndue Lazri, Skënder Temali, Agim Medja… Ju nuk mund të gjeni sot njerëz më të mirë nga Shkodra jonë. E qeshura e tyre njerëzore, fjala e tyre, mbështetja ndaj “një fshatari” janë për mua edhe sot në Amerikë një “përshëndetje shkodrane” që çdo mëngjes më tingëllon: Si ke ndie?…

Kulmi i udhëheqësisë sime ishte “sekretar rinie”. Isha gati i barabartë sa një mësues i shkollës së mesme. Merrja pjesë në çdo mbledhje të këshillit pedagogjik, rreshtohesha çdo mëngjes me mësuesit dhe drejtorin. Përballë nesh qëndronte gjithë shkolla me rini që qeshte. Në mbledhje guxoja të flisja, të ngrija probleme, por kurrë nuk u bëra “instrument” i së keqes… Aq i përgjegjshëm isha ndaj atyre që “më votonin” saqë unë nuk përjashtova asnjë për “prije duhani”. Jo rrallë unë “e ndizja me ta”, duke u bërë si ata, duke u thënë “Mos pini duhan në sytë e mi…”.

Ishte e mundimshme rruga për t’u bërë “udhëheqës” në kohën e “demokracisë popullore”. Kishte filtra, opinione, biografi, dosje, rezultate, të vërteta… Ato kohë, kur dilte se “ishe gënjeshtar”, ishte mbyllur karriera. Po të provohej se kishe vjedhur, se “kishe falsifikuar lata” për një drekë apo një darkë, emri jot ishte fshirë dhe ti thjesht “mbyllje gojën”. Shoqëria e asaj kohe, në të vërtetë, ndiente dhimbje kur “internoheshin familje”, kur “fillonin spastrimet” etj., por mbaj mend mirë: askush nuk ndiente keqardhje kur koha dhe diktatura dënonin hajdutë, imoralë dhe abuzues të pushtetit. Ma rrëfeni ndryshe.

Çfarë nuk ju tregova? Ah, po, një detaj shumë interesant që mbase ngjan si “përçarje krahinore”, por nuk mund të rri pa e thënë: në shkollë të mesme në Shkodër, në ILB dhe vitet e drejtimit të gazetës “SB”, ishte një “ekuacion” me një X që dihej: kudo dhe kurdoherë, në çdo rast, rrethanë dhe në çdo stinë, kur kriste sherri, grushtet, thikat, dorezat e boksit apo “gjuajtjet pas shpine”, së paku në ato raste që kam dëshmuar, ishte e pamundur një ngjarje e tillë pa një “luftëtar” nga Tropoja apo Kukësi. Nuk është krahinorizëm, por realizëm dhe e vërtetë, siç është e tillë ajo që miqtë më të mirë i kam nga veriu, por jo sherrtarë si ata të kohës që iku… (dhe ata me shashka dhe fishekzjarrë andej mbase janë (ide kot). Mbase jo aq kot, se dhe tani që shkruaj, në krye të “kryengritjes paqësore-2026” (!!!!) është një i lindur në Tropojë, por diplomuar në Tiranë… Edhe kjo, besoj, është dëshmi e “konkluzioneve” të mia…).

Si nuk pata fat të ngjitesha në “karrierën” e ëndërruar? Shpjegimi është i thjeshtë: unë nuk isha me asnjë klan apo grup, veç të vërtetës dhe të ndershmes sipas meje gjatë asaj kohe. Kujtoj se unë kam mbrojtur në komitet të rinisë në ILB një ide të marrë që kërkonte t’i hiqte “të drejtën e botimit” studentit Jakub Gjoça, për një shkrim që “u kishte djegur” udhëheqësve, por humba me votën e vetme kundër kësaj marrëzie…. Në fakt, karriera ime “u thye” kur njeriu me të cilin flija në një dhomë, shoku im që ishte sekretari i rinisë i ILB-së, një ditë, kur “nuk zbatova urdhrin”, me një ton të egër, të ashpër dhe të pabesueshëm më bërtiti: “Po pse more Çet, ne të japim bukën, ti punon kundër nesh?!….” Ato vite, për herë të parë kam menduar se “bukën ma jepte puna ime”, jo partia e aq më pak sekretari i rinisë, që ishte si puna ime, dhe bërtita: “Bukën nuk ma jep ti, por puna ime”…

Ky ishte fundi i ëndrrës sime për t’u bërë “udhëheqës”. Sa mirë që nuk u bëra, se jam i sigurt se do të isha futur në gjynahe. Jam i lirë dhe pa mëkate. Nuk kam asnjë “rrëfim tek prifti”, që nuk e besoj, dhe të dy bashkë me hoxhën e besimit tim më duken “grabitqarë të shpirtit” në mjerim….

Nuk di se pse gjithë këto më erdhën në mendje sot, kur për t’u bërë udhëheqës nuk ke nevojë të shkosh nëpër “rrathët e ferrit komunist” me prova, fakte, arritje, kontribute, përkushtime apo karakter të fortë. Sot mjafton të kesh fatin të jesh te “celulari i kryeministrit” dhe bëhesh ministër i jashtëm, apo ministër i brendshëm, zëvendëskryeministër apo kryetar parlamenti…. Në kohën tonë nuk njihej kjo lloj “lotarie shqiptare”. Çfarë fati ka ky brez i ri sot… Mjafton “një telefon”… Sikur të kisha lindur më vonë, do të isha bërë ministër, me siguri…. Së paku për disa muaj, si disa çapaçula nga qeveria Rama-4, që iku… me nder “për lesh”…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button