Si “Grupi i zjarrit” porositi 40 maska para luftës në Lazarat
Pak ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi tri burgime të përjetshme dhe 162 vite burg për 11 të akuzuarit si autorë të vrasjes së efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha dhe plagosjes së dy kolegëve të tij, në një pritë me armë në Lazarat dy vite të shkuara.
Të pandehurit janë klasifikuar tashmë si grup i strukturuar kriminal dhe sipas prokurorisë, drejtuesit e tij janë dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko.
Këta dy shtetas kishin mundur të rekrutonin edhe persona të tjerë, të cilët do të merrnin pjesë në sulmin ndaj policisë, pasi “grupi i zjarrit” kishte vendosur që në fshatin Lazarat të rikthehej gjendja e mëparshme.
Sipas hetimit të prokurorisë, të dyshuarit kishin gjashtë muaj që përgatiteshin për të sulmuar policinë, duke u kujdesur për çdo detaj: Armë, municione, plan për sulmin, lëndë narkotike, si dhe maska që ishin porositur rreth 10 apo 15 ditë përpara ngjarjes.
Ky detaj është zbuluar nga një rrobaqepëse e Gjirokastrës, e cila ka treguar për policinë se një djalë i ri kishte porositur 40 maska tek ajo.
Dëshmitarja N. B e pyetur nga grupi hetimor një ditë pas vrasjes së efektivit të RENEA-s në Lazarat (24.06.2015) ka treguar se ka në pronësi një rrobaqepësi në Gjirokastër. 10 apo 15 ditë para ngjarjes, rreth orës 13:00 të mesditës ajo ka marrë një telefonatë nga një djalë i ri i cili nuk i është prezantuar me emër. Ai i ka thënë se do vijë një djalë në rrobaqepësi dhe do i bësh 20 maska.
“Më pyeti se sa kushton një e tillë? I thashë që bën 10 mijë lekë të vjetra. Ai tha bëji për pesë mijë lekë të vjetra dhe ramë dakord në telefon që do të bëja me 5 mijë lekë të vjetra një maskë. E pyeta nëse i do model si ai i personazhit “Zorro”. Ai më tha që i dua thjesht kapuç. Më tha “që do të vijë një djalë atje dhe do të thotë si i dua”,” ka treguar rrobaqepësja.
Sipas saj, pas rreth një orë ose një orë e gjysmë nga telefonata në rrobaqepësi ka shkuar një djalë i ri në moshë rreth 17 vjeç, i dobët në trup me mjekër, me dialekt Jugor, të cilin dëshmitarja thotë se e njeh po ta shohë.
Ai ka shkuar i vetëm dhe i ka thënë se ishte ai djali që ka bërë porosi për 20 maska.
“E pyeta se si i donte, ai më tha se i dua të thjeshta dhe në fund nga pjesa që vishet vendosu nga një llastik, nuk kërkoi që ato të ishin të hapura në pjesën e fytyrës. Unë i qepa një të tillë kur ishte aty. Pastaj bëra dhe një tjetër, ai i mori këto të dyja dhe nuk më dha lekë. Këto të dyja i bëra me tre vrima të hapura në pjesën e syve dhe të gojës”, ka treguar dëshmitarja.
Për pjesën tjetër të maskave kanë rënë dakord që rrobaqepësja do i bënte pa vrima të hapura në pjesën e fytyrës. Maskat do të merreshin të nesërmen e porosisë.
“Ka ardhur të nesërmen i mori dhe më dha 50 euro dhe 30 mijë lekë të vjetra, të cilat në total bënin 100 mijë lekë të vjetra. Po këtë ditë pas rreth një ore më merr në telefon i njëjti person, i cili më tha që jam ai djali që mora për 20 maskat, dua dhe 20 të tjera të njëjta si ato që ke bërë, i thash hajde pasdite t’i marrësh se në darkë nuk do të jem. Rreth orës 16:00–17:00 erdhi sërish i njëjti djalë që mori 20 maskat e para, më dha 100 mijë lekë të vjetra shqiptare”, ka treguar dëshmitarja për policinë një ditë pas vrasjes së efektivit të RENEA-s në Lazarat.
Më pas grupi hetimor ka marrë edhe dëshminë e efektivit Jetmir Isaj, i plagosur në ngjarjen e 24 qershorit të vitit 2015, pasi ndodhej në të njëjtin automjet me kolegun e tij që u qëllua me plumb në kokë.
Dëshmitari ka treguar se ai bashkë me Ibrahimin dhe tre kolegë të tjerë ishin me shërbim me një automjet tip “Volkswagen” dhe në orën 05:00 të mëngjesit të datës 24 qershor 2015 ishin nisur me shërbim në Gjirokastër.
Ata fillimisht kanë marrë instruksione nga shefi i seksionit për një situatë në fshatin Lazarat, ku persona të ndryshëm qëllonin me armë dhe janë njohur me fotografitë e të dyshuarve. Rreth orës 08:30 ata janë dislokuar në hyrjen e rrugës që të çon në fshatin Lazarat.
“Pasi kanë hyrë për patrullim në fshat dy blindat, rreth 5 apo 10 minuta më pas, jemi urdhëruar nga eprori të shkonim në ndihmë të kolegëve tanë të cilët kishin ndaluar një person me veturë, i cili ishte i armatosur”, ka treguar efektivi RENEA-s, që mbeti i plagosur.
Ai thotë se bashkë me kolegët e tij është nisur në drejtim të Lazaratit me automjetin “Volkswagen”, ndërkohë që dëgjoheshin të shtëna sporadike që vinin nga brenda fshatit.
“Sapo jemi afruar në vendin e quajtur “Pularia” kemi rënë pre e të shtënave me armë, që nuk po kuptonim nga vinin. Të shtënash ishin një e nga një, dyshe e treshe, si dhe me breshëri, gjë që kuptohej se po qëllonin në mënyrë të kontrolluar dhe kam vënë re se po qëllonin në drejtimin tonë. Unë kam vënë re se u plagosa në shpatullën e djathtë dhe kolegut tim Ibrahim Bashës, i ra koka mbi supet e drejtuesit të mjetit. Pikërisht në ato momente drejtuesi i mjetit ka përshpejtuar mjetin për t’u pozicionuar në një vend më të mbrojtur, pasi në ato momente ishim të ekspozuar. Theksoj se të shtënat vazhdonin edhe pasi jemi plagosur, por me intensitet më të vogël. Pasi është ndaluar mjeti, unë me kolegët e mi kemi zbritur nga mjeti duke iu kërkuar ndihmë kolegëve tanë dhe duke i informuar se ishim qëlluar me armë”, ka treguar efektivi i policisë i plagosur në Lazarat.
Për këtë ngjarje policia fillimisht arrestoi disa nga të dyshuarit, ndërsa vëllezërit Aliko u kapën pas disa ditë kërkimesh.
Sipas prokurorisë, dy organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale janë shtetasit Alban dhe Arbjon Aliko.
“Këta shtetas, prej disa muajsh kanë filluar përgatitjen e një plani kriminal me qëllim goditjen ndaj forcave të policisë. Për këtë, ata kanë kryer veprime konkrete duke rekrutuar shtetas të ndryshëm nga fshati Lazarat, të cilët do t’i bashkëlidheshin sulmit ndaj policisë së shtetit. Po ashtu kanë siguruar armatimin e nevojshëm për të kryer sulmin. Kanë siguruar mjetet e tjera mbështetëse si makinat, veshjet, maskat etj., si dhe kanë studiuar vendin, kohën dhe mënyrën për kryerjen e sulmit”, -thotë prokuroria.
Pak ditë më parë Krimet e Rënda kërkuan dënimin me burgim të përjetshëm të të pandehurve: Arbjon Aliko, Bajram Bocia dhe Elvis Bocia.
Ndërsa për të pandehurit e tjerë u kërkua dënimi me 162 vite burg për akuzat e krijimit të grupit të strukturuar kriminal, vrasje e punonjësit të policisë dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Gjykata e Krimeve të Rënda është në pritje të argumenteve të mbrojtjes përpara se të japë vendimin për 11 të pandehurit.