Si i largoi komunistët italianë me paratë e nazistëve
Themelimi i CIA-s
Gjatë shtatë dekadave të fundit ka pasur një numër shumë të madh mitesh rreth kultit të inteligjencës dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, e njohur ndryshe si CIA (Central Intelligence Agency). Shpeshherë këto mite e kanë prejardhjen nga mungesa e njohurive për shërbimet e inteligjencës, nga lajmet në media ose nga libra triller ose aventureskë.
CIA perceptohet kryesisht si një organizatë eksperte për operacionet e fshehta. Gjatë Luftës së Ftohtë, veprimet pa diktuar ishin një aspekt unik në marrëdhëniet ndërkombëtare amerikane dhe pikërisht këto operacione përkufizuan imazhin publik të CIA-s. Por kjo agjenci lindi për qëllime tërësisht të ndryshme: u krijua vetëm për të mbledhur dhe koordinuar informacion dhe jo për të kryer operacione të fshehta. Kush e transformoi atë në agjencinë që është sot? Drejtuesit e saj ndër vite apo presidentët amerikanë? Ndoshta që të dyja palët.
Nga OSS në CIA
Nevoja për një agjenci inteligjence të fortë dhe kompetente u shfaq dukshëm pas 7 dhjetorit 1941, datë në të cilën, pavarësisht paralajmërimeve të shumta, Pearl Harbor u sulmua prej aeroplanëve bombardues japonezë. U duk qartë se sistemi i vjetruar dhe i decentralizuar i inteligjencës, i cili nuk ishte në gjendje të bënte dallimin midis “zhurmës së rëndësishme” nga “zhurma e sfondit”, ishte tejet e papërshtatshme.
Presidenti F. D. Roosevelt kishte plotësuar pjesërisht nevojën e koordinimit të inteligjencës duke krijuar OSS-në (Office of Strategic Services) Zyra e Shërbimeve Strategjike, nën drejtimin e gjeneral major William J. Donovan. Ajo u formua në tetor të vitit 1941. OSS-ja ishte një organizatë inteligjence aktive shumë e shpërndarë dhe e fuqishme, e cila rrodhi prej një agjencie të mëparshme, por më të vogël e quajtur Office of Coordination of Information (Zyra e Koordinimit të Informacionit). OSS-ja e kreu punën e saj gjatë viteve të luftës dhe hodhi themelet për një agjenci të përshtatshme për në kohë paqeje. Kjo agjenci që pasoi ishte CIA.
Në fillimet e veta, OSS-ja konsiderohej si një agjenci civilësh. William J. Donovan dhe Presidenti amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franklin D. Roosevelt, e themeluan atë për të mbledhur informacione. Një agjenci amerikane e shpërndarë në tërë botën, por nën juridiksionin e Departamentit të Luftës, dhe si një model i të famshmes Federal Bureau of Investigation (FBI), konsiderohej e mjaftueshme.
Presidenti Roosevelt dhe gjenerali Donovan u përpoqën ta ruanin statusin civil të OSS-së, por pavarësisht nga përpjekjet e tyre, ndodhi një proces gradual dhe i pashmangshëm militarizimi. Pati shumë pjesëtarë të OSS-së, të cilët e kundërshtuan kategorikisht militarizimin. Por kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallën luftë forcave qendrore (Gjermani, Itali dhe më vonë Japoni) dhe kur gjenerali Donovan u paraqit me uniformë ushtarake, pranimi i militarizimit të organizatës u nënkuptua dhe u pranua unanimisht. Lufta mund të mbështetej prej civilëve, por ajo nuk luftohej prej tyre. Ajo luftohej prej njerëzve me uniformë, ndaj një gjë ishte e sigurt: që në fillimet e saj OSS-ja nuk ishte një organizatë policie që ruante rendin, pa e luftuar atë. Detyrat e saj ishin të mbështeste konfliktet e armatosura, operacionet e fshehta, klandestine dhe luftërat sekrete. Pra ishte një organizatë lufte.
Kur lufta mbaroi dhe forcat e armatosura u kthyen në detyrat e tyre të paraluftës, OSS-ja, pa e pasur një precedent të tillë, nuk u kthye në rolin e saj parësor. Ajo nuk kishte pasur një strukturë bazë që t’i rikthehej si funksion. OSS-ja kishte lindur prej luftës. Për aq kohë sa Presidenti Roosevelt jetonte (ai vdiq vetëm një muaj dhe katër ditë përpara kapitullimit të Gjermanisë në Europë) agjencia e gjeneralit Donovan ishte e sigurt nga zaptimi që mund t’i bënin shërbimet ushtarake. Megjithatë, OSS-ja nuk gëzoi të njëjtën marrëdhënie me pasardhësin e Roosevelt-it në Shtëpinë e Bardhë, Presidentin Harry S. Truman. Ai mendonte se OSS-ja nuk nevojitej më. Gjithashtu, kreu i atëhershëm i shtetit amerikan dukej se bashkohej me mendimin e shefave të shërbimeve ushtarake se spiunazhi duhej të ishte pjesë e ushtrisë, ndërsa për gjëra të tjera FBI-ja do të mjaftonte.
Gjenerali Donovan argumentoi për vazhdueshmërinë e ekzistencës së OSS-së kundër mendimit ndryshe që kishin shefat e forcave ushtarake, detare dhe ajrore të SHBA-së, si edhe komiteteve të Kongresit dhe shumë komisioneve të tjera. Ai e konsideronte të pakonceptueshëm rikthimin e inteligjencës amerikane në statusin e saj të paraluftës. Ai, herë pas here ngulmoi në besimin e tij se nevojitej një agjenci e pavarur, me një status civil, dhe e ndarë nga kontrolli i ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore, që të funksiononte në kohë paqeje si një organizatë inteligjence me detyrën e mbledhjes së informacionit dhe inteligjencës. Gjenerali Donovan u mundua të bindte Truman-in edhe për rëndësinë e lidhjes me Shërbimet Sekrete të Inteligjencës Britanike dhe se ajo duhej ruajtur dhe jo humbur.
Truman-i tashmë e kishte vendosur në mendjen e tij se nuk nevojitej një agjenci inteligjence e huaj në periudhën e pasluftës. Ai nënshkroi “Urdhrin ekzekutiv 9621”, i cili e goditi OSS-në. Në fund Donovan-i dha dorëheqjen dhe OSS-ja u mor nën zotërimin e Departamentit të Luftës. Shuarja e saj e plotë ishte e shpejtë. Emri ndryshoi në Njësia e Zyrës së Shërbimeve Strategjike – Departamenti i Luftës, por më pas u transformua përsëri në Grupi i Inteligjencës Qendrore – Departamenti i Luftës. Më 22 janar 1946, Presidenti Truman themeloi Autoritetin e Inteligjencës Kombëtare, i cili përbëhej prej sekretarit të shtetit, të luftës dhe marinës dhe kishte si detyrë të planifikonte, zhvillonte dhe koordinonte të gjitha aktivitetet e inteligjencës.
Në vitin 1947, Lufta e Ftohtë ishte në fillimet e saj. Më 12 mars 1947, Truman-i paraqitet përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit dhe kërkoi 400 milionë dollarë për të ndihmuar dhe shpëtuar Greqinë dhe Turqinë prej rrezikut komunist. Për dyzet vitet në vazhdim “frenimi” i Bashkimit Sovjetik u bë baza e politikës së jashtme amerikane. Rritja e tensionit të Luftës së Ftohtë bëri që të ngrihej propozimi për themelimin e një agjencie qendrore të inteligjencës.
Më 26 shkurt 1947, në Kongresin Amerikan u dërgua për miratim një ligj, i cili me pak amendamente u aprovua dhe doli për zbatim më 26 korrik dhe njihet si Ligji i Sigurisë Kombëtare. Ky ligj themeloi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, si dhe Agjencinë Qendrore të Inteligjencës ose në origjinal CIA. Qëllimi i saj ishte të koordinonte aktivitetet e inteligjencës së shumë departamenteve dhe agjencive të qeverisë në interes të sigurisë kombëtare. Drejtuesit të CIA-s iu shtua titulli drejtor i CI-së, që vazhdon të njihet edhe sot e kësaj dite me shkurtimin DCI, i cili do të kishte autoritet edhe mbi komunitetin e inteligjencës jashtë vendit.
Ishte Ligji i Sigurisë Kombëtare ai që i dha jetë CIA-s, duke e bërë këtë agjenci të jetë një shtesë e qeverisë së SHBA-së. Detyrat e saj u përkufizuan si detyrat e një organizate, e cila kishte për qëllim të mblidhte informacione, më të shumtën me anë të mënyrave të pacaktuara dhe jo të drejta. Detyra e CIA-s ishte të këshillonte “Këshillin e Sigurisë Kombëtare”.
Ligji i Sigurisë Kombëtare bëri që SHBA-ja të zhvillojë një shërbim informativ të madh, modern dhe shpeshherë mbresëlënës. Por, gjithashtu, ky ligj u hapi derën shumë abuzimeve, të cilat, pasi do të dilnin në dritë një brez më vonë, do e alarmonin Amerikën.
“Seksioni 102” vendosi përgjegjësinë e plotë të veprimeve të CIA-s nën urdhrat e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por meqë kreu i Shtëpisë së Bardhë ishte mbi pjesëtarët e Këshillit, ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara ai që kishte “carte blanche”.
Përfshirjet dhe operacionet e CIA-s urdhëroheshin nga KSK. Ato sanksionoheshin nga sekretari i Shtetit, drejtori i Zyrës së Mobilizimit Mbrojtës dhe Civil, sekretari i Mbrojtjes, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, pjesëtarë të rëndësishëm të Kongresit, të cilët, në këtë aspekt, ishin nën urdhrat e Presidentit.
Pjesa më e rëndësishme e Ligjit të Sigurisë Kombëtare në lidhje me CIA-n ishte Titulli I, “Koordinim për Sigurinë Kombëtare – Agjencia Qendrore e Inteligjencës”. Ndoshta detyra më e rëndësishme e CIA-s dhe drejtorit të saj (DCI), ishte koordinimi i të gjitha përpjekjeve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.
“Seksioni 102″ (d) shtjelloi arsyen për krijimin e CIA-s. Kjo pjesë nuk ishte e shkruar qartë dhe lejonte shumë interpretime; “Për qëllimin e koordinimit të aktiviteteve të inteligjencës ndërmjet shumë departamenteve qeveritare dhe agjencive, në interes të sigurisë kombëtare, do të jetë detyra e agjencisë, nën drejtimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare …” Arsyeja që kjo pjesë e ligjit ka shkaktuar konfuzion qëndron te katër fjalët e para. “Për qëllimin e koordinimit”. Shumë prej atyre që besonin se CIA kishte më shumë pushtet sesa duhet apo që bëri gjëra që s’duhet të kishte bërë, u shprehën se këto fjalë tregonin qëllimin e Kongresit se CIA vetëm duhet të kishte koordinuar aktivitetet e agjencive të tjera dhe jo të mblidhte informacione apo të vepronte vetë. Balanca e këtij paragrafi do të dukej sikur do të dështonte për të justifikuar këtë argument.
Një prej detyrave të para të agjencisë ishte të këshillonte KSK-në për aktivitete inteligjence të qeverisë, të cilat kishin të bënin me sigurinë kombëtare. Kjo do të thoshte se CIA raportonte te KSK-ja mbi informacione e operacione dhe se ishte zëri i inteligjencës në veshët e atyre që bënin politikën. Drejtori i CIA-s, Allen Dulles, shkroi se ligji i vitit 1947 ishte “një krah i bërë publik i degës ekzekutive të qeverisë, pavarësisht dhe sigurisht, që kishte detyra të tjera me natyrë sekrete”.
Në “Seksionin 102” të ligjit, gjithashtu ishte e shkruar se CIA do autorizohej herë pas here prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare për “të kryer funksione dhe detyra të tjera në lidhje me inteligjencën dhe sigurinë kombëtare”. “Seksioni 102” ishte pjesa më thelbësore e ligjit, kjo pjesë ishte përgjegjëse për aq shumë aktivitete, të cilat më vonë do të krijonin një skepticizëm të hidhur si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe jashtë saj. Gjithashtu ka të bëjë edhe me mënyrën sesi u formulua, një miratim i heshtur që përcakton “të papërcaktueshmet”.
Kongresi Amerikan e kishte pranuar CIA-n si një agjenci koordinuese, prodhuese dhe operative. Gjithashtu, ishte në dijeni se po autorizonte spiunazh dhe kundërspiunazh ndaj shteteve të huaja dhe padyshim i siguroi asaj liri të konsiderueshme veprimi me anë të klauzolës “për të kryer funksione dhe detyra të tjera” sipas autorizimit të KSK-së. Në atë kohë, Kongresi e njihte karakterin pionier të legjislaturës, ndaj duke iu frikësuar krijimit të një Gestapoje, i privoi agjencisë forca policore apo mbrojtje të brendshme. Kongresi Amerikan, në një atmosferë tensionuese të Luftës së Ftohtë, e lejoi veten të bindej prej profesionistëve të inteligjencës. Me kalimin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare, i lejoi agjencisë së re përfitime të veçanta nga procesi rishikues i zakonshëm i Kongresit dhe këto përjashtime u shtuan më shumë dy vjet më vonë, me Ligjin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës të vitit 1949.
Sipas raportit përfundimtar të Komitetit të Zgjedhur për të Studiuar Operacionet Qeveritare, të ngritur prej Kongresit në vitin 1976 (e njohur ndryshe edhe si Komiteti Church), ligji i vitit 1947 nuk fuqizonte në mënyrë direkte CIA-n për të mbledhur inteligjencë apo për të ndërhyrë në mënyrë të fshehtë në punët e brendshme të shteteve të tjera. Por shprehja elastike “funksione të tjera” u përdor prej presidentëve të ardhshëm amerikanë për ta shtyrë CIA-n të përfshihej në spiunazh, operacione të fshehta, operacione paraushtarake dhe mbledhje inteligjence teknike. Shpeshherë argumentohet se Ligji i Sigurisë Kombëtare i dha fuqi të rëndësishme dhe fleksibilitet CIA-s dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por në fakt ai ligj ia dorëzoi atë autoritet Presidentit.
Transformimi i CIA-s nga një agjenci për mbledhjen e inteligjencës në një institucion të përfshirë në aksione të fshehta, nuk ishte i menjëhershëm, por gradual. Pavarësisht ambiguitetit të “funksioneve” të shkruara në ligjin e vitit 1947, arsyeja kryesore e transformimit ishte Lufta e Ftohtë dhe rrethanat e saj të pazakonta.
Termi “aksion i fshehtë” mund të përkufizohet si ndërhyrja e një shteti në punët e brendshme të një shteti tjetër me qëllimin e zgjerimit të kontrollit politik dhe ekonomik, duke përdorur mënyra të padukshme dhe të papranueshme. Presidenti Truman nuk kishte për qëllim që CIA të bënte më shumë sesa të mblidhte informacione të gatshme dhe t’ia paraqiste Presidentit.
Truman nuk e miratoi CIA-n që ajo të operonte si një agjenci ndërkombëtare e përfshirë në operacione të fshehta. Megjithatë ishte vetë ai që i dha fytyrë të re komunitetit të inteligjencës moderne të Shteteve të Bashkuara dhe që autorizoi agjencinë të përfshihej në aksione të fshehta.
Italia dhe lufta e Koresë
Aksioni i parë i fshehtë i autorizuar nga Truman-i erdhi si rezultat i frikës së fitores së komunistëve në zgjedhjet e prillit të vitit 1948 në Itali. Dokumenti i parë zyrtar i lëshuar prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare, KSK 1/1, më 14 nëntor 1947 paralajmëroi se “qeveria italiane, e anuar ideologjikisht drejt demokracisë perëndimore, është e dobët dhe është bërë subjekt i sulmeve të vazhdueshme nga një Parti Komuniste mjaft e fortë”. Përveç mbështetjes publike për qeverinë italiane në rrezik, KSK-ja rekomandoi një program “për të luftuar aktivisht propagandën komuniste në Itali me një program efikas të informacionit të SHBA-së dhe me të gjitha mënyrat e tjera të aplikueshme, duke përfshirë edhe përdorimin e fondeve të padeklaruara”. Truman-i aprovoi KSK 1/1 më 24 nëntor. Më 14 dhjetor, Presidenti firmosi KSK 4/A duke i ngarkuar CIA-s përgjegjësinë për “luftë psikologjike”. Një javë më pas, agjencia ngriti Grupin e Procedurave Speciale (GPS), e cila pastroi mbi 10 milionë dollarë të kapura prej nazistëve dhe fashistëve për t’i përdorur për fushatën elektorale në Itali.
Disa prej milionave të pastruara nga GPS-ja iu dhanë në dorë në fshehtësi Kryeministrit italian Alcide de Gasperi, për të financuar fushatën e partisë së tij Kristian-Demokrate. Milionat e tjera shkuan te fushata mediatike për të shpërndarë propagandë të zezë kundër komunistëve dhe për të promovuar virtytet e kandidatëve antikomunistë. Truman-i tregoi një interesim personal si në përpjekjet e hapura ashtu edhe në ato të fshehta për të mbështetur Kristian-Demokratët dhe për të mposhtur komunistët. Pavarësisht se edhe sovjetikët u përfshinë njëlloj në këto zgjedhje, Kristian-Demokratët fituan 307 prej 574 vendesh. Mposhtja e komunistëve në zgjedhje shihet historikisht prej CIA-s jo vetëm si fitorja e saj e parë, por edhe si një nga operacionet e fshehta më të suksesshme.
Suksesi i dukshëm i aksioneve të fshehta kundër komunistëve në Itali bëri që kjo formë veprimi të zgjerohej. Në maj të vitit 1948, George F. Kennan, kreu i grupit të planifikimit në Departamentin e Shtetit dhe apostulli kryesor i “Frenimit”, propozoi krijimin e një grupi të përhershëm për aksionet e fshehta të aftë për të bërë një punë shumë më të madhe sesa vetëm luftë psikologjike. Një muaj më vonë, Truman-i firmosi KSK 10/2, dhe urdhëroi krijimin e Zyrës së Koordinimit të Politikave (ZKP), e cila ishte brenda strukturave të CIA-s dhe kishte për detyrë të planifikonte dhe të merrte pjesë në aksione të fshehta. Megjithatë, më vonë, duhet përmendur se George F. Kennan u bë skeptik ndaj operacioneve të tilla dhe ndaj rolit të inteligjencës në marrëdhëniet amerikano–sovjetike. Ai shkroi se “unë vetë kam pasur mundësinë të shoh rast pas rasti ku autoritetet e inteligjencës amerikane kanë mbledhur apo përpjekur të mbledhin, operacione të cilat kanë përfunduar apo do të përfundonin në një abuzim direkt jo vetëm të marrëdhënieve formale diplomatike amerikano-sovjetike, por edhe ndaj mundësive për arritjen e një mirëkuptimi midis dy qeverive”.
Si reagim i premisës së Bashkimit Sovjetik dhe vendeve satelite të saj, të cilat kishin nisur një program “vicioz” aksionesh të fshehta “për të zhvlerësuar dhe mposhtur qëllimet dhe aktivitetet e Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të tjera perëndimore”, KSK-ja i hapi dritën jeshile operacioneve të fshehta të bazuara te propaganda, lufta ekonomike dhe aksionet direkte parandaluese. Këto të fundit përfshinin sabotazh, antisabotazh, masa shkatërruese dhe evakuimin e rrëzimin e shteteve armike. Ajo u dha ndihmë lëvizjeve të fshehta të rezistencës, guerilasve dhe grupeve çlirimtare të emigrantëve. Arritja e misioneve të tilla pati një ndikim të thellë në drejtimin e agjencisë dhe statutin e saj relativ brenda qeverisë.
KSK 10/2 adaptoi formalisht principin e “mohimit të mundshëm”. Në ndryshim me raportin që paraqitej në tryezën e Truman-it, operacionet e fshehta nuk duhej të arrinin në Zyrën Ovale të Presidentit. Truman-i urdhëroi që operacionet e fshehta duhet të ishin “të planifikuara dhe ekzekutuara në atë mënyrë që përgjegjësia e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të mos ishte e dukshme për njerëzit e paautorizuar. Edhe nëse zbuloheshin, qeveria amerikane mund ta mohonte përfshirjen e saj”.
Harry S. Truman ishte Presidenti i parë që themeloi një agjenci operacionesh të fshehta në një kohë paqeje. Në gusht të vitit 1948, ai aprovoi KSK 20, që autorizonte operacione guerile përtej “Perdes së Hekurt”, duke përdorur emigrantë sovjetikë të rekrutuar në Perëndim.
Më 31 janar 1950, Truman-i urdhëroi sekretarin e tij të Shtetit dhe Mbrojtjes të kryenin një rishqyrtim të gjerë të objektivave gjatë periudhës së luftës dhe paqes. Rezultati i këtij rishqyrtimi rezultoi në KSK 68 në datën 7 prill. KSK 68 e interpretoi “Luftën e Ftohtë” si një përleshje thelbësore midis forcave të dritës perëndimore dhe errësirës lindore, midis lirisë dhe skllavërisë. KSK 68 rinisi doktrinën e “frenimit” të zgjerimit sovjetik dhe parashikoi një rol madhor të aksioneve të fshehta brenda bllokut sovjetik.
Krizat botërore po aq të rrezikshme sa edhe ato të Luftës së Parë dhe Dytë Botërore, i bënë interesat amerikane tejet vitale. Mënyrat u bënë të përballueshme, ndërsa metodat të justifikueshme. Rrënjët e operacioneve të fshehta u thelluan, për shkak të obsesionit për “Luftën e Ftohtë”. Kjo luftë ishte si një lojë globale shahu, ku gurët luheshin herë nga njëri lojtar e herë nga tjetri. Kjo gjë bëri që CIA të zhytej në një seri aktivitetesh të fshehta, të projektuara për t’iu kundërvënë përpjekjeve konkurruese të KGB-së.
Gjatë vitit 1949, operacionet e fshehta brenda bllokut sovjetik kishin filluar në Poloni, Ukrainë dhe Shqipëri.
Një ngjarje e rëndësishme për transformimin e CIA-s ishte lufta e Koresë, në vitet 1950-1953. Kur nisi lufta, CIA u vu menjëherë nën presionin e administratës së Truman-it, e cila e akuzoi se ajo kishte dështuar për të siguruar informacione apo paralajmërime se Koreja e Veriut, e mbështetur nga sovjetikët, do të merrte në konsideratë një luftë të hapur. Informacioni i CIA-s, i mbledhur nga rrjeti i saj i inteligjencës aziatike, i ishte transmetuar Komandantit të Përgjithshëm të SHBA-së, gjeneralit Douglas MacArthur, dhe të tjerëve, si edhe Presidentit Truman, të cilët i kishte informuar për mundësinë e mbledhjes së trupave të Kinës Komuniste përgjatë kufirit midis Mançurisë dhe Koresë. Ky informacion u ishte bërë i qartë muaj përpara se Kina e Kuqe të sulmonte.
Me fillimin e luftës ndodhën ndryshime të menjëhershme. Ai më i rëndësishmi ishte caktimi në detyrë i drejtorit të ri të CIA-s, gjeneralit Walter Beddell Smith, i cili zëvendësoi admiral Hillenkoetter. Bedell Smith themeloi tri zyra të rëndësishme – ajo e Planeve, Inteligjencës dhe Administrimit. Ai e drejtoi CIA-n në një periudhë thelbësore të historisë së saj. Lufta e Koresë ishte shpërthimi i fundit, i cili i detyroi Shtetet e Bashkuara të rinovonin sektorin e mbrojtjes dhe të ndërtonin një sistem modern të shërbimit të inteligjencës.
Lufta e Koresë, e cila kishte prodhuar kriticizmin dhe riorganizimin e CIA-s, rezultoi e dobishme për agjencinë. Gjatë kësaj lufte, personeli dhe buxheti i saj u rrit në mënyrë spektakolare. Personeli i OPC-së u rrit nga 302 në 2,812 (plus 3,142 agjentë në vende të huaja), duke ushtruar aktivitetin e saj në 47 qendra në vende të huaja në vitin 1952. Në të njëjtën periudhë, buxheti i saj arriti majën nga 4.7 milionë dollarë në 82 milionë dollarë. Kur betejat në Kore u stabilizuan në mesin e vitit 1951, OPC-ja shtoi operacionet e saj në luftën guerilase.
CIA rekrutoi spiunë, sabotatorë etj., dhe në disa raste madje bleu edhe politikanë, arsimtarë, defektorë koreanoveriorë dhe njerëz me pozicione të larta. Të gjithë ata ndihmonin në përpjekjet gjatë luftës së SHBA–së dhe Kombeve të Bashkuara për të luftuar Korenë e Veriut.
Lufta e Koresë nuk pati një impakt vetëm në fushën e inteligjencës, por solli edhe një perceptim të ri mbi Luftën e Ftohtë. Ajo u hapi rrugën operacioneve të tjera të fshehta në zona më të mëdha gjeografike.
CIA u themelua si rezultat i nevojës për një agjenci inteligjence për të koordinuar dhe mbledhur informacione. Ligji i Sigurisë Kombëtare ishte i dyshimtë në vendosjen e natyrës së vërtetë të kësaj agjencie, e cila ishte direkt nën urdhrat e Presidentit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ndoshta Truman nuk kishte dashur që CIA të përfshihej në operacione të fshehta, por faktet tregojnë se ai ishte përgjegjës për transformimin e saj duke firmosur Direktivën NSC 4/A, e cila e inkurajonte agjencinë të kryente luftë psikologjike. Më vonë ai firmosi NSC 10/2 dhe NSC 20/2, të cilat themeluan OCP-në, me detyrën për të planifikuar dhe për t’u përfshirë në operacione të fshehta e guerilase përtej “Perdes së Hekurt”. NSC 68, e krijuar dhe e firmosur nga zyrtarët më të lartë, përfshirë edhe Presidentin, kërkonte intensifikimin e operacioneve të fshehta.
Transformimi i CIA-s nga një agjenci informative në një agjenci operacionesh të fshehta ishte e paevitueshme dhe u nxit nga politikëbërësit dhe jo nga brenda saj.
Nga Dr. Bledar Kurti