Si lindi personazhi aktual më i famshëm në internet?
Billi, personazhi më i thjeshtë dhe më i famshëm aktualisht në internet ka ekzistuar prej disa vitesh përpara se imazhi i tij të shpërthente në rrjetet sociale, sidomos në atë “Facebook”.
Por më parë le të sqarojmë se cili është Billi dhe çfarë funksioni ka ai për përdoruesit e internetit. Billi është një vizatim i thjeshtë dhe fare naiv i një personi i cili frymëzon të tjerët të jenë si ai, kundër rrymës aktuale të internetit. Imazhi i tij shoqërohet me fjalitë “Ky është Billi. Ai (hapësirë). Bëhu si Billi”. Që prej 7 janarit, figura e tij ka tërhequr një audiencë prej më shumë se një milion persona në faqet e “Facebook” nga të gjitha vendet e botës.
“Bill nuk fton miqtë e tij t’i japin jetë në Candy Crush, bëhu si Billi”, thoshte një nga postimet.
“Është e vështirë ta saktësosh se çfarë e përbën një ‘meme’ të mirë,” tha Debabrata Nath, një nga dy burrat pas faqes më të njohur në gjuhën angleze kushtuar Billit. “Por ne patëm ndjesinë se duhej të ishte diçka që nuk e merr veten shumë seriozisht, është i lehtë për t’u kuptuar dhe njëkohësisht njerëzit gjejnë veten në të”.
Nga ky standard, Billi mund të jetë ‘meme’ më e mirë në internet në të gjitha kohërat. Mbi të gjitha, pak gjëra mund të jenë në thelb kaq humane sa të nxjerrin pa të keq në pah të gjitha gabimet e njerëzve, veçanërisht online.
“Ky është Billi”, shkruan një postim i shpërndarë nga 68,000 njerëz. “Billi e di që nëse ai nuk klikon like njerëzit nuk do të vdesin, fëmijët jetimë nuk do të marrin kancer dhe fati i tij nuk do të bëhet më i mirë apo më i keq”.
Fama e papritur e Billit nga një figurë e harruar e disa viteve më parë që u ripostua në një fenomen global është kryesisht punë e një njeriu, Eugeniu Croitoru, një 23-vjeçar moldav, që është specializuar në teknologji dhe memet e lojërave. Ai jeton në Milano.
Billi ka hyrë dhe ka dalë nga forumet e internetit prej kohësh. Avatari i tij italian “Sii Come Bill” – ka shpërthyer masivisht në Itali. Croitoru, zotërues i uebsajtit të famshëm të lojërave, Videogames, e përfshiu Billin në një shaka në komunitetin e uebsajtit rreth atyre që zbulojnë para kohe të fshehtat e “Star Wars”. Reagimi ishte aq i shpejtë saqë Croitoru hapi një faqe më vete për Billin dhe përfshiu shokun e tij, Nath, që ta ndihmonte në drejtimin e faqes. Ata janë të dy të angazhuar në ideimin e postimeve humoristike nga palestra te fotot e vetes.
Problemi ‘Bill’
Pak janë personat që nuk bezdisen nga postime të tilla. Sipas një sondazhi të vitit 2013 nga motori i kërkimit Bing, 40 për qind e të rriturve të intervistuar ishin të lodhur nga statuset e “Facebook” dhe 25 thanë se miqtë e tyre postonin shumë selfie.
Por përpjekjet për të mbajtur nën kontroll sjellje të tilla mund të shkojnë lehtësisht shumë larg, siç e ka bërë të qartë rasti i Billit. Në javët që pasuan popullaritetin e tij virtual, Billi ka tërhequr një kontingjent shpërfillësish, të cilëve nuk u pëlqen toni i tij lajkatues dhe mungesa e vetëdijes.
Përveç kësaj, dizajni i memes është aq i thjeshtë, saqë kushdo mund ta redaktojë atë dhe si rezultat, imazhi i tij po përdoret me fjalët e çdokujt, shpeshherë në kontekst politik ose diskriminues.
Në fakt, gjashtë vite më parë Billi doli në skenë për të përqeshur atë që është politikisht korrekte. Ka një diferencë midis Billit të vjetër dhe këtij të riut. Dikur më i drejtpërdrejtë, tani Billi i është përkushtuar vënies në sedër në mënyrë agresive-pasive të kujtdo që nuk u përmbahet rregullave të tij të etikës.
Nga njëra anë është një praktikë që ka ekzistuar që prej fillimit të njerëzimit: turpërimi i atyre që nuk u përmbahen normave shoqërore; dhe Billi që propagandon një seri sjelljesh ndonëse nuk duket si personi i duhur për t’i thënë të tjerëve se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë.
Megjithatë, Nath, bashkëkrijues i faqes së “Facebook” “Be Like Bill” ose “Bëhu si Billi”, shprehet se ai nuk dëshiron që njerëzit t’i hynë shumë thellë kësaj. Po, pranon ai, disa fansa të Billit i kanë çuar memet në ekstreme, me të cilat krijuesit nuk janë dakord, por gjithsesi figura e tij është më tepër humoristike sesa diskriminuese.
Sipas Nath, vetëm disa nga memet më të mira arrijnë në majën e internetit dhe këto janë ato më të gjithëpranuarat dhe më pak diskriminuese. Një meme popullore tashmë, është një version paksa më i përgjakur i imazhit të Billit dhe shpreh inatin e atyre që u ka ardhur në majë të hundës me Billin. “Kjo është Uma Thurman,” shkruhet në meme. “Ajo e vrau Billin. Bëhuni si Uma”.
Mes luftës së internetit për lirinë e fjalës, origjinalitetin dhe kundërshtuesit e dy të parave, përdoruesit janë ata që do të provojnë se cilët personazhe janë më të dashur, derisa të lindë trendi i radhës dhe ky aktuali të lihet në harresë.
*Burimi: Washington Post.