Si po i transferon Gjermania rezervat e saj të arit
Ari, metali i rrallë, që njeriu ka ditur ta vlerësojë qysh në kohët e lashta, ka përbërë gjithnjë interes të veçantë për ta njohur, por edhe për ta ruajtur e për ta menaxhuar siç duhet.
Shumëçka në lidhje me të e rezervat fizike të tij, vijon të mbetet sekret dhe bankat kombëtare respektive, zyrat e thesarit, apo sido që të quhen, në më të shumtën e rasteve, nuk pranojnë të bëjnë të ditura informacione të detajuara për të, për arsye sigurie.
Por, në kuadër të transparencës, nuk përbën sigurisht asnjë tabu informacioni ‘i lejuar’ mbi vlerat e poseduara, të transportuara, apo venddepozitimet e tyre, të paktën në terma të përgjithshëm, duke i trajtuar si një ‘detyrim kushtetues’.
Sigurisht se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për vendet diktatoriale, por vlera e tij është matësi më i mirë i performancës ekonomike të një shteti, është në kuptimin më pozitiv të fjalës, djersa e një populli e materializuar në ato që njihen si “kallëpe” apo “shufra magjike”, për të cilat janë shkruar me mijëra libra, janë bërë me mijëra skenarë e ekranizime.
Duket se një hyrje fare minimaliste, por e mbarsur me informacione të vlefshme, ofron edhe materiali i mëposhtëm nga seksioni gjermanisht i platformës së mirënjohur, “Huffington Post”, e cila na bën të njohim më mirë se si funksionon dhe ku ruhet “djersa e popullit gjerman”.
***
Thesari i Bankës Federale të Gjermanisë është legjendar: me më shumë se 270.000 kallëpe, me peshë 3384 tonë, ai renditet si i dyti më i madh në botë. Aktualisht, ato mund të konvertoheshin në një vlerë monetare prej 109 miliardë eurosh.
Sidoqoftë, çmimet luhaten: vlera e tregut të rezervave të arit në vitin 1997 përllogaritej në vetëm 25,2 miliardë euro, e pikën më të lartë, ajo e arriti në vitin 2012, me 137,5 miliardë euro.
Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, pjesa më e madhe e metalit të çmuar gjendet jashtë vendit. Por nga 2013 deri në 2020, synohet që 674 tonë të depozitohen drejt Frankfurtit.
Në fshehtësi, Banka Federale Gjermane po sjell për këtë arsye tonelata me ar drejt Gjermanisë, edhe gjatë këtij viti. Ai vjen nga zyrat e Bankës së Thesarit të SHBA-së, “Fed” dhe “Banque de France”. Rezervat në Bankën e Anglisë (Bank of England) në Londër, duhet të qëndrojnë atje. Për rrugët e transportit, Banka e Kartëmonedhave, nuk jep asnjë informacion për arsye sigurie.
Depozitimi jashtë vendit ka arsye historike. Nga mesi i vitit 1951, Banka e Landeve Gjermane – paraardhësja e Bankës Federale (Bundesbank) – ndërtoi rezerva ari.
Në vitet 1950 dhe 1960, thesari gjerman në vlerë ari u rrit në mënyrë të ndjeshme: Vitet e ‘mrekullisë ekonomike’ sollën me vete shumë dollarë në Republikën Federale Gjermane, falë eksporteve në rritje, të cilat këmbeheshin në Bankën Qendrore Amerikane, kundrejt vlerave në ar.
“Deri tek Ribashkimi Gjerman, në Gjermani kishim vetëm 77 tonë – për arsye sigurie si garanci për periudhën e Luftës së Ftohtë”, thotë shefi i Bundesbank-ës, Carl-Ludwig Thiele.
Magazinimi apo depozitimi i tyre në Paris, tashmë nuk ka më sens. Qysh prej futjes në qarkullim të euros, këtej dhe andej lumit Rin, Parisi tashmë nuk ka më kuptim, duke rënë si argument ideja se në rast lufte, ari i depozituar mund të këmbehej në deviza. Kështu që ky vend magazinimi i kallëpeve të arit, hiqet tërësisht nga harta.
Për Nju Jorkun dhe Londrën, megjithatë nuk vlen e njëjta ide. Kështu që nga SHBA transportohen drejt Gjermanisë vetëm 300 prej më shumë se 1500 tonëve ar, dhe 35 640 kallëpet në Londër mbesin tërësisht të paprekura. Kjo ka arsye të mirëkuptueshme, siç thotë dhe Thiele: “Është e rëndësishme të kesh rezerva në rast lufte. Për këtë arsye, ne, një pjesë të arit e lëmë në vendin me valutën primare në botë – e kjo padyshim se është SHBA-ja me dollarin. Dhe një pjesë tjetër ia lëmë Bankës së Anglisë në Londër, si vendi që posedon tregun më të madh të arit në botë”.
Depozitimi jashtë vendit e pati bërë opinionin publik, madje deri në nivelet e Gjykatës së Lartë Administrative, disi mosbesues, duke dyshuar se ari gjerman pas dekadash në thesaret e Bankave të tjera të Monedhave, është i sigurt dhe a është vërtet ekzistent atje, apo jo – dhe nëse në rast lufte, Gjermania mund të ndërhynte dot atje e të merrte ‘djersën’ e vet.
Thiele siguron se të tilla shqetësime janë të paargumentuara. Këtë e vërtetojnë kontrollet e hyrjes së kallëpeve të transportuara. Veç kësaj, nuk ngrihet as dyshimi më i vogël në integritetin e bankave partnere të monedhave.
Gjermania, veç kësaj, ndahet çdo vit nga një sasi ari prej disa tonësh: Sasia e arit bie nëpërmjet shitjes që bëhet për Ministrinë Federale të Financave, për shtypjen dhe prerjen e monedhave të arit; në vitin 2014 rezerva shkoi pra kësisoj drejt zvogëlimit në nivelin e 2930 kilogramëve.