Si u bë figura femërore protagonistja e ekranit amerikan?
Pas vitit 2012 gratë po shfaqen gjithnjë e më shumë në televizionet amerikane, duke lënë pas krahëve figurat mashkullore të ndërlikuara që u servireshin zakonisht shikuesve. Çfarë ka ndryshuar?
Sezoni i tretë i serialit “Orange Is The New Black” (Portokallia është e zeza e re) është bërë një utopi feministe në televizionin tonë, në tablet dhe ekrane laptopësh. Krijuar nga një grua, shkruar nga një staf me gjini të përzier dhe luajtur kryesisht nga figura femërore, seriali u vlerësua në mënyrë kritike për këtë fakt. Ai mund të konsiderohet një guidë si të shfaqësh sipas mënyrës së duhur në televizion gruan, të sjellësh pranë njerëzve problemet e saj dhe të tregosh hap pas hapi jetën e një gruaje.
A mund të kishte ekzistuar ky serial dhjetë vjet më parë? Ose edhe pesë vjet më parë? Kjo është në dyshim. Megjithatë shfaqja aktualisht është në vendin e duhur, në kohën e duhur, kur duket se në ekranet e çdo shtëpie gratë po marrin vëmendje të madhe.
Rreth 15 vite më parë, televizioni mbizotërohej nga meshkujt antiheronj dhe që mund të interpretoheshin sipas dëshirës. Për shembull, “Sopranot” me protagonistin e tij disi të errët nga ana etike, nxiti një lloj mendimi të ri për rrëfimin, duke kundërshtuar formulat televizive të fillimit të viteve 2000. Përpara “Sopranove” ishte seriali “Mad Men”, “Breaking Bad” apo “Boardwalk Empire”. Mendimi i përgjithshëm mund të ishte fakti se këta burra kishin shikueshmëri jo sepse ishin të mirë apo të këqij, por sepse ishin të ndërlikuar.
E gjitha kjo filloi të merrte një kthesë gjatë shfaqjes së “Sex and the City”, kur protagonistja Carrie Bradshaw mori të gjithë vëmendjen dhe shpresat u varën që ajo të thoshte historinë e femrave të pavarura, të zgjuara dhe të rëndësishme. Nga fundi i serialit rezultoi se të gjitha veprimet vinin si pasojë e “fajit që sillnin kënaqësitë” dhe përfundoi me idenë e grave të pasura që merreshin me thashetheme dhe vishnin rroba të shtrenjta.
Për më shumë se një dekadë, burrat e vështirë “shitën” serialet kudo në televizionin amerikan. Merr një burrë antagonist me moral dhe motive të dyshimta, vëre në një seri dilemash shpirtërore, bëje të bukur nga ana vizuale, futi ca dialogë të shpejtë dhe shumë skena të përgjakshme ose seksi dhe ja ku u krijua një serial miliona dollarësh.
Viti 2012 ofroi në opsionet e atyre që mbanin nga shtëpia telekomandat e stacioneve seriale, ku femrat ishin më në qendër të kamerës. “Scandal”, “The Mindy Project”, “30 Rock” dhe “Parks and Recreation”, ishin disa nga hapat e parë të një lëvizjeje të madhe që u bë koha e duhur për femrat në televizion.
Por çfarë ka ndryshuar tri vite më pas? Çfarë e bën panoramën televizive më feministe se atëherë? Sasia dhe cilësia.
Kur serialet “Girls” dhe “Scandal” debutuan tri vite më parë, ato kishin mbi vete peshën e të qenët përfaqësues të vetëm të një ideje të madhe. E para po përpiqej të përfaqësonte eksperiencën femërore te të njëzetat, ndërsa Kerry Washington ishte e para femër protagoniste me ngjyrë në pikun e shikueshmërisë televizive në këto 40 vite. Me peshën e asaj që përfaqësonin, këto seriale nuk kishin privilegjin të bënin disa gabime që serialet me burra po i bënin.
Por sot gjithçka është ndryshe, pasi ka një shumëllojshmëri protagonistesh femra në serialet televizive, duke i shtuar kështu varietet dhe diversitet industrisë që kishte vetëm një tip filmash.
Sipas The Atlantic, personazhet femra përbënë rreth 50 për qind të protagonistëve në televizionin normal dhe në atë kabllor në SHBA në vitin 2014. Dhe së fundmi, Olivia Pope nuk është e vetmja protagoniste me ngjyrë, pasi pesë seriale të tjera ofrojnë personazhe të femrave me ngjyrë.
Femrat janë përfshirë edhe në komedi me programe si “Broad City” dhe “Inside Amy Schumer”, ndërsa seriali “Grace and Franklie” ofron jetën e dy grave në moshë luajtur nga Jane Fonda dhe Lily Tomlin.
Teksa kultura e përgjithshme hapet më shumë për nga feminizmi, shikuesit po bëhen më të ndjeshëm me mënyrën si përfaqësohen femrat në programet e tyre të preferuara. Në muajt e fundit, përdhunimi dhe sendëzimi i femrave në programe të njohura u kritikua ashpër, ku audienca sfidoi shkrimtarët që mbështeten në baza seksizmi për të çuar ngjarjet përpara.
Në maj, uebsajti feminist “The Mary Sue” lajmëroi se nuk do ta mbulonte më serialin “Game of Thrones” në shenjë proteste për përdorimin e historive të përdhunimeve nga seriali pa u vënë fokusin viktimave. Ka një lloj pozitiviteti për femrën në televizionin e sotëm. Teksa interesi në diversitetin racor është rritur, historitë rreth grave janë bërë gjithnjë e më shumë ndërsektoriale. Këto programe po tregojnë historitë e grave që dikur kishin rol dytësor ose figurativ dhe kjo është më e bukura e gjithë këtij revolucioni.
Për më tepër ka një rritje të grave që dalin çdo ditë përpara ekranit amerikan. Sipas Qendrës për Studimin e Grave në Televizion dhe Film, në vitin 2014, gratë përbënin 42 për qind të personazheve të televizioneve, por vetëm 27 për qind të atyre që përgatisin këto seriale.
Sipas llogarive, vetëm 12 nga 97 dramat njëorëshe në pesë rrjetet televizive më të mëdha në SHBA ishin krijuar nga gratë. Një rrugë e gjatë ndodhet përpara amerikanëve, por duket se i kanë hedhur me sukses hapat e parë.
*Burimi: Huffington Post