Ekonomia

Sigurimi i makinave, nis sistemi online

MAKINAFillimisht u ndërtua regjistri elektronik online i shitjeve të sigurimeve të detyrueshme motorike, më pas regjistri i dëmeve të sigurimeve të detyrueshme motorike dhe dje filloi aplikimi i sistemit Bonus-Malus.

Sistemi online

Një javë do të zgjasë vëzhgimi i sistemit për problemet që mund të hasen në praktikë dhe më pas do të vazhdojë shitja e policave të sigurimit me çmime të individualizuara mbi bazën e historisë së dëmeve. Kështu, nga dje, nisi të funksionojë sistemi online i vlerësimit të të dhënave për mjetet dhe drejtuesit në momentin e pajisjes së tyre me një policë sigurimi. Në këtë mënyrë, gjatë shitjes së policës së sigurimit të makinës, agjenti duke shkruar vetëm targën dhe shasinë e mjetit, sistemi i gjeneron të gjitha të dhënat e sakta që rakordohen edhe me autoritete të tjera, përfshirë edhe Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor (DSHTRR). Sipas burimeve nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vënia në funksion e këtij sistemi online fut në ndërveprim disa aktorë, duke filluar nga mbajtësi i policës së sigurimit, agjencia e shitjes, AMF-në dhe DSHTRR-në, duke garantuar të dhëna të sakta dhe të pakomprometueshme. Në rast se bëhet ndonjë gabim në futjen e të dhënave atëherë polica nuk bëhet e vlefshme deri në çastin kur ato të jenë saktësuar. Sipas AMF-së, kjo është një procedurë shumë e rëndësishme, e cila ka nisur të zbatohet nga dita e djeshme dhe gjatë një periudhe njëjavore do të verifikohet zbatimi i tij dhe do të zgjidhet çdo problem i mundshëm që mund të shfaqet. Pa këtë sistem komunikimi nuk do të mund të nisë zbatimi i individualizuar i sigurimit të detyrueshëm Bonus–Malus. Ky sistem do të bazohet në të dhënat e të siguruarit, mjetit, historikut të dëmeve të shkaktuara dhe vendndodhjes. AMF-ja njofton se kanë përfunduar aktivitetet vendimmarrëse në bashkëpunim me shoqëritë e sigurimit dhe është vendosur ndarja e klasave për kategorizimin e riskut, si dhe në zbatim të rekomandimeve të Bankës Botërore janë kryer lidhjet e sistemeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, me qëllim marrjen e të dhënave të mjetit e të pronarit nga sistemi e në këtë mënyrë shmangien e abuzimeve gjatë hedhjes së të dhënave. Gjithashtu, janë kryer zhvillimet përkatëse në regjistrat elektronikë të qendrës së sigurimit të detyrueshëm motorik. Ky sistem tashmë ka dalë në produksion dhe është i detyrueshëm për të gjitha shoqëritë e sigurimit.

Kërkesat e Autoritetit të Konkurrencës (AK)

Në vendimin e korrikut 2014, bazuar në nenin 45/2 të ligjit të sigurimeve, AK-ja kërkon nga shoqëritë e sigurimit të përmbushin brenda 90 ditëve kushtet dhe detyrimet si vijon: a) vënien në funksionim të programit Bonus-Malus për sistemin e individualizuar të sigurimit të detyrueshëm bazuar në të dhënat e të siguruarit, mjetit, historikut të dëmeve të shkaktuara dhe vendndodhjes; b) ofrimi i shoqërisë së sigurimit sipas kërkesës së të siguruarit. Në sistemin e ofruar nga shoqëritë e brokerimit dhe agjentët e shoqërive të sigurimit duhet të shfaqen në kohë reale logot e të gjitha shoqërive, me të cilat kanë marrëveshje për tregtimin e policës së sigurimit të detyrueshëm motorik; c) të zbatojnë parashikimin ligjor për pagesën e dëmit nga siguruesi i drejtpërdrejtë; d) të lidhin marrëveshje me më shumë se një shoqëri brokerimi dhe të përdorin sistemin bankar për pagesat sipas legjislacionit në fuqi; e) shtypja dhe tregtimi i policave të sigurimit me logon e secilës ndërmarrje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button