Sikletet “vëllazërore” të çiftit Clinton
Pavarësisht se shumë të adhuruar, çiftit Clinton i është dashur të përjetojë shumë kokëçarje si pasojë e sjelljeve “të pamatura” të vëllezërve. Nëse Hillary arrin sërish të vërë këmbë në Shtëpinë e Bardhë, me siguri se kokëçarjet do të nisin sërish për shefat e tyre të protokollit
Kush mendon se kandidati presidencial amerikan, Jeb Bush, është një barrë e rëndë për të vëllain e tij, George W., ai nuk di asgjë mbi historitë e “klanit” Clinton. Sidoqoftë, ato që do të lexoni më poshtë, nuk do ju bëjnë kurrsesi të ndërroni mendim për çiftin më simpatik të Shtëpisë së Bardhë në kohërat moderne. Pasi përtej tyre, ata mbeten të adhuruar, të respektuar e ikona të vërteta të lidershipit të suksesshëm në mbarë botën. Mirëserdhët në një familje tmerrësisht të këndshme!
Dy vëllezër ka Hillary Clinton dhe një vëlla ka Bill Clinton. Nëse ajo dikur do të ishte e vetmja “First Lady” që do të mund të mbërrinte sërish në Shtëpinë Ovale, kjo treshe do të paraqiste njëkohësisht shumë kokëçarje për shefin e ardhshëm të protokollit të Shtëpisë së Bardhë.
“Codename Headache” (dhembje koke) ishte pra edhe nocioni operativ i shërbimit sekret, kur gjysmëvëllai i Bill Clinton-it, Roger, u nis të jetonte jetën e tij të re.
Plot ambicie, por vetëm një muzikant i pasuksesshëm, i pasionuar pas punës, por një aktor jo i prerë për filma të tipit B-Movie, plot ide, por biznesmen i pafat: Roger Clinton-in mund ta imagjinosh si shumë aktiv në fakt.
Një vit burg për drogë
Qysh kur ishte guvernator i Arkansasit, Bill Clinton-it iu desh të përjetonte se si vëllai i vet 12 vjet më i vogël, Roger, në vitin 1985 ra në duart e policisë i ngatërruar keqas në një çështje kokaine. E për këtë, ai u desh të kalonte një vit pas hekurave. Falë një vendimi faljeje në fund të mandatit të tij, Presidenti Clinton i dhuroi kështu Roger-it, që edhe sot e kësaj dite e sheh të vëllain si një përzierje mes adhurimit dhe xhelozisë, duke e cilësuar si “Big Brother”, lirinë.
“Po të nxjerr jashtë me shkelma by…”
Më vonë, Roger përfitoi sërish nga presidenca e vëllait të madh. Për shembull, si një folës i zjarrtë. Për 50 angazhime si folës publik, ai duhej të përfitonte 10 000 dollarë për secilën pjesëmarrje.
Eksperimenti megjithatë përfundoi pas dhjetë përpjekjeve. Gjatë një daljeje publike, ai foli plot 50 në vend të 30 minutave që ishin taksur për të, derisa e ndërpreu një grua.
Ai ishte “i pakrehur” dhe “i palarë”, kish thënë ajo për të, duke vijuar: ishte veshur pa kujdes dhe duhej t’i jepte fund turpërimit që po i bënte tanimë të vëllait. Roger kundërshtoi me ironi, duke u shprehur diku se gardëroba e saj (d.m.th. e gruas që e kishte zbritur nga podiumi) ishte “një relikte e viteve ’50 e ‘60”.
Nga ish-të dënuar, ai kish mbledhur para dhe kish marrë një Rolex për premtimin se po punonte që një i tillë të merrte faljen nga presidenti që kish qëlluar të ishte i vëllai. Një firmë ndërtimi në Houston i pagoi një herë atij 100 000 dollarë, ngaqë pas tërmetit të vitit 2010 kishte përfituar një kontratë me fondacionin “Clinton” për furnizimin me shtëpi të parafabrikuara, të cilat nuk u realizuan kurrë.
Gjatë një ndeshjeje basketbolli të “Knicks”-ave të Nju Jorkut në vitin 1993, Roger Clinton u përfshi në një përplasje të dhunshme bashkë me një fans tjetër. “The First Brother” u përzu me forcë nga një truprojë në Madison Square Garden. “Po ta fus një shkelm by…”, thirri Roger, ndërsa po nxirrej jashtë, duke bërtitur me zë të lartë e duke i dhënë shumë material reporterit të një gazete bulevardeske për të çelur gazetën e së nesërmes.
Gjysmëvëllai i Billit
Bill Clinton megjithatë e ka mbrojtur vazhdimisht Roger-in dhe e ka furnizuar me shumë zemërgjerësi atë me anë të fondacionit të tij. Hapur ai shfaqet plot përkujdesje për vëllain e tij më të vogël. Babai biologjik i Billit qysh nga lindja e tij kish gjetur vdekjen në një aksident fatkeq. E ëma u martua më pas sërish, por bashkëshorti i dytë ishte një i alkoolizuar, që e rrihte si të shoqen ashtu dhe të birin, djalin e tyre të përbashkët, Roger-in. Në një situatë të tillë, Bill kërcënoi njerkun e tij disa herë se do të përgjigjej po me dhunë, për të mbrojtur kështu të ëmën dhe vëllain.
“Unë e dua vëllain tim”
Hillary Rodham Clinton ka dy vëllezër më të rinj. Avokati Hugh dhe detektivi privat Tony Rodham shkaktuan incidente diplomatike, ndërsa përdorën emrin e kunatit të tyre në vitet ‘90, ndërsa u përpoqën të ngrinin më këmbë një biznes lajthish me ish-Republikën Sovjetike të Gjeorgjisë.
Partneri i tyre në biznes ishte rastësisht një kundërshtar i ethshëm i ish-presidentit gjeorgjian dhe ish-ministrit të Jashtëm sovjetik, Eduard Shevardnaxe, një aleati të rëndësishëm të SHBA-së. Dy herë u desh të ndërhynte me këtë rast Departamenti i Shtetit, derisa vëllezërit u tërhoqën nga kjo mesele.
Nga një gjyqtar i dënuar, avokati Hugh Rodham arriti të inkasonte 400 000 dollarë për një vendim faljeje të nënshkruar nga Presidenti. “Unë e dua vëllain tim”, tha për këtë rast “First Lady”. “Vetëm se jam tërësisht e zhgënjyer nga kjo sjellje e gabuar.”
Me shembuj konkretë e ka përshkruar autorja e librit Sally Bedell Smith stilin e Hugh Rodham, i cili e kishte shfrytëzuar Shtëpinë e Bardhë si “një sallë gjumi”. “Hughie shfaqej i veshur si mos më keq. Mbante bluza me topa golfi dhe një T-Shirt … njerëzit vinin të veshur mirë për darkë, dhe Hughie sillej vërdallë me bluzën e tij dhe flinte gjumë.”
Edhe Tony Rodham ndihej mirë në Shtëpinë e Bardhë. Me të shoqen, ai madje për disa kohë u tërhoq për të ndenjur në rezidencë. Njohësit dhe vëzhguesit akoma mund të kujtojnë faktin se ai në fund të mandatit të Presidentit Bill Clinton, u desh të tërhiqte e transportonte thuajse po aq kuti me plaçka e materiale sa edhe vetë çifti presidencial.