Situata pas tërmetit/ Gjermania 4 milionë euro Shqipërisë për rindërtimin e objekteve të dëmtuara
Këto fonde do të përdoren për të ndërmarrë masa për rindërtimin e shkollave dhe ndërtesave të tjera publike në zonat e Tiranës, Durrësit, Krujës etj., të cilat u prekën më së shumti nga tërmeti. Këto ndërtesa do të rindërtohen mbi bazën e nevojave të ardhshme të njerëzve, çfarë do të thotë që ato do të jenë më të sigurta ndaj tërmeteve si edhe do të jenë efiçente nga ana e energjisë
Në lidhje me këtë mbështetje, Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf tha se, “Gjermania do të ndihmojë Shqiperinë për të rindërtuar shkollat dhe institucionet publike. Ky grant është një nga elementët e mbështetjes Gjermane pas tërmetit të 26 nëntorit i cili traumatizoi shumë shqiptarë. Ringritja e institucioneve publike do të jetë një element i cili do të shërbejë për rikthimin dalëngadalë në normalitetin e jetës së përditshme.
Ndihma Gjermane për rindërtimin pas tërmetit, e cila do të zbatohet nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW, do të njësohet me ndërhyrjet e planifikuara tashmë nga institucionet shqiptare si edhe do të koordinohet nga afër me ndihmën për rindërtim të dhënë nga partnerë të ndryshëm zhvillimi nën drejtimin e Bashkimi Evropian (BE). Në këtë mënyrë do të sigurohet që s’do të ketë mbivendosje masash ndërmjet institucioneve të ndryshme.
KfW-ja është një nga bankat për zhvillim lider në botë. Me eksperiencën e saj shumëvjeçare KfW është e angazhuar që në emër të Republikës Federale Gjermane si edhe të Landeve Federale të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike si edhe kushtet e jetesës në mbarë botën. Në Shqipëri, KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit Qeveria Gjermane ka angazhuar një shumë totale prej mbi një milliardë euro për projekte zhvillimi në fushat e Infrastrukturës Bashkiake, Energjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik.