Skënder Jaçe: “Carmen la de Triana”, një nga filmat më të rëndësishëm të kinemasë muzikore spanjolle të viteve ’30
Një nga filmat më të rëndësishëm të kinemasë muzikore spanjolle dhe i realizuar dekada më parë është “Carmen la de Triana”. Kineasti Skënder Jaçe vjen me një rrëfim mbi historinë e filmit me produksion gjermano -spanjoll dhe shprehet, se u realizua në 1938 nga regjisori Florián Rey dhe u xhirua në studiot në Berlin. Jaçe thotë se është një vepër filmike, që bashkon artin, folklorin, politikën, por dhe propagandën e kohës së Luftës Civile. ““Carmen la de Triana”, është një nga filmat më të rëndësishëm të kinemasë muzikore spanjolle të viteve ’30, një vepër që bashkoi artin, folklorin andaluz, politikën dhe propagandën e kohës së Luftës Civile Spanjolle. Në qendër të filmit është diva legjendare María Magdalena Nile del Río, e njohur me emrin e saj artistik “Imperio Argentina”, e cila u kthye në simbol të kinemasë folklorike hispanike.
Filmi u realizua në vitin 1938 nga regjisori Florián Rey dhe u xhirua në studiot gjigande UFA në Berlin, gjatë një periudhe shumë të trazuar historike. Filmi erdhi në jetë si një bashkëprodhim gjerman – spanjoll, ku pjesën pothuajse më të madhe të buxhetit e mbulonte Gjermania. Ishte koha kur Spanja ishte e përfshirë nga Lufta Civile dhe Gjermania naziste po përdorte kinemanë si instrument kulture dhe influence”, thotë Jaçe. Historia bazohet mbi figurën e Carmen-it të krijuar nga Prosper Mérimée dhe më pas të pavdekësuar nga opera e kompozitorit Georges Bizet. Kineasti Skënder Jaçe thotë se versioni i këtij filmi nuk është thjesht adaptim opera, ai është shumë më folklorik, më andaluzian dhe më popullor. “Carmen paraqitet si një grua magnetike, e lirë dhe tragjike, që lëkundet mes dashurisë, pasionit dhe fatit fatal. Ajo që e bëri filmin të pavdekshëm ishte prania tërheqëse e Imperio Argentina. Zëri i saj, mënyra e interpretimit, vallëzimi dhe eleganca e kthyen në ikonë absolute të ekranit spanjoll. Në film interpretohen këngë që u bënë klasike të copla-s spanjolle”, vijon ai.
Filmi jo vetëm si objekt artistik
Skënderi Jaçe thotë se kinemaja ka fuqi të magjepsë dhe të krijojë kujtime, që zgjasin gjithë jetën, më shumë sesa çfarë tregon ekranin në sipërfaqe. “Isha vetëm 6-vjeç i shoqëruar nga motra ime, në kinemanë e qytetit tim në Kuçovë. I hipnotizuar nga ekrani i madh, nga muzika, kostumet, fytyra e Imperio Argentina-s… Ky është magjizmi i vërtetë i kinemasë klasike. Në atë moshë nuk kuptohet politika, propaganda apo historia e errët, pas filmit mbetet vetëm mrekullia vizuale. Pikërisht aty lind dashuria për kinemanë. Mbase kjo është arsyeja pse filmi ka mbetur kaq i gjallë brenda meje. Jo vetëm si objekt artistik, por si kujtim i parë i mahnitjes”, thotë Jaçe.
Por ndërsa flet për këtë film, ai thotë gjithashtu se kujtesa ruan jo vetëm imazhin e filmit, por edhe frymën e sallës, tingujt, dritën dhe muzikën që e bënë përjetimin kaq magjik. “Po është e vërtetë, e vizatova në memorie atë ekranizim me një fotografi mjaft të bukur bardh e zi, dhe sot e kam në arkivin tim kopjon e restauruar në blu – ray, në variantin spanjoll, duke bërë përpjekje ta kem patjetër edhe në variantin gjerman të restauruar, pasi ai variant është sevuar në memorien time të fëmijërisë. Ndoshta kjo e bën edhe më të bukur, pasi filmi nuk jeton vetëm në pelikul, por edhe në kujtesën emocionale të njeriut. Dhe pikërisht sepse ai kujtim është bardh e zi, i largët, i paqartë e njëkohësisht magjik, varianti gjerman bëhet më i fuqishëm në shpirtin tim. Kujtesa nuk ruan vetëm filmin, ajo ruan frymën e sallës, zhurmën e projektorit, tymnajën e lehtë të dritës në ekran, muzikën që dukej sikur vinte nga një botë tjetër”, vijon Jaçe. Edhe pse restaurimi modern mund të rifreskojë pamjen e filmit, sipas kineastit Jaçe, asnjë kopje nuk mund të rikrijojë plotësisht atë ndjesi origjinale, dhe pikërisht kjo sipas tij, e bën variantin gjerman të filmit më të fuqishëm dhe të bukur në memorien e tij personale.
“Një kineast e di fort mirë që restaurimi i një filmi, nuk restauron vetëm figurën, por restauron edhe kohën, gjë shumë e rëndësishme për një film. Por ndoshta, ndoshta asnjë restaurim modern nuk mund ta rikrijojë plotësisht atë që pashë unë fëmija 6-vjeçar në qytetin tim. Sepse aty hyn në lojë imagjinata. Dhe imagjinata e fëmijërisë gjithmonë e zbukuron filmin. Prandaj varianti gjerman më duket më i bukur, jo vetëm për ritmin apo tingullin e gjuhës, por sepse ai ekziston në memorien time si një mit personal”, shprehet Jaçe.
Filmi që u gjend dhe në Shqipëri
Skënder Jaçe thotë se filmi nuk është thjesht një produkt kinematografik, por një kombinim i kujtesës, atmosferës dhe fatit njerëzor, ku sipas tij, varianti gjerman ka një bukuri të veçantë artistike dhe historike. “Duke parë sot në një vështrim artistik, them se varianti gjerman tingëllon më bukur. Në këtë variant ekziston një kopjo edhe në Shqipëri “plaçkë lufte”, e cila u gjet në depot e prapavijës gjermane në Tiranë, pas kapitullimit të Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore.
Është pikërisht ai moment kur kinemaja pushon së qeni thjesht film dhe bëhet kujtesë, atmosferë dhe fat njerëzor. Historia e Carmen, la de Triana dhe variantit gjerman “Andalusische Nächte” mbetet ndër episodet më misterioze të marrëdhënies mes artit dhe propagandës në Evropën e viteve ’30. Në shumë dëshmi të kohës përmendet perfeksionizmi obsesiv i regjimit nazist ndaj imazhit kinematografik, sidomos kur filmi ishte menduar të shfaqej për publikun gjerman dhe trupat ushtarake në front. Figura e Imperio Argentina ishte aq e fuqishme saqë praktikisht filmi ndërtohej me praninë e saj. Dhe pikërisht aty lindi paradoksi artistik. Regjimi donte folklorin spanjoll, pasionin andaluz dhe ekzotizmin e Carmen-it, por njëkohësisht kërkonte kontroll total estetik mbi figurën mashkullore, ritmin dramatik dhe gjuhën. Fakti që ajo studioi për muaj të tërë skenarin në gjermanisht dhe tekstet muzikore, tregon profesionalizëm të jashtëzakonshëm”, shprehet Jaçe në këtë rrëfim për filmin. Ndërsa flet për realzimin e “Carmen la de Triana”, kineasti Jaçe thotë se sot filmi lexohet në disa nivele.
“Filmi bëhet interesant pikërisht, sepse përzien pasionin andaluz, folklorin spanjoll, teknikën ekspresioniste gjermane, dhe estetikën ideologjike naziste. Kjo është edhe një nga arsyet pse sot filmi lexohet në disa nivele. Si melodramë muzikore, si dokument historik, dhe si shembull i mënyrës sesi propaganda hynte në art përmes estetikës, jo vetëm përmes politikës së drejtpërdrejtë. Filmi kori sukses në 1938 në shumë vende të botës që nga USA dhe deri në BRSS. Shumë njerëz mund të kërkojnë data, emra, arkiva apo analiza akademike për “Carmen la de Triana”, Por shumë pak mund të ndjenë atë magji që lind kur një fëmijë sheh për herë të parë dritën e projektorit në një kinema qyteti dhe e mban atë imazh gjithë jetën si një dritë në shpirt që i ndriçon rrugën”, thotë Jaçe. Në vitin 1998 Spanja realizoi një film rreth kësaj historie të titulluar “Vajza e ëndrrave tuaja” (The Girl of Your Dreams).



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.