Kosova

Sqaron LDK-ja: Donika Gërvalla nuk përfaqëson LDK-në në Gjermani

Lidhja Demokratike e Kosovës,përmes një kumtese, sqaron anëtarësinë dhe opinion publik rreth mbledhjes së djeshme të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, duke vlerësuar se ishte një mbledhje, në një frymë, krejtësisht konstruktive dhe punuese e Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën morën pjesë anëtarët e Këshillit dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët nuk janë anëtarë të Këshillit.

“Për rreth katër orë, sa zgjati mbledhja, pjesëmarrësit përkrahën plotësisht politikat e LDK-së të prezantuara nga Kryetari si dhe qëndrimet për çështjet aktuale politike në vend. U miratuan unanimisht edhe dokumentet e përgatitura për Konventën e LDK-së e cila do të mbahet më 28 maj 2016. Këshilli i Përgjithshëm dje reflektoi unitet të plotë në ballafaqimin me sfidat e reja dhe me orientimet programore të LDK-së”, thuhet në kumtesën e LDK-së, transmeton Telegrafi.

“Për habinë tonë, gjatë mbajtjes së mbledhjes së Këshillit u dëgjuan zhurma jashtë sallës dhe më vonë kuptuam se kishte tentim për të hyrë nga znj. Donika Gërvalla, edhe pse nuk ka qenë e ftuar, nuk është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm dhe nuk u përket strukturave, të cilat ftohen në mbledhjen e këtij organi të lartë të LDK-së. Ne jemi të habitur me motivet për një veprim të tillë”.

LDK-ja sqaron se “gjatë procesit zgjedhor në LDK, në degën në Gjermani dhe Zvicer, nuk janë mbajtur procese të rregullta zgjedhore, rrjedhimisht znj. Gërvalla, nuk është kryetare dhe nuk përfaqëson Degën e LDK-së në Gjermani, ashtu sikur edhe z. Dibrani nuk përfaqëson degën e LDK-së në Zvicër. Kjo u është bërë me dije nga organet kompetente të LDK-së dhe u është tërheqë vërejtja se nuk mund të thirren në pozita, për të cilat nuk kanë legjitimitetin e votës në LDK”.

LDK-ja shpreh keqardhje për këtë instrumentalizim dhe keqpërdorim të LDK-së për motive të errëta.

“LDK-ja është parti institucionale, ku rregullat dhe procedurat respektohen, dhe nuk lejon që ndokush përmes improvizimeve të skandaleve të instaloj logjikën e dhunës”, thuhet në kumntesë.

“Ata që janë pjese e LDK-së dhe ndajnë vlerat dhe përgjegjësitë me ketë parti nuk bëjnë shfaqje të tilla dhe nuk e sulmojnë LDK-në, prandaj LDK nuk do t’i lejoj askujt që për çfarëdo motivi dhe interesi të krijoj përçarje dhe të tentoj të instaloj logjikën e dhunës”.

“LDK-ja fton të gjithë anëtarësinë e saj, që mos të bie pre e fushatave dhe sulmeve ndaj LDK-së të cilat kanë për synim dëmtimin e imazhit të saj duke pas parasysh forcimin dhe rezultatet që LDK po arrin në kuadër të qeverisjes së vendit, me zhbllokimin e proceseve vitale në pushtetin lokal, në veçanti në Komunën e Prishtinës, si dhe me rolin vendimtar në fuqizimin e tërësishëm të vendit”.

“LDK-ja konsideron se Kosova është në një fazë të zhvillimit, në të cilin duhet tejkaluar sjelljet anakronike, urrejtjet e brendshme, etiketimet dhe logjikën e dokeve provinciale, por duhet ndjekur rrugën e përkatësisë së një familje të madhe evropiane dhe të kultivojmë vlerat të cilat thellojnë miqësinë me SHBA-të”.

“LDK-ja i siguron të gjithë anëtarët e saj dhe qytetarët e këtij vendi se me përkushtimin dhe përgjegjësinë më të madhe do ta qeverisë vendin dhe do të krijoj kushte që qeverisja e koalicionit me sukses të përmbushë programin e saj, se do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe do ta mbajë agjendën evropiane dhe euroatlantike, si alternativë të vetme të perspektivës sonë”, përfundon njoftimi i LDK-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button