Sulmet në Bruksel, ISIS merr përgjegjësinë; publikohet foto e të dyshuarve
Përgjegjësinë e sulmeve terroriste në Bruksel, të kryera gjatë mëngjesit të kësaj të marte në aeroport dhe në metro, prej të cilave mbetën të vdekur të paktën 30 persona, e ka marrë grupi xhihadist i Shtetit Islamik.
Agjencia informative e xhihadistëve, “Amaq” bën të ditur se kamikazë të ISIS, të mbërthyer me rripa me eksplozivë, kanë kryer të dyja sulmet. Media belge njofton se policia është vënë në ndjekje të një prej agresorëve, i cili duket se u ka mbijetuar sulmeve.
Sulmet e koordinuara shkaktuan alarme sigurie në të gjithë Europën, si dhe nxitën shprehjen globale të mbështetjes, vetëm 4 ditë pasi policia e Brukselit kapi të dyshuarin e mbijetuar të sulmeve terroristë të Parisit, nëntorin e kaluar, të marra përsipër sërish nga ISIS.
Një dëshmitar tha se kishte dëgjuar të thirrura në arabisht dhe disa të shtëna, përpara se dy shpërthimet të dëgjoheshin në lozhën e nisjeve të Aeroportit të Zeventemit, si dhe në një metro.
Media belge ka publikuar një foto prej kamerave të sigurisë të 3 të rinjve, të cilët shtyjnë karrocat ku ishin vendosur valixhet përmes aeroportit, e që konsiderohen si të dyshuarit kryesorë të këtij sulmi. Po sipas mediave, dy prej tyre dyshohet të kenë hedhur veten në erë, ndërsa policia është vënë në ndjekje të të tretit. Ndërkaq, Prokuroria e Brukselit konfirmon se personi me të bardha ka qenë subjekt i hetimeve.
“Amaq” deklaroi se grupi i Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë vetëm pak orë pas sulmeve të mëngjesit. “Luftëtarë të Shtetit Islamik kanë hapur zjarr brenda Aeroportit të Zaventemit, përpara se disa prej tyre të aktivizonin rripat e eksplozivit, ndërkohë që një kamikaz martir hodhi veten në erë në stacionin e metrosë së Maalbeekut”, thuhet në agjencinë e xhihadistëve.
Presidenti amerikan Barack Obama udhëhoqi thirrjet për mbështetje ndaj kryeministrit belg, Charles Michel, vetëm pak pasi Brukseli u fut në një gjendje virtuale “shtetrrethimi”. “Duhet të jemi të gjithë bashkë, pavarësisht kombësisë, racës apo besimit në luftën kundër përhapjes së terrorizmit”, tha Obama gjatë një konference për shtyp në Kuba. “Ne mundemi dhe do t’i mposhtim ata që kërcënojnë qetësinë dhe sigurinë e popujve anembanë botës”.
Michel foli gjatë një konference për shtyp në Bruksel, duke e quajtur këtë të sotmen një “moment të zi” për vendin e tij. “Ajo që ne kishim frikë ndodhi”.
Shpërthimet ndodhën pas arrestimit në Bruksel të pjesëmarrësit të dyshuar të sulmeve të Parisit, ku mbetën të vdekur 130 persona. Policia belge dhe ushtarët kanë zbritur në terren dhe kanë qenë në gjendje maksimale alarmi që prej atëherë, pasi i frikësoheshin një hakmarrjeje, por sulmet ndodhën sërish, madje në zona tepër të populluara.