Opinion

Syriza dhe një krahasim grotesk me Shqipërinë

SKËNDER MINXHOZI 

Skender MinxhoziAleksis Cipras e mbajti premtimin e parë: nuk vuri kollare në takimin e parë me Presidentin Papulias, pak orë pas fitores së zgjedhjeve. Ka thënë se do ta shkelë këtë ritual vetëm nëse Greqisë i shlyhet borxhi i jashtëm. Pra, 321 miliardë euro, për një kravatë! Nuk është keq. Të paktën nga pozicioni i vështirë i Kryeministrit të ri grek, i cili ka një mal të lartë për të ngjitur në javët që vijnë.

Fitorja e pritshme e Syrizas në zgjedhjet e të dielës rrezikon të krijojë një efekt domino në Europën e tronditur nga kriza dhe nga forcimi i lëvizjeve antieuropianiste. Megjithatë, specifikat e rastit grek janë një garanci jo e vogël (të paktën për momentin), se precedenti Syriza nuk do të jetë i eksportueshëm edhe në Romë, Madrid apo në vende të tjera që vazhdojnë të vuajnë krizën financiare disavjeçare.

Këto orë ka qenë i fortë tundimi, në shumë prej vendeve europiane, për të bërë një krahasim mes zgjedhjes që bënë grekët, dhe asaj që mund të ndodhë në secilin prej vendeve të BE që kalon situata të turbullta financiare. Aq i fortë ka qenë ky tundim, saqë dëshira për të fantazuar ka zbritur edhe në Shqipëri. Edhe këtu mediat dhe politika u përpoqën të heqin disa paralele.

Cipras është një fenomen dhe zakonisht fenomenet tërheqin, intrigojnë. A mund të përsëritet një eksperiment si ai i Syrizas greke në politikën shqiptare? Ja një dilemë e cila ka vlerë të shtrohet, por që duket se ka shumë pak mundësi që të verifikohet si e vërtetë. Sepse skena shqiptare nuk ka asnjë prej elementëve përbërës, që do të lejonin krijimin e një alternative agresive si ajo e Syrizas në Greqi. Sot në Tiranë (e jo vetëm këtu te ne) kanë më shumë zili suksesin e Cipras, sesa atë që Cipras përfaqëson në të vërtetë. Pra, një parti të ekstremit të majtë, që hedh poshtë thuajse të gjithë kuadrin e rregullave që mbajnë në këmbë ngrehinën e sotme europiane. Ai kërkon uljen (jo shtyrjen) e borxhit grek, premton rritje rrogash dhe energji elektrike pa pagesë për të varfrit. Ai e festoi fitoren në shesh parmbrëmë me tingujt e “Bandiera rossa”.

Në qindra artikujt, intervistat e komentet që janë botuar rreth Cipras dhe Syrizas këto vite, ka dalë i qartë karakteri krejt i veçantë i këtij projekti politik. Pasi i shtoi ekstremit të majtë grek një dozë të konsiderueshme kontestimi ndaj gjithçkaje që vinte nga Brukseli, Syriza i nxori komunistët grekë në periferi të preferencave të elektoratit. Mediat ndërkombëtare shprehen me habi për suksesin e një partie që i ka të mbushura muret e selive me fotot e Roza Luksemburgut, Karl Marksit dhe Che Guevarës (njëri ndër djemtë quhet Ernesto, në nderim të liderit komunist kuban).

Ngjitja e rrufeshme e Syrizas është fryt jo vetëm i aftësisë së kreut të saj për të kapur majat e politikës së lodhur greke. Cipras është një fenomen, por kushtet krejt specifike në të cilat ai u shfaq dhe bëri udhë, e bëjnë atë një faktor të fuqishëm drejtues në vendin fqinj. Kryeministër i një vendi që po cilësohet këto vite si i “sëmuri kronik i Bashkimit Europian”, Cipras i ka mbledhur votat jo duke u ofruar grekëve të varfër një listë premtimesh që shumëkush e beson si thjesht të parealizueshme.

Syriza erdhi e u fuqizua si një forcë politike e ekstremit të majtë, në emër të kontestimit të politikës shtrënguese të BE dhe Kancelares Merkel. Thuajse një sakrilegj i paimagjinueshëm për secilin prej politikanëve shqiptarë, në të gjitha anët e spektrit politik. Është pikërisht agresiviteti ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe vendeve më të fuqishme të Perëndimit, një aspekt i Cipras, që e bën atë krejtësisht të pakopjueshëm nga secili prej politikanëve shqiptarë servilë të të gjitha krahëve. Imagjinoni sikur një ndër partitë politike të ngrihej kundër marrëdhënieve me Brukselin, Berlinin dhe Uashingtonin! Do të duhej një imagjinatë e ekzagjeruar për të përfytyruar sesi do të ishte një projekt i tillë, në një vend ku procesi politik konsiderohet shpesh si një vijimësi fabulash me ambasadorë të huaj të Perëndimit që zgjidhin në çdo moment krizat, caktojnë qeveritë dhe bëjnë kohën e mirë e të keqe. Në një ambient të tillë, Cipras do të ishte thjesht një politikan i pashpresë dhe jashtë kohe! Pak më shumë se një delirant i çmendur!

Të gjitha mediat njoftonin pardje se veprimi i parë i Cipras pas fitores, ishte vendosja e luleve në varret e grekëve të vrarë nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore. Një gjest që s’do të guxonte ta bënte asnjë qeveri e majtë shqiptare në ditën e parë të punës së saj (madje qeveria aktuale u fsheh edhe në 70-vjetorin e Çlirimit). E shkuara i ka imponuar Shqipërisë një qëndrim të thellë mosbesues ndaj trashëgimisë komuniste, e për pasojë, edhe ndaj një projekti politik që do ta synonte ta përfaqësonte atë në jetën politike në demokraci. Çka nuk ka ndodhur me Greqinë, e cila ka pasur një marrëdhënie më të shtensionuar me ideologjitë e majta, sesa vendi ynë i dominuar nga një regjim totalitar 50-vjeçar. E majta e sotme greke e ka luksin madje edhe që të evokojë idhujt e saj të së shkuarës si gomë shpëtimi në kushtet ku ndodhet vendi. Një precedent që nuk vlen në rastin tonë, ku rikthimi në eksperiencën e komunizmit të Hoxhës është thjesht një alternativë e pashpresë.

Megjithatë, nuk është keq të fantazohet edhe në Shqipëri, një parti që shfaqet “nga hiçi”, si ajo e Aleksis Cipras. Sepse Shqipëria ka nevojë urgjente që ta thyejë partitokracinë e saj njëzetvjeçare, thellësisht të korruptuar dhe të paaftë. Nëse Syriza përfaqëson sot një ideal pozitiv edhe për ne fqinjët veriorë të Greqisë, ky është pastrimi i klasës drejtuese greke nga dinastitë politike dhe shkundja e saj nga interesat e dyshimta të biznesit. Pa harruar edhe atë që thoshte me të drejtë dje një komentator i njohur italian, kur kujtonte sesa anormale është “që guvernatori i Bankës Gjermane, një teknicien i pavotuar nga askush, t’u drejtohet Greqisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE, sikur të ishte Kancelarja Merkel”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button