Tahiri: Nevojitet më shumë bashkëpunim, krimi nuk njeh kufi
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka kërkuar një bashëkpunim më të madh mes Ministrave të Ballkanit perëndimor, pasi krimi nuk njeh kufi.
Deklara e Ministrit të Punëve të Brendshme Shqiptarë është bërë sot gjatë takimit të ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor, Italisë dhe Francës që po mbahet në Romë të Italisë. Takimi me temë “Lufta kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, organizohet nën kujdesin e Ministrit italian Angelino Alfano, në kuadër të projektit IPA. Ndër të tjera, në këtë takim u diskutua edhe lidhur me luftën kundër drogës, terrorizmi, etj.
Ministri Tahiri duke marrë fjalën në takim ka propozuar ngritjen e mekanizmave për bashkëpunimin dhe koordininin ndërmjet agjencive në rajon. Ministri Tahiri theksoi se krimi nuk njeh as kufij e as burokraci, ndaj nevojitet më shumë bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet shteteve për të qenë më të shpejtë se krimi.
“Bashkëpunimi mes nesh është shumë i rëndësishëm për aq kohë sa ne duhet të shkëmbejmë informacionin për arritjet tona, po njëkohësisht të mësojmë edhe nga gabimet e njëri-tjetrit. Në këtë fazë sfidat tona janë të përbashkëta, sidomos kur flasim për çështjen e terrorizmit, që është një sfidë sa rajonale aq edhe globale ndaj suksesi ynë varet nga bashkëpunimi. Një propozim fillestar eshte krijimi i një bordi të veçantë me teknicienë nga rajoni i Ballkanit, të cilët mund të koordinojnë më mirë punën mes tyre, të shkëmbejnë informacione mes agjencive përkatëse, jo vetëm për çështje operacionale por edhe për çështje te tjera. Kjo do të na ndihmonte në kapacitet tona për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe po ashtu edhe terrorizmin, e trafiqet e paligjshme, për të pasur të dhëna më të qëndrueshme dhe së fundmi të na bëjë më të mirëpregatitur për t’iu bashkuar familjes europiane me vlerat tona të përbashkëta, për të cilat jam i sigurt që duam t’i ndajmë me njëri-tjetrin”, tha ndër të tjera në fjalën e tij ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Të pranishëm në punimet e këtij Ministeriali janë edhe Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së vendeve të rajonit, ndërsa merrnin pjesë Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi, Bosnjes, Serbisë, Kroacisë, si dhe Ministri i Brendshem i Italisë dhe përfaqësues të policise franceze.