Politika

Takimet në Bruksel, Xhaçka-Dendiasit: Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për ‘Belerin’, të vazhdojmë bashkëpunimin miqësor

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka dhënë detaje nga takimet e saj në Bruksel në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian.
Qëllimi i takimit me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, sipas Xhaçkës ishte thellimi i dialogut midis BE-së dhe Ballkanit për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, në kuadrin e rëndësisë gjithnjë e më të madhe që BE po na kushton në kontekstin aktual gjeopolitik.

Xhaçka: Pata kënaqësinë të takohem me kolegët e mi, ministra të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Qëllimi i takimit ishte thellimi i dialogut midis BE dhe vendeve tona për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, në kuadrin e rëndësisë gjithnjë e më të madhe që BE po na kushton në kontekstin aktual gjeopolitik.

Xhaçka: Diskutuam mbi nevojën e ruajtjes së unitetit evropian dhe mbështetjen pa rezerva për Ukrainën, respektimin e parimeve ku bazohet siguria jonë e përbashkët evropiane dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Sot në Bruksel u bë i qartë edhe një herë qëndrimi i përbashkët për izolimin e Rusisë në agresionin e saj të paligjshëm dhe detyrimi për të siguruar përgjegjësinë dhe llogaridhënien për aktet mizore prej më shumë se një viti ndaj popullit ukrainas. Shqipëria rikonfirmoi pozicionin e saj të palëkundur për linjëzimin e plotë me vendimet e Bashkimit Evropian, duke u bërë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrojtëse e vlerave të përbashkëta evropiane, gjë për të cilën u përgëzuan edhe nga përfaqësuesi i lartë Borrel dhe nga vendet anëtare të BE. Në këtë situatë sigurie në Evropë, stabiliteti dhe siguria në rajonin tonë marrin një rëndësi të shtuar.

Gjatë takimeve në Bruksel, ministrja theksoi nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE-së për rrugën e integrimit të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.

Xhaçka: Shpreha vlerësimin për rigjallërimin e procesit të zgjerimit, por duke theksuar nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE. Nga pikëpamja jonë kjo do të thotë, se pari përparim në procesin e negociatave, duke hapur këtë vit negociatat për grupin e parë të kapitujve. Së dyti, stabiliteti kërkon rritje ekonomike në vendet tona. Reformat që Shqipëria ka ndërmarrë janë kyç për rritjen ekonomike por na nevojitet një mbështetje më domethënëse e Bashkimit Evropian, përmes rritjes dhe rikonceptimit të asistencës financiare. Së treti, në situatën e pasigurtë gjeopolitike ku ndodhemi, kërkova mbështetje për forcimin e kapaciteteve tona për tu përballur me sfidat e kohëve që po jetojmë. Kjo përfshin sidomos mbrojtjen kibernetike.

Gjatë takimit me homologun grek, Nikos Dendias, Xhaçka theksoi vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen “Beleri”.

Xhaçka: Me kolegun Dendias pata një takim të mirë, i cili ishte një mundësi për të diskutuar nga afër çështjen. E urova për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e djeshme dhe I shpreha dëshirën tonë të sinqertë që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen Beleri, të mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë miqësor për të cilin kemi hapur tashmë një faqe të re. Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut. Është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar. Është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote. Pra, kemi të bëjmë me një çështje që i përket gjyqësorit dhe ku nuk ka vend për ndikime politike nga brenda e jashtë Shqipërisë. Për pavarësinë e gjyqësorit ne jemi investuar në mënyrë serioze sikundër është investuar edhe Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button