Maqedonia

Talat Xhaferi merr zyrën e kryeparlamentarit të Maqedonisë

Kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi i është dorëzuar kabineti nga pasardhësi i tij, Trajko Veljanovski përkundër kundërshtimeve nga ana e tij që këtë ta bënte pas zgjedhjes së Xhaferit për kryeparlamentar të enjten e kaluar nga shumica e re parlamentare.

Madje deputetët e VMRO DPMNE-së të martën kishin hyrë të gjitha në kabinetin e kryetarit të Kuvendit për të manifestuar unitet në vendimin e tyre për të mos hequr dorë nga mos-njohja e Xhaferit.

Pas largimit të Veljanovskit i cili kryesonte për gati një muaj mbledhjen konstitutive të Kuvendit, shërbimet e Kuvendit tanimë kanë nisur procedurën e zyrtarizmit të Talat Xhaferit në gazetën zyrtare, për të rrumbullakësuar procesin e zyrtarizimit të tij për kryetar të Kuvendit.

Pas këtij akti pritet që Xhaferi të njoftojë presidentin Gjorge Ivanov se në Kuvendin e Maqedonisë ka shumicë parlamentare dhe se mandati për kryeministër duhet ti ndahet liderit Social-Demokrat, Zoran Zaev.

“Duhet të ketë një akt juridik, vendim se kryetari i ri është zgjedhur. . Këtë duhet shërbimet e Kuvendit ta bëjnë.Vendimi duhet të shpallet në gazetën zyrtare dhe me këtë kompletohet e gjithë procedura. Nëse procedura është e rregullt me dokumentacion të kompletuar, patjetër që duhet të shpallet”, thotë ish kryetari i Kuvendit Stojan Andov.

Nga shumica parlamentare presin që presidenti Gjorge Ivanov të mos pengoj më dhënien e mandatit liderit të LSDM-së, Zoran Zaev i cili ka hartuar edhe programin qeveritar si garanci se nuk do të ketë ndarje të shtetit apo prishje të karakterit unitar siç pretendonte Ivanov por edhe VMRO-ja e Nikolla Gruevski.

Xhaferi takimin e parë e ka realizuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar. “Bashkimi Evropian është i gatshëm të punojë me kryetarin Xhaferi për zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin euroatlantik të Maqedonisë”, ka shkruar ambasadori Zhbogar në Tuiter pas takimit me kryeparlamentarin e ri të Maqedonisë.

Zgjedhja e Talat Xhaferi për kryetar Kuvendi është njohur edhe nga Britania e Madhe e cila kërkon formimin edhe të qeverisë së re nga LSDM-ja dhe partitë shqiptare.

“Mbretëria e Bashkuar mbështetën vendimin demokratik të shumicës së deputetëve të Maqedonisë për ta përzgjedhur Talat Xhaferin si Kryeparlamentar. Ne do të bashkëpunojmë me të. I bëjmë thirrje të gjithë individëve, institucioneve dhe partive që të mundësojnë transferim të pa dhunë dhe pa pengesa të qeverisë. Sa më shpejtë që të formohet ajo, aq më shpejtë do të mund të vazhdohet me implementimin e reformave urgjente nga të cilat do të përfitojnë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button