TAP, puna në segmentin lindor në Shqipëri do të nisë në vitin 2017
Projekti Trans Adriatic Pipeline filloi transportin e 4,900 tubave çeliku me gjatësi 18 metra, nga vend-depozitimi kryesor në Durrës në drejtim të rajonit të Korçës.
Burime nga TAP bënë të ditur se kjo do të bëjë të mundur që aktiviteti ndërtimor në segmentin lindor të tubacionit me gjatësi 86.5 km të nisë në vitin 2017. Ky seksion përbën rreth 40% të totalit tokësor prej 215 km në territorin shqiptar.
Përfundimi i fazës së parë të ndërtimit të rrugëve hyrëse dhe urave në Korçë në nëntor të këtij viti ka rritur kushtet e sigurisë për transportin e tubave.
Deri më sot, rreth 65% e 13,000 tubave që do të përdoren për seksionin tokësor të gazsjellësit TAP në Shqipëri kanë mbërritur. Përafërsisht 4,000 tuba janë transportuar në zonën e Fierit, 300 në zonën e Beratit dhe 300 në drejtim të zonës së Korçës.
Kontraktori i TAP “Spiecapag” ka zgjedhur si partner kompaninë shqiptare Diamant sh.p.k., e që në bashkëpunim po ndërmarrin këtë proces.
TAP është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, i cili është një nga projektet energjetike prioritare për BE-në.
Projekti parashikon transportimin e gazit nga Faza e dytë e fushës së Shah Deniz në Azerbajxhan drejt vendeve të BE-së.
Rruga e TAP nëpër Shqipëri do të jetë rreth 215 km nëntokë dhe 37 km në det të hapur. Ajo fillon në Bilisht në rajonin e Korçës, në kufirin shqiptaro-grek dhe arrin në detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në brendësi nga bregu.
2017, pika kulmore për projektin TAP
Viti i ardhshëm pritet të jetë më i rëndësishmi për ndërtimin e projektit Trans Adriatic Pipeline, i cili do të arrijë kulmin. Sipas studimit të Oxford Economics (OE) përfitimet nga ndërtimi do të arrijnë kulmin në vitin 2017.
Nga ky aktivitet, pritet të gjenerohen 57 milionë euro direkte në PBB, si dhe të krijohen 4,200 vende pune (me kohë të pjesshme dhe të plotë).
Në total, nga faza e ndërtimit pritet të gjenerohen në PBB rreth 157 milionë euro.
Ndikim në ekonomi do të ketë edhe nga angazhimi i nënkontraktorëve lokalë, ku për vitin 2017, ndikimi i tërthortë në PBB do të jetë rreth 39 milionë euro, ndërsa deri në përfundim të ndërtimit, kjo shifër do të arrijë në 110 milionë euro. Edhe për shkak të shpenzimeve që do të realizojnë punëtorët që do të angazhohen në mënyrë direkte dhe indirekte, Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të përfitojë rreth 40 milionë euro gjatë 2017-s.
Faza operacionale e ndërtimit do të zgjasë deri në vitin 2019. Në krahasim me fazën e ndërtimit, ndikimi në ekonomi do të jetë më i ulët. Gjatë fazës së parë të transmetimit të gazit, kontributi do të jetë në rreth 7.6 mln euro, me vetëm 109 vende pune të përhershme dhe të përkohshme.