Ekonomia

Të udhëtosh në kanionet e Osumit, një aventurë turistike

Jemi në fillimin e sezonit veror dhe ditët po nxehen gradualisht. Mënyra për ta shmangur të nxehtin janë plazhet detare dhe më vonë do të fillojnë edhe ato liqenore dhe lumore. Por vendi ynë ka edhe të tjera ku mund të kalosh shumë bukur fundjavën apo dhe disa ditë.

Një ftesë bëhet edhe nga kanionet e mrekullueshëm që shtrihen përgjatë rrjedhës së Osumit, që  të befasojnë me pamje të panjohura surprizuese në katër stinët e vitit. Rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër në gjatësinë e shtrirjes së tyre është panoramë që rrallë e takon. Vendi piktoresk e romantik bëhet shumë sportiv kryesisht në periudhën e verës. Duhet të njohësh nga afër poetin e madh Xhevahir Spahiu, si dhe të kesh shijuar disa nga poezitë e tij më brilante, për të kuptuar mbase diçka të paktë nga magjia e vendlindjes së tij dhe se, përse vargjet i ka aq të bukura e rebele. Malet janë bleruar dhe ujërat e zhurmshme të Osumit, në këmbë të malit të Tomorrit, fronit të Perëndive, siç e quante Naimi ynë, kanë marrë  pranverë.

Kanionet e Skraparit janë të rralla në Europë. Mahnitja që ndjen pranë  tyre është e papërshkueshme. Ato kanë një gjatësi rreth 10 kilometra dhe thellësia e honeve shkon deri në 340 metra. Kohët e fundit, përveç ekipeve sportive osumi2të huaja që vijnë për kanotazh, vijnë edhe artistë të ndryshëm, që realizojnë videoklipet e tyre të këngëve. Pavarësisht nga këto bukuri spikatëse, çdo vizitor vëren edhe rrallimin e banorëve në këto zona. Shumë banorë e kanë braktisur vendlindjen, në kërkim të një jete më të mirë drejt Tiranës, Durrësit a gjetkë. Emigracioni, më së shumti drejt Greqisë fqinje dhe Italisë, ka hequr nga prodhimi forcën më të madhe aktive që përbëhet nga të rinjtë, të cilët duhej të  menaxhonin resurset e shumta të  natyrës së këtij vendi, duke u marrë me punët e zakonshme të krahinës, me vreshtari, blegtori dhe kryesisht me turizëm.

Po të futesh në zonën e Çorovodës ka disa vende që duhen vizituar. Pranë brigjeve ka disa fshatra tipik krahinorë që flasin me të sotmen por edhe me të shkuarën e tyre. Blezencka të tërheq me bukurinë dhe historinë e tij. Po ta shikosh nga  brigjet e Osumit duket si një ortek shtëpish që, prej rrëshqitjes së dherave,  po bie në humbëtirat e kanioneve. Është një zonë shumë e përshtatshme për vreshtari, ullinj e pemë frutore. Një vend të rëndësishëm e me shumë leverdiosumi1ekonomike,zë edhe blegtoria. Vetëm me shitjen e produkteve të njohura të Skraparit, raki dhe verëra, bagëti e produkte të qumështit, banorët nxjerrin fitime të mira. Kur mëson për këto fitime, të vjen keq kur ndesh vende të braktisura që janë edhe më shumë produktive. Shumë prej të rinjve vendas thonë se bëjnë të njëjtat punë në Greqi dhe fitojnë atje mbase më pak se sa po të punonin në pronat e tyre.

Fshati i Kullave quhet i tillë për shkak të kullave në qëndër të fshatit. Aty dallohen një grumbull kullash, të cilat duken si fortesa të vogla. Duken punimet cilësore të mjeshtërve të vjetër që kanë synuar jetëgjatësinë e ndërtesave për të mbajtur në to të gjallë jetën e shumë brezave. Një vend ku vizitori qëndron dhe pritet mjaft ngrohtë. Në rrjedhën e lumit ka dhe plot vende të tjera që të joshin me historinë e tyre apo intrigën e emrave të çuditshëm.

Në vazhdimësi udhërrëfyesi t’i prezanton. Ja këtu ndodhet një dru vidhi i moçëm që askush nuk guxon ta prek. Është një pemë e rrëzuar, por që askush nuk e ka marrë për dru zjarri. Pema është një vidh shekullor me mbi 30 metra gjatësi që është rrëzuar nga mosha, por që ka prapa një histori. Legjenda thotë se Kryegjyshata e parë e Bektashinjve në Shqipëri është ndërtuar në fshatin Prishtë. Fshatarët ende besojnë se pema ka lulëzuar pikërisht në vendin ku ka mbështetur majën e shkopit të vetë Kryegjyshi i ardhur nga Stambolli.

– Ja dhe Guri Hidrometrik. Që prej kohësh që s’mbahen mend edhe këtu banorët kanë gjetur në natyrë objekte, të cilat u kanë shërbyer si mjete të përcaktimit të dukurive të ndryshme natyrore e gjeografike. Duke banuar në brigjet e një lumi malor, në një vend me klimë mjaft kapricioze, banorët e mençur kanë arritur të përcaktojnë me shenja se kur do të ketë shira, diell, dëborë etj. Pak a shumë si banorët e Egjiptit të lashtë.

Interesant është një gur që gjendet në thellësi të shtratit të lumit, pranë urës së vjetër. Kur ky gur mbulohet nga uji i reshjeve, atëherë lumi përmbyt tërë qytetin e Çorovodës. Bazuar tek këto thënie, këtë lloj guri, që shquhet hijerëndë në mes të shtratit lumor, mund ta quajmë si Gurin Hidrometrik të Skraparit.

Një tjetër legjendë na flet për “Vërën e Nuses”. Një histori paksa komike por edhe tragjike. Pranë brigjeve me kanione ekziston një gropë për të cilën tregohet kjo histori. Një legjendë për dashurinë dhe besnikërinë. E monumentalizuar tashmë në gurët gëlqerorë të breglumit. Gropa, quhet nga vendasit “Vëra e Nuses”. Nusja vinte nga Grepcka në Rovesë. Legjenda vjen nëpërmjet një kënge te trishtuar e tragjike.
O moj udhë, e mbara udhë
Hapu ti të futem unë…
Ç’kishte ndodhur që nusja në ditën më të bukur të jetës së saj të bënte një thirrje kaq tragjike për t’u vetësakrifikuar. Përgjigjen vazhdon ta japë legjenda. Krushku shoqërues, i dehur nga bukuria e nuses, s’e ka kontrolluar veten dhe, duke përfituar nga rruga e keqe, ka tentuar ta pushtoj nga pasioni nusen e ngratë. Nusja s’e ka duruar këtë turp dhe është hedhur në kanione…

Realisht për shkaqe dashurie të parealizuara e drama të mëdha shpirtërore mund të jenë vetëflijuar shumë vajza të bukura, dhe sot legjenda e kësaj nuseje ka si monument pikërisht një gropë në anë të kanioneve. Këtë legjendë të rrallë të Skraparit e tregojnë shumë vendalinj. Duke udhëtuar përgjatë rrjedhës së Osumit, jo vetëm shijon bukuritë e natyrës, aventurën, por njëherësh edhe histori të ndryshme dhe gojëdhëna.

Një tjetër histori që mëson është ajo mbi “Varret e kaurit”, që  gjenden në Gjerbës. Aty dikur, janë strehuar banorë të Himarës, të cilën në furinë e largimit nga pushtuesit turq a mbase nga piratët e shumtë të brigjeve joniane, largoheshin në vende më të thella për t’i shpëtuar plaçkitjeve e vrasjeve, por këta nuk kishin harruar që të merrnin me vete edhe kambanën e kishës së tyre si pjesë të pandarë të identitetit kulturor e shpirtëror. Në ditë të vështira, populli i kësaj treve u është gjendur vëllezërve të Himarës në fatkeqësi, duke u dhënë vend në sqetull të malit të tyre të shenjtë. Varret e e vjetra të himarjotëve, edhe sot quhen “Varret e kaurit”.  Kanionet e Çorovodës nuk të ftojnë vetëm për bukurinë e tyre natyrore, por atje ç’do shpellë e guvë ka një histori.

Nuk mund të rrish pa i kujtuar këto vlera kur udhëton nëpër këtë trevë të veçantë. Një vend i mbushur me bukuri dhe histori, meriton dhe një vëmendje dhe konsideratë për atë që quhet infrastrukturë rrugore. Kjo do të sillte më shumë turistë në këtë zonë, e për pasojë më shumë të ardhura.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button