Teksas, shkarkohet oficeri që vrau 19-vjeçarin afro-amerikan
Oficeri i policisë në Arlington të Teksasit, që vrau një të ri afro-amerikan para disa ditësh, është shkarkuar. Lajmi është konfirmuar nga shefi i policisë, Will Johnson.
Oficeri Brad Miller humbi punën e tij me arsyetimin për “gjykim të dobët”, ndërkohë që ishte në fazën e fundit të trajnimit të tij.
Miller kishte shtënë disa herë në drejtim të ish-lojtarit të futbollit amerikan, Christian Taylor, 19-vjeç, duke e lënë të vdekur. Autoritetet kanë thënë se i riu kishte refuzuar të dorëzohej, ashtu siç kishin kërkuar oficerët.
Vrasja e Taylor, që erdhi në njëvjetorin e vdekjes së një të riu tjetër në Ferguson, ka rihapur debate mbi racizmin në SHBA.
Ashtu sikurse edhe në disa raste të tjera, edhe në rastin e Taylor viktima nuk ishte i armatosur, megjithatë hetimet vazhdojnë për të kuptuar pse ka ardhur deri tek përdorimi i armës që shkaktoi vdekjen e 19-vjeçarit.