Tensionet në kulm, Turqia kërcënon ashpër BE-në
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, kërcënoi me anulimin e marrëveshjes që frenon fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve në Bashkimin Evropian.
Një vit më parë, kur Evropa ishte në mes të krizës së emigrantëve, Turqia negocioi marrëveshjen për të ndaluar emigrantët e paligjshëm te kalonin në Greqi, në këmbim të përshpejtimit të integrimit të Turqisë në BE dhe të një ndihme prej gjashtë miliardë dollarësh.
Cavusoglu tha se Turqia po e rishikon marrëveshjen dhe “nëse BE nuk i përmbahet pjesës së saj”, Ankaraja do ta anulojë atë, raporton REL.
Marrëdhëniet Turqi-BE janë tensionuar ditëve të fundit, pasi disa shtete evropiane u kanë ndaluar zyrtarëve turq të bëjnë fushatë në territorin e tyre, në mbështetje të një referendumi që do të forconte pushtetin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.