Kryeartikull

Terrorizmi, arsyeja dhe feja instrumentale

Andrea Stefani
Andrea Stefani

Pas akteve terroriste në Paris ka shpërthyer një debat i paarsyeshëm, dhe për rrjedhojë aspak emancipues e shpëtues, mbi fajësinë e Islamit si fe në nxitjen e terrorizmit. Sikur në shekuj nuk janë zhvilluar luftëra, inkuizicione deri edhe terror në emër të feve të tjera, ndër të cilat, edhe të asaj të krishterë. Por edhe në ato raste faji nuk ka qenë aspak i feve, por i njerëzve që i kanë keqpërdorur ato për të racionalizuar krimet e tyre.

Fetë janë produkt i njeriut dhe jo njeriu produkt i feve. Ndaj të thuash se feja është fajtore për krimet e njeriut, nuk e ke shpëtuar as këtë të fundit nga faji apo përgjegjësia. Por identifikimi i terrorizmit me fenë islame apo edhe përdorimi i Islamit nga terroristët për të racionalizuar dhunën i ka rrënjët, si jo pak të tjera prirje të tjera vulgarizuese jo vetëm të akteve por edhe të shpjegimit të tyre, në një dukuri shumë më të hershme, të nisur shekuj më parë dhe që, sipas filozofit Maks Horkheimer, ka patur për produkt përfundimtar formalizimin ose, që është e njëjta gjë, instrumentalizimin e arsyes, shndërrimin e saj në mjet edhe për qëllime të paarsyeshme. Një i tillë instrumentalizim degradues, po ndodh edhe me fenë.

Qytetërimi perëndimor që në fillimet e veta u përpoq, me anë të iluminizmit, ta vendoste në piedestal arsyen duke e shpallur kriter të së vërtetës. Pikërisht për këtë shkak filozofia i dha një goditje vendimtare fillimisht metafizikës dhe më pas edhe hegjemonisë së fesë si referencë objektive apo kriter i të mirës e të keqes me të cilën, njeriu duhet të ballafaqonte dhe vlerësonte qëllimet si dhe veprimet e veta.

Mbarimi i hegjemonisë së fesë si kriter, jashtë njeriut, për vlerësimin e veprimeve të njeriut, nuk do kish qenë aq me pasoja sikur vendin e fesë ta kishte zënë arsyeja. Por mjerisht, ne shohim që krahas këtij revolucioni që pretendonte të kurorëzonte arsyen, të zhvillohej edhe një proces tjetër, ai i subjektivizmit, formalizimit të arsyes dhe i degradimit të saj në një instrument. Kjo edhe për shkak se proceset e industrializimit kërkonin thjesht një përvetësim mekaniko-simbolik të koncepteve dhe jo edhe të përmbajtjes mendore të tyre. Njësoj si mësimi përmendësh i një kënge a vjershe në gjuhë të huaj që ti e thua por nuk ja di kuptimin. Apo të një formule matematike që ti e përvetëson dhe madje e aplikon, pa e vrarë shumë për themelin logjik që ka shpënë në lindjen e saj. Kështu, konceptet zbrazen, ata janë tashmë thjesht lëvozhga të mendimit, bullona në makinën e madhe të industrisë por të shkëputura krejtësisht nga përpjekja intelektuale që i ka pjellë pra, nga mendimi si përmbajtje. Mendja përvetëson pa arsyetuar.

Krahas këtij procesi të lëvozhgëzimit të mendimit, zhvillohet një proces kundërthënës simbiotik: Nga njëra anë ngrihet në piedestal kombi dhe nga ana tjetër interesi privat. Për këtë të fundit, e mirë është vetëm ajo që më shërben. E keqe, e kundërta. Por meqenëse ndërkohë arsyeja instrumentalizohet pra bëhet instrument pikërisht e interesit privat, njeriu nis e mendon si të mirë për veten e tij vetëm atë që është empirike, e prekshme, e afërt, e perceptueshme, materiale por jo atë që është e mira e vërtetë edhe pse mund të jetë vështirë e kapshme për momentin, e paperceptueshme por vetëm e arsyetueshme. Dhe lind kështu një çarje artificiale mes empirikes dhe racionales, të sotmes dhe ardhmërisë, mes të drejtpërdrejtës dhe të tërthortës, individuales dhe sociales, interesit privat dhe interesit kombëtar. Kontradiktë që mprihet aq shumë me kalimin e kohës sa që kombi, më në fund, mund ta ruajë homogjenitetin social e vet vetëm me anë të nxitjes së frikës nga ligji që, në një farë mënyre, është një lloj terrori pa shpërthime. Kjo shpjegon, sqaron Horkheimer, edhe “tendencën e liberalizmit për t’u shndërruar në fashizëm”. Konflikt i pashmangshëm ky, i një gjendjeje të fosilizimit të arsyes deri në paaftësim të njerëzve për të rrokur thelbin e ligjeve të mira si liri dhe realizime të arsyes po njerëzore.

E subjektivuar dhe zalisur, jo më kriter objektiv për veprimet, pa autonomi nga ato që i shfaqen njeriut si interes privat, sovrane ndaj parimeve objektive, arsyeja reduktohet kështu në instrument të justifikimit (racionalizmit) të veprimeve dhe qëllimeve të individëve, partive, shteteve, cilado qoftë natyra e tyre. Në këtë rast edhe të terrorizmit. Parimet e lirisë, drejtësisë, barazisë, demokracisë, pronës dhe lumturisë nderohen nëpër Kushtetuta por vetëm si relike të shenjta që nuk kanë forcë tërheqëse për praktikën e jetës së përditshme që sundohet tashmë nga arsyeja subjektive dhe jo ajo objektive produkt i të cilës ato janë. Gjithçka relativizohet deri në atë shkallë sa nis të vihen në dilemë edhe të vërtetat që dikur mendoheshin si aksiomatike. Për shembull, kush është kriteri për të vërtetuar se demokracia na qenka më e mirë se diktatura apo liria më e mirë se skllavëria? Version i këtyre dilemave, produkti i arsyes së zalisur, është edhe debati për avantazhet e Lindjes apo Perëndimit. Apo nostalgjia për diktaturat, diktatorët dhe tiranitë.

Dilema të tilla bëhen edhe më ngulmuese në një situatë të krijuar gradualisht si rrjedhojë e rendjes së verbër, jo vetëm të individëve por edhe të shoqërive apo shteteve të tëra, drejt atij që e besojnë si interes privat (apo të shtetit përballë shteteve të tjera) por që në afatgjatë, është dëmtues dhe rrënues për vetë këtë interes. Si për shembull, nga rendja me epsh e bankierëve për të vjelë pa mundim fitime të shpejta me anë të tregtimit të derivativëve që, të ndërthurura me korrupsionin e shoqërive audite, frynë flluskën gjigande mashtruese të industrisë imobiliare shpërthimi i të cilës, e zhyti Globin në një krizë nga e cila nuk po del dot prej vitesh. Rrjedhojë e interesit të verbër privat, pashmangshëm në konflikt me interesin publik, është edhe polarizimi i skajshëm i shoqërive (jo vetëm në shtete si Shqipëria por edhe në demokraci si SHBA) në ekstremisht të pasur dhe ekstremisht të varfër. Por jo vetëm i shoqërive apo shteteve por edhe i kontinenteve.

Dhe prej kësaj pabarazie të arsyetuar vetëm nga një “arsye” e instrumentalizuar, vijnë jo vetëm destabilizime të brendshme sociale por edhe luftërat dhe bashkë me to, edhe dyndjet e papara të emigrantëve që, ironikisht, janë jo vetëm në logjikën e interesit privat por edhe të lëngjeve që tentojnë të nivelohen në një enë komunikuese sikundër është shndërruar sot Rruzulli në kushtet e hapjes dhe globalizmit.

Dhe, për të ardhur te feja dhe terrorizmi, ashtu si arsyeja ka degraduar në instrument i qëllimeve në fakt, të paarsyeshme, po ashtu instrumentalizohet edhe feja, në këtë rast, ajo Islame. I atomizuar jo vetëm nga interesi privat por edhe nga kultura vulgare masive, i rrethuar nga një pabarazi vrastare e dinjitetit por njëherazi edhe “e arsyetuar”, njeriu tenton të arratiset nga kjo gjendje, e paarsyeshme për interesin e tij privat, duke kërkuar “arsyen”, pra dhe shpëtimin, te feja. Por tek një fe edhe ajo e instrumentalizuar për të përligjur pakënaqësitë, urrejtjet e deri edhe krimet dhe terrorin, që ka humbur arsyen e vet sepse kërkon të përligjë vrasjen e krijesave të Zotit, në emër të Zotit! Tek një fe që, e instrumentalizuar kundër frymës së saj të vërtetë, ka zënë vendin e ideologjisë “revolucionare” por me të njëjtin qëllim, racionalizmin e dhunës dhe terrorit. Citate në librat e shenjtë, jashtë kontekstit teorik por edhe historik, mund të gjenden dhe të shfrytëzohen sa të duash.

Prandaj shpëtimi nuk vjen duke e kërkuar të keqen te feja. Në rastin konkret te Islami. Shpëtimi vjen duke korrektuar të gjithë ata faktorë që e degradojnë njeriun, duke e deformuar karakterialisht dhe egërsuar deri në atë shkallë sa fenë, këtë frymë të pajtimit mes njerëzve, ta përdorë si armë kundër njerëzve. Ushtritë dhe raketat mund të bëjnë punë momentalisht. Por në afatgjatë, shpëtimi vjen vetëm nga emancipimi që është i pamundur pa arsyen e vërtetë si triumf mbi “arsyen” dhe “fenë” instrumentale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button