Kosova

Thaçi: Kuvendi t’ja ndalojë kryeministrit të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.

Përmes një komunikate për media, Thaçi thotë se “kjo është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit”. Të enjten në Bruksel do të zhvillohen bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të ekspertëve. Në to pritet të diskutohet çështja e Asociacionit dhe ajo për pretendimet financiare dhe pronësore.

Por, presidenti Thaçi thotë se diskutimi për Asociacionin, nesër në Bruksel, është “fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës”. Ai shton se diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit.

“Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë”, thuhet në komunikatë, raporton Rel.

Presidenti kërkon nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht ta trajtojë, siç thotë, këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit, përmes një rezolute, “me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova do të kushtëzojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe me njohjen reciproke.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Më këtë rast, sipas deklaratave të të dyja palëve, janë hapur temat për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore, ndërkaq janë harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjen e të pagjeturve, personave të zhvendosur si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në një debat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian tha se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të vitit 2015. Pas kthimit në Prishtinë, ai tha se “zbatimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me secilën shkronjë të Kushtetutës”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button