Thaçi për Handelsblatt: Brukseli e ka izoluar padrejtësisht Kosovën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën më të madhe gjermane që mbulon politikën, ekonominë dhe financat “Handelsblatt”, ka folur për izolimin që po i bëhet Kosovës nga ana e BE-së, për zhvillimet e brendshme politike dhe për dialogun me Serbinë.
Thaçi ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së për liberalizimin e vizave.
Sipas tij, tash mbetet në vullnetin e shteteve anëtare të BE-së për të dhënë dritën e gjelbër, në mënyrë që mos t’i izolojnë edhe më tutje qytetarët e Kosovës, transmeton KosovaPress.
“Fatkeqësisht në BE nuk ka ndonjë vizion për të ardhmen e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Është mundësia e fundit për Brukselin për të marrë vendimin pozitiv për vendin tonë”, ka thënë Thaçi për ‘Handelsblatt’, duke shtuar se çdo vendim tjetër do të krijojë vakum dhe parakushte për ideologji, të cilat janë anti-evropiane.
Në pyetjen se a ndihen të braktisur nga Evropa, presidenti Thaçi ka thënë se mungesa e vizionit të BE-së është duke krijuar pakënaqësi me BE-në.
Sipas tij, vazhdimi i izolimit të qytetarëve të Kosovës do ta rrisë pakënaqësinë dhe nacionalizmin në rajon.
“Unë nuk shoh ndonjë vizion apo plan B në Bruksel. Do të kenë efekte negative për krejt rajonin. Acarimet në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë së fundi janë rezultat konkret i vonesave të paarsyeshme në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, për të cilën BE-ja është fajtore”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se BE-ja ka ndryshuar dhe nuk është ajo që ka qenë para Brexitit. Sipas tij, shumica e shteteve tashmë janë duke shikuar sesi ta forcojnë vetveten, meqë BE-ja është mbyllur hermetikisht për Kosovën dhe Ballkanin.
Thaçi ka folur edhe për rolin e Gjermanisë në mbështetje të Kosovës dhe vendeve të Ballkanit, duke thënë se Gjermania dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitet e shkuara kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
“Gjermania duhet të bëjë më shumë presion mbi Brukselin, për të përshpejtuar integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka folur edhe për sidat e emigrantëve që vijnë nga Siria dhe Iraku, me të cilët po ballafaqohet Evropa.
“Populli im ka qenë vetë refugjat. Ne të gjithë duhet të punojmë për të tejkaluar krizën e refugjatëve. Kosova do të jetë solidare”, ka thënë ai, duke shtuar se vetëm të bashkuar mund ta arrijmë këtë qëllim. Në media të ndryshme gjermane, ditë më parë presidenti Thaçi ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian për një qasje të gabuar në raport me integrimin e shteteve të Ballkanit.
Thaçi e ka akuzuar Brukselin se është duke e izoluar padrejtësisht Kosovën, duke mos i liberalizuar vizat për qytetarët e saj.