Kryeartikull

Thashethemnaja politike dhe skandali i CEZ

NGA ZILIE FEÇI

Që mes Ramës dhe Metës mund të ketë qejfmbetje, kjo nuk ka nevojë për kallauz. Por që nuk duhet menduar dhe aq lehtë, e aq më pak besuar, se do të ketë zgjedhje të reja, prishje të koalicionit, kalime sa majtas-djathtas, e të tjera si këto. Ata mijëra votues të Partisë Socialiste, për hir të së vërtetës janë xhelozë fund e krye dhe kanë të drejtë, sepse Lëvizja Socialiste për Integrim, për shkak edhe të strategjisë së saj politike, ka marrë më shumë vende pune, e për pasojë, ka siguruar edhe më shumë vota, gjë që u pa më së shumti në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Dhe, një prej arsyeve që bëhet zhurma e madhe nuk është skandali me CEZ – sepse ky skandal ka qenë edhe më parë; edhe atëherë kur Meta dhe Berisha ishin bashkë; edhe kur u firmos marrëveshja në vitin e parë të qeverisjes së Ramës; edhe kur zgjedhjet para dhe pas tyre ishin pjesë e debatit politik denigrues mes mazhorancës dhe opozitës. Më shumë se skandal, zhurma e madhe e ditëve të fundit do të dalë thjesht një flluskë sapuni, sepse politikisht Meta dhe Rama dinë të merren vesh perfekt, kur është fjala për të goditur Berishën, për të qëndruar në pushtet apo për të fituar bashkërisht zgjedhjet. Më shumë se një konflikt mes Ramës dhe Metës për miliona eurot e vjedhura të CEZ, duket se Rama ka një presion nga baza. Sidomos tani, kur po përgatitet për zgjedhjet në parti. Shkak për presionin janë vendet e pakta që ka në dispozicion Partia Socialiste për militantët e saj, ndryshe nga emërimet që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Lëvizja Socialiste për Integrim. Por, intuita politike e Metës bën që të jetë gjakftohtë përballë gjithçkaje që po gatuhet si çarje e mazhorancës për shkak të skandalit të CEZ. Por, a është presioni aq i madh sa të tundë themelet e kësaj mazhorance? Kjo mbetet për t’u parë, sepse Rama edhe mund ta luajë këtë lojë, duke u nisur nga fakti se pakënaqësitë në radhët e tij janë shtuar ndjeshëm, e aq më shumë kur zgjedhjet parlamentare të 2017-s po trokasin. Megjithatë, nëse varianti për zgjedhje të parakohshme do të ishte një alternativë, sa siguri do kishte Kryeministri Rama se mund t’i fitonte ato pa Metën? Gjasat janë që jo, ndaj llogaritë nuk bëhen aq thjesht. Sot, Lëvizja Socialiste për Integrim është një faktor i rëndësishëm në politikën shqiptare, por edhe për PS e PD. Sepse, asnjëra prej tyre, edhe sikur të kishte zgjedhje çdo 6 muaj, nuk do të mund ta bënin shumicën parlamentare. Por, një gjë është e vërtetë. LSI e ka tepruar me përqindjen e saj në emërime, qoftë në pushtetin lokal, qoftë në atë qendror. Nëse Rama mendon se me këtë lloj presioni do të ketë përfitime për votuesit e tij besnikë, atëherë “lufta” mund të vazhdojë. Por, më shumë se ajo që lehtësisht quhet skandal, është Partia Demokratike dhe lidershipi i saj që kërkojnë të përfitojnë nga kjo. Sepse, për Bashën, rritja e Lëvizjes Socialiste për Integrim po e çon gjithnjë e më shumë drejt vendit të tretë partinë që ai drejton. Pra, lufta ndaj Metës nuk lidhet me 130 milionët e CEZ, përgjegjësi për të cilën më shumë se kushdo ka qeveria e Berishës që gjeti për privatizim çekët, ndërsa kanë qenë edhe austriakë dhe italianë në garën e fazës së parë, për të mbetur në vend vetëm zgjidhja e detyruar, kompania çeke. Në këtë histori, më shumë se kushdo del Rama i larë. Por, pas tij edhe Meta që mban qeverinë në këmbë. Ndaj, Rama nuk ka se çfarë të thotë më shumë dhe se ç’qëndrim duhet të mbajë, për aq kohë sa “lufta” tashmë është mes Berishës dhe Metës, ku të paktën kanë rënë dakord në një pikë; atë të hetimit ndërkombëtar për këtë çështje. Në fund, askush nuk do fitojë. Flluskë sapuni do jetë edhe kjo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button