Theresa May, profili i kryeministres së ardhshme të Britanisë së Madhe
Gruaja, që pret në radhë për të marrë në duart e saj frerët e Britanisë, nuk është nënë. Këtë, kundërshtarja e saj e fundit u kujdes ta bënte të qartë në një lëvizje, që në fakt iu kthye kundër. Por kush është saktësisht politikanja konservatore që do të marrë në duar çelësat e “10 Downing Street”?
Si fillim, Theresa May, edhe pse një figurë e palëkundur e kampit për qëndrim në Bashkimin Europian, nuk ka ndërmend të tentojë përmbysjen e rezultatit të referendumit.
“Brexit do të thotë Brexit, – deklaron ajo. – Beteja u zhvillua, fushata u krye, vota u mbajt. Pjesëmarrja ishte e lartë, populli e tha fjalën e tij. Mundësi për një referendum të dytë nuk ka”.
Edhe nëse e fundit e 4 kundërshtarëve të saj u detyrua të tërhiqej nga gara për shkak të komenteve polemizuese të mëmësisë, May për çdo rast kishte mundësitë më të mëdha të fitonte. Pas takimit të fundit të kabinetit, Cameron do të paraqesë dorëheqjen në “Buckingham Palace” të mërkurën, e mbrëmjen e nesërme, Sekretarja e Punëve të Brendshme do të jetë zyrtarisht kryeministrja e re.
E bija e një famulltari, e lindur në Eastbourne të bregut juglindor të Anglisë, May ka ndjekur mësimet si në shkolla publike, ashtu dhe në të tjera private, ndërsa studimet e larta i përfundoi për Gjeografi në kolegjin “St. Hugh” të Universitetit të Oksfordit.
Në kornizat e politikës ajo do të hynte më shumë se 30 vite më parë, duke vendosur letrat në zarfet e shoqatës së saj konservatore lokale, përpara se të zinte pozicionin e këshilltares në Londër nga viti 1986 deri në 1994-tën.
Deputete do të bëhej vetëm në vitin 1997, pas dy përpjekjeve të mëparshme të dështuara. Që prej atëherë, ajo ka mbajtur disa pozicione brenda partisë, përfshirë atë të pjesëtares së kabinetit hije nga viti 1999 deri në 2010-n, apo fakti që në periudhën e viteve 2002-2003 u kthye në të parën Sekretare të Përgjithshme femër të partisë.
Në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ajo u vendos në majin e vitin 2010. “Financial Times” e Londrës nuk ngurron ta krahasojë me Angela Merkelin, dhe e përshkruan si një njeri të sigurtë, të cilit mund t’i besohet drejtimi i partisë së vet në këto kohë të trazuara, sidomos pas paqëndrueshmërisë ekonomike që sjell vota për largim nga BE-ja.