Opinion

TikTok, rrugaçi i lagjes

Nga Lutfi Dervishi

Pas 11 vitesh në qeverisje Kryeministri më në fund ka identifikuar burimin e të gjitha problemeve: TikTok! Ky është rrugaçi i lagjes që ka marrë në qafë brezin e ri duke e futur në rrugë të keqe.
Ky rrugaç digjital, bën që fëmijët të harrojnë që në klasë nuk ka ngrohje, që librat shkollorë janë aq të vjetër sa vetë vjetërsia. Ky rrugacc bën që të harrojmë që shkollat po mbyllen për mungesë nxënësish.
Por me propozim nga poshtë dhe miratim nga lart, TikTok-u do të ndalohet për një vit, dhe kështu Shqipëria shpëton nga ky rrugaç virtual që qeveria e ka marrë më seriozisht se korrupsionin, papunësinë, emigrimin, apo varfërinë. Madje e ka marrë më seriozisht se vetë SPAK-un
“Rrugaçi i lagjes” është shndërruar tashmë në armikun ideal. Kur një adoleshent përleshet me shokun e tij në shkollë apo jashtë saj, fajin e ka TikTok. Kur dalim të fundit në renditjen e PISAs- faji është i rrugaccit digjital. Kur taksat rriten, kur qytetarët ikin masivisht nga vendi dhe kur rrugët mbeten rrugëve prej 10 vitesh sabotator tani nuk është më gjeologjia por TikTok-u.
Por çfarë do të ndodhë me lagjen kur rrugaçi të largohet për një vit riedukim? A do të kthehen nxënësit te libri, te leximi i veprave të Migjenit apo do të krijojnë një rrugaç të ri, ndoshta ndonjë aplikacion, ku të gjithë bëjnë “challenge” se kush lavdëron më shumë inspektimet qeveritare në projektet dhjetëravjeccare?
A ka garanci se pasi të përzëmë rrugaccin nga lagjia, të rinjtë nuk do të shoqërohen me “rrugaçë” të tjerë si: Instagram-it, Snapchat-it, X-i, ose, mediave on line ku nuk i bëhet fresk qeverisë? A do të nisim konsultë tjetër për të bllokuar rrugaccin e radhës? Në fund të fundit, fëmija është gjeni dhe do ta gjejë mënyrën për të sfiduar. Po sikur, largqoftë, të përdorin VPN dhe të vijojnë miqësinë me rrugaccin? Fruti i ndaluar shijon më shumë apo jo?
Po a është rrugaçi problemi?
Pse po luftojmë TikTok-un? Ndoshta është më e lehtë të luftosh një rrugaç imagjinar se sa të kesh shkolla cilësore, të krijosh mundësi për të rinjtë, që të qëndrojnë dhe të mos emigrojnë. A zgjidhet problemi i shpërdorimit të fondeve publike me zbimin e rrugaccit? A zgjidhet problemi I ndotjes së mjedisit apo i trafikut të tmerrshëm?
Po sikur në vend të rrugaccit virtual të merremi më seriozisht me rrugaccët që ndajnë tendera publikë si të ishin ballokume Elbasani?
Mbase kryeministri ka të drejtë: TikTok është rrugaçi i lagjes. Por lagja është bërë aq e mjerueshme, lagjia nuk ka më hapësira për fëmijët dhe të rinjtë. Lagjia është kaq e mjerë sa ky rrugaç digjital duket si shpëtimtar për të rinjtë që kërkojnë një dritare për t’u arratisur nga realiteti i zymtë. Dhe nëse rrugaçi largohet për një vit, a do merremi me problemet e vërteta të lagjes? Apo do të shpikim një tjetër rrugaç për t’i përcjellë faturat e radhës? Për shembull pse të mos mbyllim Netflix sepse shqiptarët po humbin orë të ccmuara në vend që të shohin sukseset e reformave në televizionet e qeverisë.
Në fund të fundit, në një lagje ku nuk ka hapësirë për të rinjtë, ndoshta rrugaçi nuk është problemi, por pasqyra e kaosit që ne vetë kemi krijuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button