Tirana, mungesë golash dhe pasiguri në mbrojtje/ Shifrat zbulojnë problemin e sezonit
Sezoni 2025/26 në Superiore po nxjerr në pah një nga dobësitë më të mëdha të Tiranës. Mungesën e efikasitetit në repartin ofensiv. Bardheblutë realizojnë mesatarisht vetëm 0.91 gola për ndeshje, një tregues që shpjegon vështirësitë e skuadrës për të qenë konstante në rezultate. Statistikat tregojnë se Tirana shënon një gol çdo 99 minuta, duke reflektuar […]
Sezoni 2025/26 në Superiore po nxjerr në pah një nga dobësitë më të mëdha të Tiranës. Mungesën e efikasitetit në repartin ofensiv. Bardheblutë realizojnë mesatarisht vetëm 0.91 gola për ndeshje, një tregues që shpjegon vështirësitë e skuadrës për të qenë konstante në rezultate. Statistikat tregojnë se Tirana shënon një gol çdo 99 minuta, duke reflektuar qartë problemet në konkretizim.
Edhe ndarja e golave sipas pjesëve të lojës tregon një balancë të vakët, 0.41 gola në pjesën e parë dhe 0.50 në të dytën, çka nënkupton mungesë agresiviteti që nga minuta e parë. Në aspektin e performancës brenda dhe jashtë fushe, diferencat janë të vogla, por sërish jo në nivele të kënaqshme. Në shtëpi Tirana shënon mesatarisht 0.81 gola për ndeshje, ndërsa në transfertë ky tregues rritet lehtë në 1 gol për takim. Megjithatë, këto shifra mbeten të ulëta për një skuadër me objektiva madhorë.
Bardheblutë kanë arritur të shënojnë të paktën një gol në 69% të ndeshjeve, por vetëm në 13% të tyre kanë kaluar kuotën e 1.5 golave. Edhe më e rrallë është që skuadra të shpërthejë në sulm, pasi vetëm në 9% të sfidave ka realizuar mbi 2.5 gola.
Po ashtu, vetëm në 13% të ndeshjeve Tirana ka shënuar në të dyja pjesët, një tjetër tregues i mungesës së vazhdimësisë në lojë. Një element interesant është fakti se Tirana ka qenë skuadra e parë që shënon në 53% të ndeshjeve, por kjo nuk është përkthyer gjithmonë në fitore. Për më tepër, në 31% të sfidave bardheblutë nuk kanë gjetur rrugën e rrjetës, një shifër që rëndon edhe më shumë bilancin ofensiv.
Nga ana tjetër, maksimumi i golave të shënuar në një ndeshje është vetëm 3, duke konfirmuar mungesën e “shpërthimeve” në sulm. Të gjitha këto statistika konfirmojnë se Tirana ka nevojë urgjente për përmirësim në fazën sulmuese. Nëse bardheblutë synojnë të fitojnë në derbi, rritja e efikasitetit para portës mbetet një detyrë e panegociueshme.
MBROJTJA – Nëse sulmi ka lënë për të dëshiruar, mbrojtja e Tiranës nuk mbetet pas në problemet që po shfaq këtë sezon në Superiore. Bardheblutë pësojnë mesatarisht 1.38 gola për ndeshje, një tregues që shpjegon pse skuadra ka pasur vështirësi për të ruajtur rezultate pozitive. Tirana ka pësuar në total 44 gola, ndërsa rrjeta e saj tundet çdo 65 minuta mesatarisht.
Një tjetër detaj domethënës është fakti se golat e pësuar ndahen në mënyrë të barabartë mes pjesëve, 0.69 në pjesën e parë dhe po aq në të dytën, çka tregon mungesë përqendrimi gjatë gjithë 90 minutave. Performanca mbrojtëse ndryshon disi mes ndeshjeve në shtëpi dhe atyre në transfertë. Në fushën e vet Tirana pëson mesatarisht 1.19 gola për ndeshje, ndërsa jashtë kjo shifër rritet në 1.56, duke konfirmuar vështirësitë më të mëdha larg “Selman Stërmasit”.
Vetëm në 25% të ndeshjeve bardheblutë kanë arritur të mbajnë portën të paprekur (8 ndeshje në 32), një statistikë e ulët për një ekip me pretendime. Në 75% të sfidave ata kanë pësuar të paktën një gol, ndërsa në 34% të tyre kanë pësuar mbi 1.5 gola. Edhe më shqetësues është fakti se në 16% të ndeshjeve Tirana ka pësuar mbi 2.5 gola.
Maksimumi i golave të pësuar në një ndeshje arrin deri në 6, një shifër që tregon qartë se në disa raste mbrojtja ka qenë totalisht jashtë kontrollit. Edhe ndarja e “clean sheets” është e njëjtë mes shtëpisë dhe transfertës (4 në 16 ndeshje për secilën), duke treguar mungesë stabiliteti të përgjithshëm. Shifrat konfirmojnë se Tirana nuk vuan vetëm në sulm, por edhe në prapavijë. Për të pretenduar objektiva madhorë, skuadra ka nevojë urgjente të gjejë balancën mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese, pasi aktualisht po ndëshkohet në të dyja drejtimet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.