Kronika

Tirana në “shtetrrethim”, 27 pika që do të kontrollojnë pjesëmarrësit

Masat

Rrugët dhe zonat që do të bllokohen më 21 shtator, duke nisur nga Rinasi-Tirana-Fushë-Kruja 

Nga Sokol Çobo

papafrancisLëvizjet e automjeteve dhe qytetarëve në Tiranë, gjatë vizitës së Papa Françeskut, do të jenë të limituara. Policia ka përgatitur një perimetër sigurie në zemër të kryeqytetit, duke filluar nga sheshi “Skënderbej”, për të vazhduar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe për të përfunduar në sheshin “Nënë Tereza”, ku dhe do të mbahet mesha e Atit të Shenjtë. E gjithë zona do të jetë nën kontrollin e rreptë të efektivëve të policisë, ku në total do të jenë 27 pika kontrolli. Çdo qytetar që dëshiron të qëndrojë në këtë zonë sigurie, do të kontrollohet fizikisht, ndërsa ata që nuk preferojnë të kontrollohen, do të shoqërohen në komisariatet e policisë.

Masa të gjithanshme

Policia e Shtetit tha dje se do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohen aktivitetet e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prezenca e punonjësve të Policisë së Shtetit me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale. “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u kërkon të gjithë qytetarëve të kufizojnë në maksimumin e mundshëm lëvizjet me automjetet e tyre në të gjitha akset rrugore të qytetit të Tiranës, si dhe akset që lidhin kryeqytetin me zonat përreth tij gjatë ditës së vizitës së Papës. Policia do të jetë në gatishmëri të plotë për të shoqëruar të gjitha autoambulancat në rastet e emergjencave shëndetësore”, – thuhet në një deklaratë zyrtare të ministrisë.

Lëvizja e qytetarëve

Ministria e Brendshme thotë se në të gjithë perimetrin që rrethon sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza” janë vendosur 27 pika kontrolli, ku do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh, lëndësh eksplozive dhe pajisjesh të tjera speciale për kontroll e mbikëqyrje. “U kërkohet të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni që të kalojnë përmes këtyre pikave të kontrollit. Nëse tentojnë të kalojnë jashtë këtyre pikave do të shoqërohen në komisariatet e policisë”, – paralajmëron policia. Sipas tyre, personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa, bashkëngjitur ftesës duhet të kenë edhe kartën e identitetit. Nga ana e policisë do të bëhet kontrolli me listat përkatëse në pikat e kontrollit dhe nuk do të lejohen personat që nuk kanë kartat e identitetit. Personat që kanë ftesë, por nuk do të figurojnë në listat që ka Garda apo Policia e Shtetit në pikat e kontrollit do të shoqërohen në ambientet policore.

Lëvizja e automjeteve

Policia thotë se do të ndalohet qarkullimi i automjeteve nga ora 20:30 e datës 20.09.2014 deri në orën 19:00 të datës 21.09.2014 në sheshin “Nënë Tereza”, i kufizuar me rrugët “Skerdilajd Llagami” dhe “Abdyl Frashëri”. Ndërkohë, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve nga ora 06:00-19:00 të datës 21.09.2014 në të gjitha rrugëkalimet që të çojnë drejt sheshit “Nënë Tereza”, bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Skënderbej”. Do të ndalohet parkimi i të gjithë automjeteve duke filluar nga ora 12:00 e datës 20 shtator e deri në orën 20:00 të datës 21 shtator në akset ku do të kalojë Papa Françesku.

Në njoftim thuhet se nuk do të lejohet qarkullimi në të gjitha akset rrugore të Tiranës i automjeteve të tonazhit të rëndë mbi 7.5 tonë, pasi krijojnë vështirësi në qarkullim. Automjetet e mbyllura, mjete të transportit të mallrave me karroceri të mbyllur do t’u nënshtrohen kontrolleve policore në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa drejtuesit e tyre do të shoqërohen në polici, nëse konstatohet lëvizja e tyre pa objekt të përcaktuar.

Automjetet për pelegrinët

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë do të devijojnë lëvizjen te sheshi “Shqiponja” përmes Unazës së Re, duke kaluar te Rruga e Kavajës drejt kryqëzimit te “21 Dhjetori” ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re. Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë do të qarkullojnë përmes aksit Plepa-Ndroq-Kombinat, duke kaluar te Rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori” ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re. Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Juglindja e vendit do të kalojnë përmes Unazës së Madhe dhe më pas te Kopshti Zoologjik do të bëhet zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve. Për automjetet me të cilat do të bëhet transporti i personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrës në aktivitetet, parkimi i tyre do të bëhet te Fakulteti Filologjik. Lëvizja e autobusëve me pelegrinë do të lejohet deri në orën 08:00. Pas orës 08:00 asnjë autobus nuk do të lejohet të hyjë në qytet.

Aeroporti dhe fshati Bubq

Aksi rrugor në drejtim të Rinasit do të jetë i bllokuar nga ora 08:00 deri në orën 10:30 të datës 21 shtator. Të gjitha akset rrugore në drejtim fshatit Bubq do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në orën 19:00. Aksi Bubq – Rinas do të jetë i bllokuar nga ora 17:00 deri në 20:30. Qytetarëve që kanë lëvizje drejt aeroportit u kërkohet që të shfrytëzojnë hapësirat jashtë këtyre harqeve kohore për shkuar në Rinas, thotë policia.

Autobusët e pelegrinëve

Lëvizja e autobusëve me pelegrinë do të lejohet deri në orën 08:00. Pas orës 08:00 asnjë autobus nuk do të lejohet të hyjë në qytet

Të veriut

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë do të devijojnë lëvizjen te sheshi “Shqiponja” përmes Unazës së Re, duke kaluar te Rruga e Kavajës drejt kryqëzimit te “21 Dhjetori” ku do të zbresin. Parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re

Të jugut

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë do të qarkullojnë përmes aksit Plepa-Ndroq-Kombinat, duke kaluar te Rruga e Kavajës drejt kryqëzimit te “21 Dhjetori” ku do të zbresin pelegrinët. Më pas, parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re

Të juglindjes

Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Juglindja e vendit do të kalojnë përmes Unazës së Madhe dhe më pas te Kopshti Zoologjik do të bëhet zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve

 

Ndalohet parkimi nga ora 12:00 e datës 20 shtator e deri në orën 20:00 të datës 21 shtator në akset:

o Bulevardi Dëshmorët e Kombit

o Bulevardi Zogu I

o Bulevardi Zhan D’Ark

o Bulevardi Gjergj Fishta

o Rruga e Durrësit, nga mbikalimi i Kamzës – Sheshi Shqiponja – Sheshi Skënderbej,

o Rruga e Elbasanit

o Rruga e Kavajës

o Rruga Abdyl Frashëri

o Rruga Sulejman Delvina

o Rruga Muhamet Gjollesha

o Rruga Ibrahim Rrugova nga sheshi Frederik Shopen – Gjykata e Lartë – Banka e Shqipërisë deri te Rruga e Durrësit.

o Rruga e Dibrës

o Aksi Unaza e Re – Sheshi Shqiponja – Ura te Shkolla Teknologjike – Rruga e Kavajës

Makina e Papës

Mbërrin në Tiranë mjeti me të cilin Papa Françesku do të lëvizë gjatë qëndrimit në kryeqytet. Makina e tij karakteristike, e bardhë, është e hapur në pjesën e sipërme të saj, pasi Ati i Shenjtë nuk ka pranuar të lëvizë me një mjet të mbyllur. Kështu besimtarë, qytetarë, kureshtarë do të kenë mundësi që të dielën ta shohin Papën, në këtë vizitë historike për vendin tonë. Mjeti mbërriti me traget në Portin e Durrësit dhe më pas u transportua mbi një tjetër mjet deri në ambientet e Presidencës

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button