Politika

Tiranë-Beograd: Konflikti e shkuara, bashkëpunimi e ardhmja

ramaKryeministri serb Vuçiç u prit sot (27.05.2015) në Tiranë, në Pallatin Presidencial nga Kryeministri shqiptar Rama me nderimet që parashikon protokolli i shtetit për vizitorë të rangut të lartë.

Flamuri serb dhe ai shqiptar ishin vendosur në hyrje të Pallatit Presidencial dhe hymnet e të dy vendeve i paraprinë parakalimit të dy kryeministrave para rojes së nderit. Rezultatet e bisedimeve Rama- Vuçiç, pa praninë e gazetarëve, u bënë të njohura në një konferencë të përbashkët shtypi , po në Pallatin Presidencial. Të dyja palët ia kanë lënë vitit të kaluar në Beograd tensionin dhe replikat mes tyre. Këtë herë në Tiranë ata artikuluan qartë vullnet për të rritur marrdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet kulturore dhe për të kontribuar së bashku për paqen dhe stabilitetin në rajon.“Sot Shqiptarët dhe serbët kanë një mundësi historike , që ta kthejnë paqen e meziarritur në rajon në një paqe që ia vlen të jetohet, paqja mes nesh buron nga ëndrra europiane”, tha kryeministri Rama.

Nga histori të përgjakshme lufte, në modelin e paqes së përbashkët

Kryeministri Rama iu drejtua marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Francës si modeli më adekuat për t’u ndjekur nga Shqipëria dhe Serbia në përpjekjet e tyre për një kapitull të ri marrdhëniesh.

“ Marrdhëniet gjermano- franzeze janë boshti i qëndrueshmërisë së Bashkimit Europian, nuk do të ishte besoj mungesë modestie që shqiptarët dhe serbët, së bashku të synojnë, në suazën e Ballkanit, t’i kthejnë marrëdhëniet mes tyre në një dëshmi të ngjashme të faktit se nga histori të përgjakshme luftërash mund të lindë shembulli i një suksesi të përbashkët paqeje”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Vuçiç, i cilit do të futet në histori si kryeministri i parë serb që erdhi në Tiranë, tha se “të dyja vendet janë në rrugë të mirë” duke shtuar, se: “Kemi biseduar për çështje me inters të përbashkët, për projekte të përbashketa në infrastrukturë dhe turizëm. Do të sjellim në Shqipëri investitorët serbë dhe ata shqiptarë në Serbi. Marrëdhëniet Serbi- Shqipëri janë të rëndësishme dhe strategjike për Ballkanin Perëndimor dhe prandaj mund të jenë edhe më të mira”, tha kryeministri serb.

Vuçiç- Kosova pjesë e Serbisë

Të dyja palët deklaruan se vullneti për të rritur bashkëpunimin mes tyre nuk cënohet nga mosmarrveshjet dhe qëndrime të kundërta. “Mes nesh ka një mosdakordësi sa një mal për çështjen e Kosovës por ajo nuk e zbeh aspak vlerën e madhe të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, që për ne është prologu kurajoz i çeljes së një kapitulli të ri, jo vetëm në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe në historinë e përbashkët të rajonit” , deklatroi kryeministri shqiptar Rama.

Në këtë kontekst kryeministri serb Vuçiç theksoi qendrimin e njohur tanimë lidhur me Kosovën: “Në nuk kemi të njëjtin qëndrim për për çështjen e Kosovës. Serbia e konsideron si pjesë të vetën, kurse Shqipëria si shtet të pavarur. Deklaratat tona janë të ndryshme , kështu do të jenë edhe në të ardhmen. Në mënyrë miqësore dëshiroj që këto mosmarrveshje t’i sheshojmë përmes bisedimeve dhe jo luftës” , tha Vuçiç.

“JO” ‘Shqipërisë së Madhe’, “PO” Ballkanit pa kufij si pjesë e Europës

Kryeministri Rama , duke iu përgjigjur interesit të medias serbe për Shqipërinë e Madhe, në konfetrencën për shtyp tha se “në Shqipëri nuk ka projekt të Shqipërisë së Madhe. Ka vetëm një projekt, projekti i bashkimit tonë në rrugën e Bashkimit Europian. Ne duam një Ballkan pa kufij. Sigurisht e duam pa kufij për shqiptarët dhe mes shqiptarëve, por e duam pa kufij dhe mes nesh, mes jush, dhe mes gjithë popujve të tjerë”.

Konflikti është e shkuara, bashkëpunimi e ardhmja

Drejtori i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, Dr. Albert Rakipi, vlerëson frymën pozitive dhe jo konfliktuale të bisedimeve dhe deklaratave Vuçiç – Rama. Duke u nisur nga ngjarjet në Maqedoni ai e sheh konstruktiv deklaratën në Tiranë të kryeministrit serb se “marrdhëniet Shqipëri-Serbi janë strategjike për paqen dhe stabilitetin e rajonit”.

“Kryeministri Vuçiç dha kështu një mesazh pozitiv lidhur me të qenit bashkë në ruajtjen e paqes nga ajo që kryeministri Rama e quajti “kërcënim gjeopolitik, nga palë të treta jashtë Europës apo nga çdo lloj kërcënimi terrorist dhe ekstremis në konferencën e përbashkët për shtyp”, tha për DW, Albert Rakipi.

Ndërsa Lutfi Derbvishi, analist politik i vlerëson historike deklaratat e kryeministrit serb për rritjen e marrdhënieve me Shqipërinë: “Kjo vizitë është historike për sinjalet që u dhanë nga të dyja palët edhe pse, ashtu si pritej, për çështjen e Kosovës qëndrimet mbetën diametralisht të kundërta. Sinjalet flasin për një Ballkan që duhet t’u shmanget konflikteve, acarimeve. Perëndimi ka investuar shumë për këtë dhe rajoni ka vuajtur edhe më shumë. Të dyja palët komunikuan sinjalin që konflikti i takon se shkuarës, bashkëpunimi së ardhnmes”. Kryeministri i Serbisë do të marrë fjalën të enjten ( 28.05.2015) në Forumin Ekonimik të Vjenës, ku marrin pjesë të gjithë kryeministrat e vendeve të Balkanit Perëndimor.

Ani Ruci

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button