Kronika

Trafiku i drogës, qendër e përbashkët për shkëmbim informacioni me Italinë

Analizat e përbashkëta të riskut, ndarja në kohë reale e informacionit dhe ngritja e qendrës së përbashkët trepalëshe për shkëmbim informacioni janë synimi i mëtejshëm i policisë shqiptare me Guardia di Finanza.
Kreu i policisë së shtetit, Ardi Veliu është takuar me delegacionin e lartë të Guardia di Finanza-s të kryesuar nga gjenerali Vito Augelli, komandant i Guardia di Finanza-s i Rajonit të Pulias.

“Synimi ynë është ai i kryerjes së analizave të përbashkëta të riskut, ndarja në kohë reale e informacionit, ngritja e një qendre të përbashkët trepalëshe për shkëmbimin e informacioneve dhe kryerja e patrullimeve të përbashkëta në det”, theksoi Drejtori i Përgjithshëm.

Veliu vlerësoi gjithashtu përpjekjet dhe rezultatet e arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit, trafikimit të saj, sidomos në kapjen e gomoneve falë bashkëpunimit.

“Këtë vit do të fillojmë më herët fushatën e fluturimeve ajrore në mbështetje të një pune të madhe që Policia e Shtetit është duke bërë për të parandaluar këtë fenomen. Italia mbetet një partner strategjik për ne. Krahas goditjes së trafikut, synimi është ai i kapjes së aseteve kriminale për ta çrrënjosur përfundimisht fenomenin e kultivimit të kanabisit. Lufta kundër narkotikëve mbetet sfidë për t’u përmirësuar dhe konsoliduar. Synimi ynë është kryerja e hetimeve të përbashkëta dhe lufta kundër pastrimit të parave dhe produkteve të krimit. Ky synim është një nga prioritetet më të larta të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar. Krijimi i një rrjeti të shkëmbimit të informacionit që mundëson në kohë reale identifikimin, gjurmimin dhe kapjen e autorëve të trafiqeve të ndryshme, është një faktor kryesor në arritjen e rezultateve të dëshiruara”, tha ai.

“Italia është e angazhuar maksimalisht në frontin e luftës kundër trafiqeve dhe këtë e dëshmon prezenca e madhe e dispozitivit të Guardia di Finanza-s në Shqipëri. Niveli i bashkëpunimit është më i larti ndër kohëra, kjo falë një pune paraprake të bërë nga dy përfaqësitë policore”, u shpreh Vito Augelli.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, siguroi partnerët italianë për një bashkëpunim efikas duke shkatërruar çdo pengesë që pengon punën e përbashkët të dy policive.

“Policia dhe qeveria italiane ka qenë dhe mbetet një partner strategjik për Policinë e Shtetit dhe Qeverinë shqiptare”, u shpreh Veliu.

Ai vlerësoi kontributin e Guardia di Finanza-s dhe Policisë italiane duke siguruar se të gjitha projektet e drejtuara nga Italia do të kenë mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit dhe angazhimin maksimal për arritjen e objektivave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button