⛈️
Tiranë 14°C · Stuhi 13 May 2026
S&P 500 7,449 ▲0.65%
DOW 49,702 ▼0.12%
NASDAQ 26,413 ▲1.25%
NAFTA 100.94 ▼1.21%
ARI 4,689 ▲0.05%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1739 EUR/GBP 0.8675 EUR/CHF 0.9166 EUR/ALL 95.3433 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.3662 EUR/TRY 53.2999 EUR/JPY 185.02 EUR/CAD 1.6078 EUR/USD 1.1739 EUR/GBP 0.8675 EUR/CHF 0.9166 EUR/ALL 95.3433 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.3662 EUR/TRY 53.2999 EUR/JPY 185.02 EUR/CAD 1.6078
₿ CRYPTO
BTC $79,546 ▼ -1.47% ETH $2,257 ▼ -1.06% XRP $1.4249 ▼ -0.89% SOL $90.7700 ▼ -4.23%
S&P 500 7,449 ▲0.65 % DOW 49,702 ▼0.12 % NASDAQ 26,413 ▲1.25 % NAFTA 100.94 ▼1.21 % ARI 4,689 ▲0.05 % S&P 500 7,449 ▲0.65 % DOW 49,702 ▼0.12 % NASDAQ 26,413 ▲1.25 % NAFTA 100.94 ▼1.21 % ARI 4,689 ▲0.05 %
EUR/USD 1.1739 EUR/GBP 0.8675 EUR/CHF 0.9166 EUR/ALL 95.3433 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.3662 EUR/TRY 53.2999 EUR/JPY 185.02 EUR/CAD 1.6078 EUR/USD 1.1739 EUR/GBP 0.8675 EUR/CHF 0.9166 EUR/ALL 95.3433 EUR/MKD 61.6945 EUR/RSD 117.3662 EUR/TRY 53.2999 EUR/JPY 185.02 EUR/CAD 1.6078
13 May 2026
Breaking
Opinion

Tranzicion pa prag apo demokraci me prag?

Nga Ruel Domi

Ideja e pragut 4% është kthyer në kryefjalën e të gjitha debateve politike lidhur me kodin e ri zgjedhor. Ky i fundit mund të sjellë ndryshime rrënjësore në arkitekturën e sistemit zgjedhor aktual shqiptar, që e ka zanafillën në marrëveshjen famëkeqe Rama-Berisha të vitit 2008, e cila e kaloi sistemin zgjedhor shqiptar nga ai “mixed member” me mazhoritarin që zgjidhte 100 deputetë, tek proporcionali rajonal me lista të mbyllura.

Sistemi aktual shqiptar, i cili nga viti 2008 ka pësuar ndryshime inkrementale, duke përfshirë moslejimin e koalicioneve që nga viti 2020, dhe hapjen e pjesshme të listave para zgjedhjeve të vitit 2025, në parim ka akumuluar ankesa nga partitë e reja, por edhe nga faktori ndërkombëtar, si një sistem që ka rrënjosur bipartitizmin në Shqipëri, duke frakturuar përfaqësimin e gjithanshëm dhe të qenësishëm të të gjithë segmenteve të elektoratit shqiptar.

Kjo e fundit nuk është thjesht thagmë propagandistike, por realitet praktik duke parë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025, në të cilat partitë e reja, fort të lartësuara nga tamtamet mediatike, morën vetëm 4 mandate.

Në këto kushte, ky sistem nuk është demokratik. As në sensin liberal të fjalës, dhe as në sensin pluralist të tij. Sistemi është anti-liberal sepse ka konsoliduar pushtet në duart e kryetarëve të dy partive të mëdha. Kryetari bën listat e deputetëve, si dhe i vë në rresht këta të fundit për ligje apo iniciativa të tyre, të oligarkëve apo të krimit të organizuar. Friksionet Salianji-Berisha dhe Spiropali-Rama janë tregues i kësaj të fundit.

Gjithashtu, sistemi është anti-pluralist sepse në zbatim e bën të pamundur hyrjen e partive të reja në parlament. Partitë tradicionale kanë akses shpërpjesëtimor tek paratë për financimin e fushatave, si dhe tek numëruesit e votave që vijnë ekskluzivisht nga ato dy parti.

Për të mos folur pastaj për përdorimin e resurseve të bollshme të administratës shtetërore nga çdo parti në pushtet në 34 vite pluralizëm bipartiak në Shqipëri, që jo vetëm që redukton përfaqësimin nga partia kryesore opozitare, por edhe zbeh ndjeshëm shanset e përfaqësimit të partive të reja në parlament. Në këto kushte ekziston nevoja për sistem të ri zgjedhor.

Vlen të përmendet se në aspektin e pluralizmit politik, Shqipëria ka bërë hapa pas. Aktualisht në Kuvend përfaqësohen 6 parti politike: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Social-Demokrate, Shqipëria Bëhet, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë. Ndërkohë, si pasojë e zgjedhjeve të vitit 2005, në parlament u futën 12 subjekte politike. Kujtojmë që në 2005, Shqipëria zgjidhte 100 nga 140 deputet me mazhoritar, ndërkaq që 40 vinin nga listat e partive.

Rikthimi në mazhoritar konsiderohet si rikthim pas në kohë dhe prandaj e vetmja alternativë ndaj proporcionalit të 2008-s është një tjetër formë proporcionali. Pyetja që lind është: Cfarë i shtyn PS e PD, që janë përfitueset më të mëdha të këtij sistemi, të ndryshojnë status-quo-në aktuale zgjedhore? Me gjasë, për shkak të presionit nga faktori ndërkombëtar.

Në kushtet e këtij presioni, PS e PD do detyrohen të hapin listat 100%, ashtu si në 2016-n u detyruan të ngrinin kartonat për reformën në drejtësi. Të dy partitë e mëdha sigurisht që përfitojnë nga një prag më i lartë, edhe pse pragu 4% është në fakt normal, duke parë shembujt e sistemeve në vende si Gjermania (prag 5%), Austria (prag 4%) dhe Izraeli (prag 3.25%).

Një prag më i lartë filtron një pjesë të madhe të votave për një grup partish të vogla, të cilat për shkak të moskalimit të pragut nuk arrijnë të përfaqësohen në parlament. Mungesa e përfaqësimit të partive të reja, votat e të cilave shkojnë dëm në rast moskalimi të pragut, përkthehet në mandate të pamerituara për dy partitë e mëdha.

Nga partitë e reja, vetëm Shqipëria Bëhet përfiton në dukje nga pragu 4%, duke ditur që në koalicion me Nismën Thurje në zgjedhjet e 11 Majit, partia e Lapajt kalon pragun dhe merr 6 deputetë. Gjithmonë duke supozuar një rënie votash për shkak të konfliktit me Endri Shabanin dhe ndarjen nga Thurja, por edhe një rritje organike të pritshme për parti të reja, partia e Lapajt merr 5–6 deputetë me pragun 4%.

Po me votat e 11 Majit 2025, parti si Mundësia apo Lëvizja Bashkë, ne dukje nuk e kalojnë pragun dhe dalin pa deputetë, por duke supozuar një rritje organike të pritshme për parti të këtij lloji, të dyja e kalojnë pragun aq sa për të nxjerrë deputetë. E duke pasur parasysh që me rreth 48,000 vota, Mundësia nxori 2 mandate në Tiranë, me një rritje minimale votash, Mundësia e kalon pragun dhe nxjerr një numër të ngjashëm deputetësh me Lapajn.

Vlen gjithashtu të përmendet se në parlamentaret e 11 Majit votuan rreth 1.4 milionë qytetarë me të drejtë vote, dhe pragu i llogaritur 4% do ishte baraz me përafërsisht 58,000 vota. Kjo për të sqaruar matematikën e mësipërme.

Matematikisht, edhe partitë e reja kanë mundësi më të mëdha përfaqësimi nga sistemi elektoral me një zonë zgjedhore dhe prag 4%. Pa llogaritur faktin që proporcionali kombëtar me lista të hapura dhe një zonë zgjedhore aplikohet në vendet më demokratike të botës (Gjermania, Austria, Izraeli etj.), dhe sistem të tillë pa prag elektoral nuk ka. Propozimet për prag 1% janë absurde, duke ditur që nuk kanë precedent, për shkak të rrezikut nga mungesa e filtrimit të grupimeve politike me të drejtë përfaqësimi.

Me sistemin aktual, por pa prag, ngelemi në tranzicion. Me sistemin e propozuar me prag, kemi mundësi (sado e vogël të jetë) ta lëmë pas tranzicionin.

Zgjedhja është e klasës sonë politike.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.