Trump: Irani po bën punë të dobët në Ngushticën e Hormuzit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka akuzuar Iranin se nuk i është përmbajtur marrëveshjes për një armëpushim të përkohshëm – që përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për anijet.
“Irani po bën një punë shumë të dobët, të pandershme do të thoshin disa, duke lejuar që nafta të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
“Kjo nuk është marrëveshja që kemi!”, shtoi ai.
Rreth një orë më parë, Trump kërkoi që Irani të lejonte anijet të kalonin nëpër ngushticë pa tarifa, duke e paralajmëruar Teheranin të mos tarifojë anijet cisternë për tranzit.
“Ka raportime se Irani po tarifon anijet cisternë që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, më mirë të mos e bëjnë dhe, nëse po, më mirë të ndalen tani!”, shkroi presidenti i SHBA-së.
Irani e bllokoi ngushticën në fillim të marsit në përgjigje të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, duke ndaluar në mënyrë efektive rrjedhën e naftës dhe gazit të lëngshëm nga Gjiri dhe duke i rritur ndjeshëm çmimet globale.
Pas më shumë se pesë javësh konflikti, Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord për një armëpushim dyjavor dhe rihapjen e rrugës ujore.
Që atëherë, shumë pak anije e kanë përdorur këtë rrugë dhe Irani ka hedhur idenë e vendosjes së tarifave të tranzitit për anijet që përdorin ngushticën.
Bisedimet e paqes midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit do të fillojnë sot në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, me qëllim sigurimin e një fundi të përhershëm të luftës.
Mosmarrëveshja mbi rihapjen e Ngushticës së Hormuzit ka të ngjarë të jetë një nga çështjet më të vështira në bisedime. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.