Amerika

Trump: Presidenca e Obamës, katastrofike; Sfidë edhe ndaj Ryan e McCain

Donald Trump e ka quajtur “katastrofike” periudhën e Barack Obamës në krye të Shtëpisë së Bardhë, vetëm pak pasi presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara ishte shprehur se kandidati republikan është i papërshtatshëm për ta pasuar atë.

“Ai ka qenë tepër i dobët, madje aspak efektiv”, tha manjati i pasurive të paluajtshme Trump për Obamën gjatë një interviste për “Fox News” mbrëmjen e së martës. Obama në fakt kishte ngritur edhe pyetjen se, përse partia e Trumpit vazhdon ta përkrahë atë dhe nuk e ka mohuar si kandidat.

Trump, për “Fox” u shpreh se Obama ka qenë “presidenti ndoshta më i keq në historinë e vendit tonë”. Ndërsa sa i përket kritikave ndaj tij për shkak të komenteve mbi aneksimin e Krimesë nga Rusia, ai deklaroi  se “unë besoj që di shumë më tepër mbi politikën e jashtme sesa vet Obama. Mjafton të shihni Ukrainën. Ai flet në lidhje me vështirësinë që Ukraina ka përballë Rusisë, por ndërkohë ata morën Krimenë”. Sipas kandidatit republikan, Obama dhe Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, kanë “destabilizuar Lindjen e Mesme”, ndërsa kanë vendosur nën rrezik edhe Amerikën, pasi Clinton përdori serverat privatë të “e-mail”-eve për funksione shtetërore.

Trump nuk ka lënë pa përmendur as dy personazhe të larta të partisë së tij, të cilët e kanë kritikuar publikisht. Në intervistën e dhënë për “Washington Post”, ai është shprehur se refuzon të miratojë kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, si dhe senatorin John McCain, të cilët do të kandidojnë për t’u rizgjedhur në nëntor.

E mes këtyre mosmarrëveshjeve të brendshme te Republikanët, edhe një prej donatoreve më të njohura dhe mbledhëse fondesh, Meg Whitman, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për demokraten Hillary Clinton, duke thënë se “demagogjia” e Donald Trumpit ka minuar petkun kombëtar.

“Të votosh një republikan vetëm për shkak të besnikërisë partiake, do të ishte si të miratonim një kandidat, i cili sipas meje ka nxitur zemërime, ankesa, ksenofobi dhe përçarje racore”, shkruan Meg në llogarinë e saj në “Facebook”. “Dora e pasigurtë e Trumpit do të rrezikonte prosperitetin dhe sigurinë tonë kombëtare. Karakteri i tij autoritar mund të kërcënonte edhe më shumë”.

Korit të kritikave i është bashkuar edhe presidenti Francois Hollande gjatë së martës, duke thënë se Trump i ka bërë njerëzit të ndihen të pështjelluar. Ai paralajmëroi se në rast të fitores së zgjedhjeve presidenciale nga ana e Trumpit, do të shënohej një kthesë shumë e fortë anembanë botës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button