Kosova

Trump prezent/ Kosova & Serbia nënshkruajnë sot dokumentin në Shtëpinë e Bardhë! Vuçiç: Refuzuam njohjen. Hoti: Qëllimi reciprok

Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump takohet të premten me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të premten në mëngjes, merr pjesë në një ceremoni nënshkrimi me ta, si edhe në një takim trepalësh.
Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet dhe nëse bëhet fjalë për një marrëveshje dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.

Gjatë javës ishte folur për mundësinë e takimir të Presidentit Trump me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës, por nuk kishte pasur një konfirmim deri mbrëmjen e së enjtes.

Pas ditës së parë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se gjatë takimit, ishin paraqitur projekt-propozime që përfshinin njohjen e ndërsjellë dhe se ai e kishte refuzuar një gjë të tillë, ndërkohë që kryeministri Avdullah Hoti nuk u përgjigj nëse një gjë e tillë ishte propozuar por tha se “marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të papranueshme për Kosovën, asnjëherë nuk ka ardhë dhe nuk do të vijë nga Shtëpia e Bardhë”.

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, mohoi të jetë shtruar në tryezën e bisedimeve çështja e njohjes së ndërsjellë, pasi një gjë të tillë e tha fillimisht për mediat, Ministri serb i Financave, Sinisa Mali.

Pala serbe tha se kërkesa për njohjen e ndërsjellë ishte shtruar si një nga pikat e diskutimeve të ndërmjetësuara nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet ndërmjet të dyja vendeve.

“Ai dokument ishte shumë i rëndë, kishte 15 apo 16 pika dhe një prej tyre ishte për njohjen e ndërsjellë. Unë e refuzova. Nuk është asgjë e re sepse kjo është politika amerikane, vetëm se ne thamë që ajo pikë nuk duhet të jetë në dokumentin për stabilizimin ekonomik. Nga kabineti i Trumpit u treguan “fer” dhe na dëgjuan. Në dokumentet tjera kjo pikë nuk është më”, tha presidenti serb.

Zoti Vuçiç tha pas takimit për shërbimin serb të Zërit të Amerikës se “kishte disa vështirësi politike për ne por mendoj dhe shpresoj që i kemi kapërcyer ato dhe vazhdoj të shpresoj që ta arrijmë një marrëveshje nesër.”

“Nëse më pyesni mua nëse Serbia do të pranojë njohje të ndërsjellë që ishte përmendur në disa projekt-propozime, kjo nuk do të funksionojë për Serbinë”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte kërkuar njohjen nga Serbia, Kryeministri i Kosovës, Hoti u përgjigj:

“Për çdo gjë që flasim me Serbinë, qëllimi ynë është njohja reciproke. Sot kemi bërë një hap të madh në drejtim të përafrimit”, tha ai.

Zëri i Amerikës ndoqi më herët të enjten më herët një paraqitje të ministrit serb Sinisha Mali, i cili tha se palëve u është dorëzuar një dokument ku përfshihet një pikë që parashikon njohjen e ndërsjellë.

“Temat ekonomike nuk janë kryesoret, siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është paraqitur flet për njohjen e ndërsjellë, ndërsa të gjitha 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike”, tha ai.

“Ky është propozimi më i keq që kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët e Kosovës. Por ne nuk do të heqim dorë dhe do të luftojmë”, tha ministri serb.

Ai tha se po ushtrohet trysni mbi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili kishte paralajmëruar se mund të ketë “befasi gjatë takimit”.

Bashkëpunimi ekonomik

Ndërkohë, Këshilli për Siguri Kombëtare shkroi se pati “bisedime shumë të mira këtë pasdite me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.

Zoti Vuçiç shfaqi shpresën se mund të arrihet marrëveshje për çështje ekonomike, projekte të infrastrukturës, lidhjet ndërmjet Beogradit e Prishtinës që siç tha, do të ishin në të mirë të serbëve në Kosovë, të shqiptarëve dhe të gjithëve.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se të premten pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike, për të cilat i diskutua të enjten në Shtëpinë e Bardhë.

“Nesër presim që ta finalizojmë të gjithë këtë angazhim që kemi pasur tash e sa kohë dhe diskutimet që patëm sot”, tha kryeministri Hoti.

Edhe presidenti Vuçiç tha se shpreson në një marrëveshje për tema të interesit të përbashkët.

Kosova dhe Serbia biseduan sot në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Para takimit ishte thënë se bisedimet do të përqendrohen tek çështjet ekonomike dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret për zgjidhjen politike.

Më herët gjatë ditës ambasadori Grenell, shkroi se populli i Kosovës dhe i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe shansin për të krijuar një ekonomi të zhvilluar. Në një postim në rrjetin twitter ai tha se “sot është i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me perëndimin. Le ta lëmë mënjanë politikën”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha para se të fillonte takimi se me Serbinë do të bisedohet vetëm për njohjen e ndërsjellë, ndërsa presidenti serb, tha se pret takim të vështirë, por “dorëzimi nuk është një opsion”./VOA/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button