Trump shkarkon Prokuroren e Përgjithshme në detyrë
Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka shkarkuar Prokuroren e Përgjithshme në detyrë Sally Yates, për arsye se refuzoi zbatimin e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për emigracionin dhe refugjatët.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se zonja Yates “ka refuzuar të zbatojë një urdhër të ligjshëm që synon të mbrojë qytetarët e Shteteve të Bashkuara”.
Të hënën pasdite, zonja Yates u tha juristëve të Departamentit të Drejtësisë të mos nxjerrin argumente ligjore në mbrojtje të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump. Yates “ka tradhtuar Departamentin e Drejtësisë,” tha Shtëpia e Bardhë.
Ajo njoftoi gjithashtu se Dana Boente, prokuror i Distriktit Lindor të Virxhinias është emëruar Prokuror i Përgjithshme në detyrë.
Zoti Boente e bëri betimin të hënën mbrëma në orën 21:00 sipas orës së Uashingtonit.
Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump çoi në një përplasje mes Shtëpisë së Bardhë dhe zonjës Yates, e cila ishte emëruar nga ish-Presidenti Barack Obama dhe duhet të shërbente si Prokurore e Përgjithshme deri në konfirmimin e zotit Jeff Sessions, i emëruar në këtë post nga zoti Trump.
Trump mbron urdhrin ekzekutiv
Presidenti Donald Trump ka vazhduar t’i dalë në mbrojtje urdhrit ekzekutiv për të ndaluar futjen e refugjatëve dhe udhëtarëve nga shtatë vende kryesisht myslimane, ndërkohë që grupe për të drejtat e njeriut janë betuar të vazhdojnë padi ligjore dhe kur në qytete të ndryshme mijëra vetë po zhvillojnë protesta. Demokratët po përgatiten të propozojnë project-ligje për ta bllokuar zbatimin e urdhrit.
Në një seri komentesh në Twitter të hënën, zoti Trump tha se Sekretari i Sigurisë Kombëtare John Kelly i kishte thënë se “çdo gjë po ecën mirë, vetëm me probleme të vogla”.
Pentagoni po harton një listë me emrat e irakianëve të cilët kanë mbështetur personelin amerikan dhe të koalicionit për t’i përjashtuar ata nga vendimi i Presidentit Trump.
Zyrtarët thanë të hënën se lista do të përfshijë ata që kanë demonstruar ndjeshëm angazhimin e tyre në mbështetje të forcave amerikane. Ajo do të përfshijë kategori të tilla si përkthyesit, shoferët dhe forcat irakiane që mund të jenë duke u stërvitur në SHBA.
Reagon ish presidenti Obama
Një zëdhënës i ish-presidentit Barack Obama thotë se zoti Obama “në thelb nuk pajtohet” me diskriminimin që vë në shënjestër njerëzit bazuar në fenë e tyre.
Deklarata nuk e përmend në mënyrë konkrete urdhrin e Presidentit Donald Trump, ndonëse aludon për të.
Shtëpia e Bardhë tha se urdhri në fjalë nuk është ndalim për myslimanët, sepse dhjetëra shtete me shumicë myslimane nuk përfshihen në të.
Zëdhënësi i zotit Obama, Kevin Lewis, thotë se Obama është i inkurajuar nga përmasat e angazhimit që po shihet kudo në vend. Ai i referohej protestave kundër urdhrit të zotit Trump mbi emigracionin dhe refugjatët.
Ndërkohë, një numër në rritje ligjvënësish republikanë kanë shprehur shqetësime në lidhje me urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump.
Urdhri, i cili u nënshkrua të premten, përfshin një ndalim 120 ditësh të pranimit të refugjatëve dhe një ndalin 90 ditësh për persona nga Iraku, Irani, Siria, Somalia, Sudani, Libia dhe Jemeni.
Urdhri ekzekutiv dhe aeroportet
Zbatimi i tij është shoqëruar me konfuzion në aeroportet amerikane, ku në disa raste njerëz me statusin e banorët të përhershëm në SHBA janë ndaluar për t’u marrë në pyetje para se t’u lejohej futja në vend.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare nxori të dielën një deklaratë ku përpiqet të sqarojë urdhrin, duke thënë se e konsideron “futjen e personave me statusit të banorit të përhershëm si çështje të sigurisë kombëtare”.
Në një deklaratë të veçantë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se qeveria ruan të drejtën të anulojë viza në raste të caktuara, nëse është e nevojshme, në të mirë të sigurisë kombëtare.
Këto sqarime pasuan një urdhër nga një gjykatë federale në Nju Jork për të pezulluar përkohësisht deportimin e personave që kishin mbërritur në aeroporte amerikane me viza të vlefshme ose të cilëve u ishte miratuar statusi i refugjatit.