Trump sulmon sërish NATO-n për Iranin: Nuk kemi nevojë për ta
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar sërish aleatët e NATO-s lidhur me situatën në Iran, duke deklaruar se ata “nuk kanë bërë absolutisht asgjë për të ndihmuar”.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump theksoi se SHBA “nuk ka nevojë për NATO-n”, por shtoi se ky është një moment shumë i rëndësishëm që “nuk duhet harruar kurrë”. Ai gjithashtu përmendi se disa vende janë të gatshme të ndihmojnë në eskortimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, por pa i identifikuar publikisht.
Më herët, më 15 mars, në një intervistë për Financial Times, Trump kishte paralajmëruar NATO-n për një “të ardhme shumë të keqe” nëse aleatët nuk do të ndihmonin në hapjen e ngushticës strategjike.
Duke folur javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, ai u shpreh se shumica e vendeve të NATO-s nuk duan të përfshihen në konflikt, të cilin disa prej tyre e konsiderojnë të paligjshëm. Po atë ditë, ai shkroi në rrjetet sociale: “Për shkak të suksesit tonë ushtarak, ne nuk kemi më nevojë dhe as dëshirë për ndihmën e vendeve të NATO-s, në fakt, nuk na është dashur kurrë!”
Trump i quajti gjithashtu anëtarët e aleancës “frikacakë” për refuzimin e tyre për të ndihmuar në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, të cilën ai e cilësoi si një “manovër të thjeshtë ushtarake”.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar më herët se aleatët janë duke diskutuar mënyrat për të përballuar mbylljen efektive të kësaj rruge të rëndësishme detare.
The post Trump sulmon sërish NATO-n për Iranin: Nuk kemi nevojë për ta appeared first on RTSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.