Tundimi i një aleance të rrezikshme

Trishtimi më i madh është se as Kosovën nuk e la të qetë.
Se edhe në atë shtet të ri, të pavarur, të ushtruar nga reflekse patriotizmi prej vuajtjes e gjenocidit do të guxonte të bënte arkitektin e prapaskenës, sa me shkëmbime territoresh, sa me Open Balkan, marrëveshje me Vučić, refuzimin e rezolutës kundër genocidit serb, ambicje udhëheqësie rajonale, apo lobime veç për shah intrigash në skakierën politike të saj dhe jo për njohje dhe integrim ndërkombëtar.
Të zgjedhësh si aleat në rrugëtimin politik Ramën, duke ia njohur filozofinë qeverisëse, pasionin për autokracinë, mjeshtërinë e kulisave nga me diaboliket, lobuesit, financuesit, (anti)modelin ekonomik ku e zhyti Shqipërinë, shkatërrimin e institucionit të zgjedhjeve të lira, imazhin ndërkombëtar si drejtues me liçensë i një narkoshteti…pra me vetëdije të zgjedhësh të ushqesh ambicien politike nga kjo “çorbë” e prishur interesash mbi vuajtjet e shqiptarëve, këndej e andej vargjeve malore të Sharrit dëshmon pragmatizëm vetësabotues. Mjafton të vëzhgosh se ku e si kanë përfunduar “aleatët” e tij në vite. Me të cilët ndau interesa edhe më të ngushta se nevoja akute për kontroll të ekuilibrave edhe në një moment politik në Kosovë.
Institucioni i presidentit të Kosovës nuk mund të konkurrojë në marrëdhëniet personale dhe rivalitetin e liderëve rajonalë. Ai është simboli i sovranitetit të shtetit.
Për këtë arsye, çdo situatë ku krijohet përshtypja se politika e brendshme e Kosovës mund të bëhet pjesë e strategjive rajonale të një lideri tjetër, dëmton jo vetëm ekuilibrat politikë të Prishtinës, por edhe perceptimin ndërkombëtar për pavarësinë e vendimmarrjes së saj, dëmton mu bash atë që Kosova ka mbrojtur me dekada, pavarësinë e plotë të vendimmarrjes së saj politike.
Një presidente që ka ndërtuar autoritetin e saj politik mbi idenë e sovranitetit të pakompromis të vendit duhet të jetë po aq e para në ruajtjen e distancës nga çdo strategji që e trajton politikën e Prishtinës si hapësirë manovrimi rajonal.
Në momentin që kjo distancë zbehet, edhe pa dashje krijohet një paradoks i rrezikshëm politik. Përpjekja për të konsoliduar një pozicion të fortë të brendshëm mund të përfundojë duke e lidhur atë me një lojë që nuk është projektuar në Prishtinë. Deja Vu!
Historia politike e njeh mirë këtë mekanizëm. Ambicia shpesh e bind një figurë publike se mund të përdorë një lojtar më cinik për një fitore taktike. Por në fund, në më të shumtën e herëve ndodh e kundërta, lojtari më cinik merr frytet, ndërsa tjetri flaket si servis njëpërdorimësh.
Do të qe keqardhje e madhe fitorja e një autokrati me eksportin e pamëshirshëm të mekanizmave që degradojnë elitën e Kosovës, kur i vetmi sukses rajonal është importi i qumështit dhe garancia për pushtet nga Beogradi.
Mos na zhgënje të paktën ti Kosovë!




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.