Turpi, i kolegëve që u gjendën në sallë me Ambrozian

Natyrisht, kolegët e mjerë të Ambrozias, që pronarët i kishin dërguar në atë konferencë, i vunë këtij turpi vetëm portretet e tyre. Të gjithë e kuptojnë se e keqja qëndron më lart, shkon përtej tyre
Ajo që ndodhi në konferencën e shtypit të Edi Ramës, nuk ishte një sherr banal, as një moment nervozizmi dhe nxehje gjakrash të zakonshme mes një gazetari me një politikan, por një mënyrë e shëmtuar e degradimit të mediave tona.
Pothuajse askush nga përfaqësuesit e pushtetit të katërt, që u bënë dëshmitarë të asaj skene, nuk u solidarizua me kolegen e tyre, Ambrozia Meta. Në të kundërt shumica ulnin kokën si pula të shushatura, duke imagjinuar me mendje namin që mund ti bënin pronarët e tyre përfitues të statusit “investitorë strategjikë”.
Në një konferencë normale shtypi, në një vend demokratik është një zakon i pashkruar, që gazetarët solidarizohen me pyetjen e mbetur pa përgjigje të kolegut të tyre. Nëse i pari nuk merr atë që do, i dyti përsërit po të njëjtën pyetje.
Por, në të kundërt, ne pamë në ekran, ndonjë mashkull që i bënte me shenjë Ramës ta linte mënjëanë debatin me Ambrozian dhe ndonjë femër që shprehte padurimin për të marrë në duar mikrofonin, ndonëse ajo që do donte të dëgjonte publiku kish mbetur në ajër. Për më tepër, askush prej tyre nuk lëvizi nga salla, kur kryeministri e ndërpreu konferencën, për të përjashtuar prej saj të singjashmen e tyre “rebele”. Ambrozia doli jashtë dhe gjithë të tjerëve kjo iu duk normale duke e vijuar bashkëbisedimin konstruktiv sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Por, për të kuptuar këtë incident është mirë të dimë kontekstin e tij. Gazetarja Meta i bëri Ramës, në sy, një pyetje që e mendojnë të gjithë. Pse ai po merakoset nga kërkesa e SPAK-ut për burgosjen e Ballukut, zëvendëses së tij që akuzohet për 1.1 miliardë euro abuzime me tenderat, kur vetë ka kërkuar me gojën e tij paraburgosje për ata që vjedhin energjinë, ndërtojnë pa leje, madje dhe hynë në fushë për të prishur një ndeshje futbolli. Kaq, asgjë e veçantë, vetëm justifikimi i këtyre dy standarteve u kërkua nga Rama. Në vend të përgjigjes ai zgjodhi të ironizonte Çim Pekën, të vizatonte Syrin si një media që pastron para, të përshkruante Ambrozian si një
zgjatim të protestave opozitare, që kishte hyrë ilegalisht në obrorin e tij mbretëror. Se sa bazë ka kjo loghore e pakontrolluar nuk është e vështirë të kuptohet. Njësoj si me Pekën, Rama është sjellë me gjysmën e gazetarëve të vendit. Akuzat që bën për Syri-n, një version të ndryshëm të të cilave i ka treguar ish zv kryeministri i tij Ahmetaj, i ka bërë më parë për Top-in që e etiketonte, kur si pëlqente, si ekran gjobaxhi, apo kur i çonte të fala Sandrit të Klanit.
Por, këtu çështja nuk është as te mashtrimet e Ramës, as tek koherenca e tij tashmë e përdhosur, as tek të vërtetat e tij që edhe antarëve të kryesisë së PS ia imponon përmes kërcënimesh.
Në atë sallë ku Edi Rama u soll si një udhëheqës tribuje, ai nuk qe fajtori i vetëm. Një politikan nuk shndërrohet në autokrat vetëm se merr vendim ta bëjë këtë. Ai bëhet i tillë, kur ata që ka përreth ia pranojnë një gjë të tillë. Pikërisht këtë bënë sot kolegët e Ambrozias. Ata pranuan të shndërrohen në sfondin e një farse që si përcolli dot publikut as përgjigjen më të thjeshtë, atë të pabarazisë para ligjit, mes një tifozi futbolli që është i pakënaqur me penalltinë e dhenë kundër skuadrës së tij dhe që për këtë, sipas Ramës, duhet të përfundojë në burg dhe Belinda Ballukut, të dyshuar për së paku 11 krime, që u dashka të vijojë të jetë e lirë.
Prandaj, ajo që pamë sot live është shumë më tepër se një incident i thjeshtë. Sepse ajo nuk dëshmoi vetëm për arrogancën e një politikani që refuzon të japë llogari, në publik, për ata që vjedhin në emër të tij, por shumë me tepër se kaq, për një sistem mediatik që është vënë krejtësisht në shërbim të kësaj filozofie. Natyrisht, kolegët e mjerë të Ambrozias, që pronarët i kishin dërguar në atë konferencë, i vunë këtij turpi vetëm portretet e tyre. Të gjithë e kuptojnë se e keqja qëndron më lart, shkon përtej tyre. Por përmes qëndrimit të tyre në salle, pasi kolegen e tyre e nxorën jashtë dhe sidomos me mosinsistimin për të marrë përgjigje për pyetjen e mbetur në ajër, ata u bënë dëshmitarë të një estrade ku të gjithë bëjnë sikur. Dhe mund të imagjinohet kollaj se si do të duken kur të paraqiten serish në skeçin e ardhshëm në emër të një bashkëbisedimi me Ramën për të informuar publikun…/lapsi




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.